Ndërlidhjet

Ka apo s’ka cilësi nëpër universitete?


Hapësira para Fakultetit Filologjik në Prishtinë.
Hapësira para Fakultetit Filologjik në Prishtinë.
Shumë studentë, e shumë fakultete, por cilësia e arsimit në Kosovë duket të jetë në nivel jo të kënaqshëm. Në rubrikën e përjavshme ”VOX” të programit tonë, gjatë kësaj jave kemi marrë mendimet e disa të rinjve, në lidhje me cilësinë e arsimit në Kosovë, duke përfshirë institucionet e larta arsimore publike dhe ato private.

Edona, nga Prishtina, rreth 30 vjeçe mendon se niveli i arsimit në Kosovë është i ulët. Ajo përmend faktet pse mendon kështu.

“Niveli i arsimit te ne është i ulët, prej vetë faktit që unë e kam regjistruar magjistraturën dhe i kam kryer gati 2 vjet, mandej ka dalë që ajo shkollë nuk ka qenë e licencuar, edhe pse ka qenë fondacion i norvegjezëve”, thotë Edona.

Arianiti nga Prishtina, 26-vjeçar, studion ekonominë në njërin nga universitetet private në vend. Arianiti mendon se ka dallim mes universiteteve private dhe publike:

“Mendoj se fakultetet në Universitetin e Prishtinës kanë parregullsi për arsye se ka numër shumë të madh të studentëve, derisa në fakultetet private e ke një përparësi, sepse profesorët vijnë me rregull, provimet mbahen me rregull”.

Arianiti thotë se çmimi për të studiuar në universitet privat nuk është i shtrenjtë. Ndërkaq, cilësia e arsimit, sipas tij, është e njëjtë, si në institucionet publike, ashtu edhe në ato private.

“Çmimi nuk mendoj se është shumë i lartë, unë paguaj 1300 euro në vit. Cilësia mendoj se është e njëjtë si në Universitetin e Prishtinës, si në universitetet private, meqë të njëjtit profesorë ligjërojnë”, shprehet Arianiti.

Ndërkaq, ekspertë të arsimit thonë se cilësia e arsimit mbetet shqetësuese për shoqërinë dhe institucionet në përgjithësi. Sipas tyre, cilësia e arsimit në Kosovë nuk garanton të ardhme të sigurt për qytetarët, duke shtuar se në institucionet universitare, mësimet bëhen tërësisht në mënyrë teorike dhe asgjë praktike.

Ndryshe, një tjetër qytetar, njëherësh student i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Shkëlqim Morina, mendon se cilësia e arsimit dallon varësisht nga universiteti ku studion.

“Cilësia mendoj se në universitetin publik është më e mirë. Studentët nuk e kalojnë provimin, derisa në ato private jo. Mua më ka ndodhur edhe 5 herë mos ta kaloj provimin, derisa e kam përgatitur mirë lëndën edhe pastaj kam kalur”, tregon ai dhe shton:

“Privat është më lehtë, pasi paguajnë para dhe profesorët nuk mund t’i rrëzojnë nga provimi. Kushtet i kanë më të mira institucionet private të arsimit. Unë si student në Universitetin e Prishtinës mendoj se është më problem, ka shumë studentë, mungojnë profesorët, nuk mund t’i dëgjosh ligjëratat”.

Por, dallimi mes universiteteve private dhe atij publik është se diplomat nga universitetet publike njihen edhe ndërkombëtarisht, derisa nga ato private jo - vetëm thonë se njihen, por jo .

Ndërkaq, Ideali nga Gjakova , 22-vjeçar ka zgjedhur të studiojë në fakultet privat. Sipas tij, këtë zgjedhje e ka bërë pikërisht pse mendon se është shumë më lehtë të përfundosh fakultet në institucion privat sesa në publik.

“Unë e kam zgjedhur fakultetin privat se mendoj se është më lehtë. Unë paguaj 1.060 euro në vit, dhe mendoj se nuk është shtrenjtë pasi që ia vlen të marrësh një diplomë. Nuk është vështirë të kryesh studime në fakultete private - mendoj se 70 për qind është më lehtë se në universitet publik. Unë edhe punoj, andaj duhet kryer disi”, thotë Ideali.

E, Ardian Gashi, tashmë i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, dega e Stomatologjisë, mendon se arsimi është në një krizë shumë të thellë.

“Jam kundër pranimit të kaq shumë studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, pa pasur një vizion se ku do të sistematizohen ata. Nuk ka kurrfarë përgjegjësie për t’iu siguruar një vend pune pas diplomimit. Dhe, pastaj këta dalin si mjek shumë të frustruar dhe me shumë telashe, pa vende pune për ta”, shprehet Ardian Gashi, duke bërë dallimin mes universiteteve private dhe publike. Sipas tij, fakultetet private nuk kanë kritere ashtu siç ishte dashur të jenë:

“Në privat kriteret janë shumë të dobëta, siç tha edhe vetë rektori se nota mesatare e studentëve është 9 dhe më e lartë, derisa në atë publik kapacitetet për të dhuruar një arsimim të mirëfilltë lënë shumë për t’u dëshiruar”.

Edhe Bardha Shkreli, studente e Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, thotë se cilësia e arsimit ka rënë dukshëm:

“Sa i përket universiteteve, qofshin private apo publike, duket se ka rënë cilësia, pasi që dalin dukuri negative në shesh. Studentët nuk e mohojnë që kopjojnë, mandej mënyra e vlerësimit është pak e çuditshme se si një student mund të sigurojë një notë kaluese vetëm duke marrë pjesë në ligjërata”.

Studentja Bardha Shkreli konsideron se duhet të ndërrohet mënyra e vlerësimit të një studenti, në mënyrë që vlerësimi të jetë më i denjë.

“Mendoj se kjo duhet të ndryshojë. Them se më mirë ishte në kohën kur studenti testohej me gojë - është marrë parasysh dija e tij përmes përgjigjeve me gojë, e jo me test”, shton Bardha.
XS
SM
MD
LG