Ndërlidhjet

Burgjet e pasigurta


Ilustrim
Ilustrim
Kontrabandimi i telefonave celularë, substancave narkotike dhe së fundmi edhe armëve në burgjet Kosovës, bëjnë që siguria në këto institucione të jetë e nivelit të dobët, thonë përfaqësuesit e organizatave që monitorojnë gjendjen e përgjithshme të burgjeve.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, konsideron se siguria nuk është në nivelin e duhur në burgjet e vendit.

Mendojmë që këto dukuri, të herëpashershme, duke kontrabanduar mjete ilegale, përfshirë edhe armë, siç është rasti i fundit, por edhe mjete narkotike apo armë të ftohta, drejtpërdrejt e kërcënojnë sigurinë e të burgosurve. Për faktin që në burgje gjenden mjete të tilla, ne mendojmë se këto mjete e kërcënojnë jetën e të burgosurve”, tha zonja Rushiti.

Ajo ftoi autoritetet kompetente që sa më parë të marrin masa dhe të dënojnë personat të cilët mundësojnë futjen e gjërave të tilla në burgje.

Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shemsi Hajrizi, tha për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht disa problemeve të fundit në burgje, në përgjithësi gjendja e sigurisë është e mirë.

“Nuk mund të themi që në qendrat korrektuese, në qendrat e paraburgimit nuk është siguria në nivelin e duhur. Është një vlerësim i përgjithshëm që sigurinë e kemi në nivelin e duhur, çfarë është sipas kritereve të Ligjit mbi zbatimin e sanksioneve penale, kështu që nuk kemi diçka që mund të vlerësohet me një vlerësim jo të mirë”, deklaroi Hajrizi.

Ai nuk mohoi faktin se në burgjet e vendit, herë pas here, gjenden celularë, por që sipas tij, në këtë drejtim janë duke u marrë masa parandaluese.

Kemi masa preventive, kur zakonisht gjenden celularë në dhomat e pranimit gjatë vizitave. Është një masë preventive, por nuk përjashtohet mundësia që gjejmë telefona nëpër dhomat e të dënuarve, kështu që ato raste ekzaminohen në organet e hetuesisë dhe presim rezultatet e tyre, nëse mund të ndriçohet deri në fund. Në rastet e tilla nuk përjashtohet edhe ndërmarrja e masave ndaj përgjegjësve në pavijon, siç është rasti i fundit ku është gjetur një armë”, tha Hajrizi.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, konsideron se siguria në Shërbimin Korrektues është një nivel me vendet e rajonit.
Siguria nuk është absolute, sepse siguri të tillë nuk ka në asnjë burg të botës...

Siguria nuk është absolute, sepse siguri të tillë nuk ka në asnjë burg të botës, prandaj nuk mund të ketë as në Kosovë”, u shpreh Shala.

Ndryshe, duke folur për gjendjen e burgjeve në Kosovë, zonja Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, theksoi se në disa nga qendrat e paraburgimeve është shqetësues fakti i mbipopullimit të qendrave me persona të paraburgosur.

“Ka pasur një progres në kuptimin e infrastrukturës, edhe në disa çështje të tjera, megjithatë ka ende hapësirë për t'u bërë më shumë. Ne edhe me parë e kemi potencuar aq më shumë kur kohëve të fundit kemi mbingarkesë të Qendrave të paraburgimit, po edhe vetë Burgut të Dubravës”, potencoi Rushiti.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, në bashkëpunim me të gjithë partnerët e Drejtësisë dhe në përshtatshmëri të vazhdueshme me ligjet në Kosovë, synon të korrektojë dhe risocializojë të burgosurit duke respektuar të drejtat e tyre fundamentale pa marrë parasysh racën, gjuhën dhe religjionin.

Shërbimi Korrektues i Kosovës administron Burgun e Dubravës, Qendrën Korrektuese në Lipjan, si dhe qendrat e paraburgimit në Prizren, Prishtinë, Gjilan, Pejë dhe Mitrovicë.
XS
SM
MD
LG