Ndërlidhjet

Ekonomistët dhe juristët, “suficit” në tregun e punës


Ilustrim
Ilustrim

Pavarësisht se a i kërkon tregu i punës, profesionet si ekonomist apo jurist, interesimi i të rinjve për t’u regjistruara në këto drejtime, ka qenë mjaft i madh edhe në këtë vit akademik.

Universiteti i Prishtinës, aktualisht, është duke bërë përmbylljen e afatit të parë të regjistrimit të studentëve, derisa pritet që të ketë edhe një afat tjetër të regjistrimit gati në të gjitha fakultetet.

Sipas të dhënave zyrtare, Universiteti i Prishtinës në vitin e parë të studimeve, për këtë vit akademik do të regjistrojë 11.932 studentë, prej të cilëve 9.412 studentë të rregullt dhe 2.520 studentë me korrespondencë.

Krahasuar me vitin akademik 2012-2013, UP-ja ka rritur numrin e studentëve që do të ndjekin studimet në këtë vit për 2. 711 vende.

Ardian Kastrati, këshilltar i rektorit të Universitetit të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tani në afatin e parë janë plotësuar gjashtë mijë vende. Ai bën të ditur se interesimi më i madh mbetet në Fakulteti Ekonomik, Juridik dhe si mjaft i pëlqyer është edhe Fakulteti i Edukimit dhe ai i Mjekësisë.

“Është herët të konkludojmë se në cilat fakultete do të kemi numër më të madh, për shkak se tani e kemi vetëm afatin e parë të konkursit, me të cilin kemi rreth 6 mijë vende të plotësuara. Mirëpo, sipas indikacioneve të para dhe bilancit që ne kemi bërë, del prapë se Fakulteti i Mjekësisë, ai i Edukimi, Ekonomik dhe Fakulteti Juridik janë më të kërkuarat”, bën të ditur Kastrati.

Të rinjtë, të cilët kanë zgjedhur Fakultetin Ekonomik, atë Juridik apo edhe të Edukimit, kanë bërë këtë përzgjedhje për faktin, siç thonë ata, se i pëlqejnë këto profile, ndërkaq nuk janë të informuar se këto drejtime nuk i kërkon shumë tregu i punës.

Anila ka zgjedhur të studiojë në Fakultetin Juridik.

“Më pëlqen dhe për atë kam zgjedhur të studioj në këtë fakultet. Shpresoj të gjej punë”, thotë ajo.

Derisa Fatosi dhe Astriti do të studiojnë në Fakultetin Ekonomik:

“Kemi zgjedhur Fakultetin Ekonomik se më pëlqen. Aty mendojmë se do ta gjejmë veten”.

Por, sipas organizatave ekonomike në Kosovë asnjëra nga këto profesione nuk është shumë e kërkuar në tregun e punës. Sipas tyre, persona të kualifikuar në këto drejtime, ka mjaftueshëm në Kosovë.

Sekretari i Odës ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se interesimi i të rinjve për të studiuar Ekonomikun dhe Juridikun, si në Universitetin Publik ashtu dhe në ata privat, çdo vit është në rritje, por që, sipas tij, kjo situatë e krijuar duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës, pasi që tregu i punës kërkon krejt diçka tjetër.

“Njerëzit që përfundojnë Fakultetin Ekonomik apo Juridik jo të gjithë e gjejnë veten. Në anën tjetër, çdo ditë e më shumë kërkohen profilet teknike. Për shembull në sektorët që kanë një zhvillim te ne, si sektori i bujqësisë, sektori i përpunimit të metaleve, sektori i xehetarisë, i cili ka potencial për shkak të pasurive nëntokësore dhe sektori energjetik”, thekson Rukiqi.

Përfaqësues të bizneseve vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet arsimore që në përputhje me kërkesat e tregut të punës, të bëhet edhe përzgjedhja e profileve në sistemin e shkollimit të lartë.

Ata tregojnë se ka mungesë të shumë profesioneve që i kërkon tregu i punës, ndërsa ato punë vazhdojnë t’i kryejnë persona të pakualifikuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG