Ndërlidhjet

Me rritje pagash, (s’)rritet cilësia


Shkollë në Koosvë (Foto nga arkivi)
Shkollë në Koosvë (Foto nga arkivi)
Përfaqësues në dorëheqje të Ministrisë së Arsimit dhe ata të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, shprehën bindjen se me rritjen prej 50 për qind të pagave për punonjësit e arsimit, do të përmirësohet cilësia e sistemit të arsimit. Mirëpo, ekspertët kritikuan këtë qasje dhe theksojnë rëndësinë që rritja e pagave për sektorin e arsimit të bëhet në bazë të performancës së mësimdhënësve.

Pavarësisht kritikave, sipas të cilave vendimi i qeverisë në dorëheqje të Kosovës për rritjen e pagave në disa sektorë - në kuadër të të cilit edhe ai i shkollimit parauniversitar, është jolegjitim dhe në funksion të procesit paraelektoral të Partisë Demokratike të Kosovës, në Ministrinë e Arsimit u dhanë vlerësime krejt ndryshe.

Në një konferencë për media, ministri në dorëheqje i Arsimit, Enver Hoxhaj, e quajti historik vendimin e ekzekutivit të vendit që duke nisur nga janari, pagat e punonjësve të arsimit të rriten për 50 për qind.

Rritja do të jetë ndër më të mëdhatë në historinë e Kosovës - ndoshta edhe ndër rritjet më të mëdha edhe në të ardhmen. Unë mendoj se Ligji për buxhet çdo herë miratohet në Kuvendin e Kosovës në përputhje me fuqinë politike që kanë partitë në atë Kuvend. Ju e dini që zgjedhjet janë fituar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe ky ligj do të miratohet në Kuvendin e Kosovës në përputhje me atë se si do ta votojnë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetët e tjerë”, tha Hoxhaj, pas një takimi me përfaqësues të Sindikatave të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Këta të fundit mirëpritën vendimin për rritje pagash duke vlerësuar se me atë veprim po rriten mundësitë për krijimin e një mësimi më cilësor.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës

Mirëpo, ekspertët për arsim në Prishtinë kritikuan veprimin e qeverisë në dorëheqje, duke theksuar se nuk përmirësohet sistemi i arsimit me rritjen e pagave për punonjësit e këtij sistemi.

Në muajin korrik të vitit të kaluar, Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u kishin formuar një komision të përbashkët për rritjen e pagave për punonjësit e sistemit të arsimit.

Eksperti, Halim Hyseni, tha se vendimi që të ketë rritje pagash në këtë sistem, ka pasur mundësi të merret edhe më herët.

“Mendoj se është dashur të bëhet përpara dhe mendoj se pozita e punëtorit të arsimit është dashur të përmirësohet më parë - ka pasur mundësi, ka pasur zgjidhje për këtë, por angazhimet nuk kanë qenë kreative dhe ndoshta ka munguar edhe vullneti politik”, vlerësoi Hyseni, duke theksuar rëndësinë që pagat të rriten varësisht performancës së mësimdhënësve.

Zbatimi i këtij projekti planifikohet të bëhet gjatë vitit 2011 nga Ministra e Arsimit. Ministri në dorëheqje i Arsimit, Hoxhaj shpjegoi:

“Ky proces do të duhet të ndodhë paralelisht me autonominë e shkollave, meqë aktualisht në Republikën e Kosovës 13 komuna kanë shkolla ku e gëzojnë autonominë financiare e menaxheriale. Paralelisht, procesi i vlerësimit të performancës do të duhet të ndodhë me delegimin e autonomisë, meqë performanca duhet të vlerësohet nga drejtori i shkollës, nga drejtori i Drejtorisë komunale të arsimit dhe nga një instrument që do ta zhvillojë vetë Ministria e Arsimit”.


Disa nga sfidat, me të cilat vazhdon të përballet sistemi i arsimit në Kosovë, ndër të tjera, vlerësohet të jenë analfabetizmi, braktisja e shkollave nga nxënësit dhe procesi i reformave, sikurse në nivelin universitar, ashtu dhe në atë parauniversitar.

Ndërkohë, nga përfaqësues në dorëheqje të ekzekutivit vendor, si një nga të arriturat përmendet “ndërtimi i shumë objekteve shkollore”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG