Ndërlidhjet

Kushtet në burgun e Lipjanit


Qendra Korrektuese në Lipjan
Qendra Korrektuese në Lipjan

Kushtet e akomodimit dhe trajtimi i të burgosurave dhe të paraburgosurve në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan, janë në nivel të duhur. Kështu, të paktën, thonë disa nga të burgosurat që vuajnë dënimin në këtë burg.



Në një dhomë të vogël me dy shtretër, një televizor, një kasetofon dhe një fotografi familjare e varur në murin me ngjyrë të kaltër, në burgun e Lipjanit, tash e një vit jeton Violeta Ferizi, 34 vjeçe, nënë e tre fëmijëve.

Ajo është dënuar me shtatë vjet burg. Megjithatë, Violeta është e kënaqur me kushtet në këtë qendër korrektuese.

“Kushtet janë të mira, kemi aktivitete të lira; kemi aktivitete, kemi televizor, kasetofon”,
thotë Violeta.

Violeta është shtetase e Zvicrës. Ajo thotë se, përveç lirisë, natyrisht, i mungojnë shumë fëmijët, të cilët nuk ka pasur mundësi t’i takojë që prej se është burgosur.

“S’kam fjalë të tregoj çfarë mërzie. Disi po rri si pa ndjenja, po duhet të rri pa ndjenja, nuk po mundem shumë të mendoj për fëmijët. Deri tash nuk kanë qenë fare. Tash, në prill, kanë pushim tri javë ditë dhe shpresoj dhe besoj se do të vijnë”,
thekson Violeta.

Edhe një e burgosur tjetër, e cila nuk deshi ta japë emrin e saj, flet për kushte të mira në këtë qendër korrektuese.

Të burgosurat në sallën e sportit brenda burgut, Lipjan

Deri në përfundimin e dënimit i kanë mbetur edhe 16 vjet. E gjejmë duke luajtur me shoqet e saj në një sallë sportive të burgut.

"Kushtet i kemi shumë të mira, trajtimin e kemi shumë të mirë prej stafit. Për nga kushtet, nuk na mungon asgjë. Kemi aktivitet të lira, kemi bibliotekën ku marrim libra, e kalojmë kohën, punojmë. Stafi sillet mirë me ne, si oficeret, si krejt”,
thotë kjo e burgosur.

Por, ka edhe të atilla, për të cilat kushtet nuk kanë edhe aq shumë rëndësi. Njëra prej tyre është një e burgosur, e cila tash e 13 muaj ka veshur petkun e portokalltë.

“Mua më duket se tërë jetën kam jetuar këtu, më duket shumë. Dhe, nuk mundem ende të besoj se kam për të qëndruar edhe gjashtë vjet e gjysmë”
, shprehet ajo.

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan, janë të vendosura 18 femra të dënuara dhe 17 të tjera të paraburgosura.

Përveç tyre, kjo qendër ka edhe të mitur; 13 prej tyre janë me dënim efektiv, 9 të tjerë me masë edukative dhe 26 për kundërvajtje me dënime të shkurtra.

Drejtori i këtij institucioni, Muamer Bikliqi, shpjegon normat dhe standardet, mbi të cilat funksionon qendra korrektuese.

Pamje nga Qendra Korrektuese në Lipjan
“Duke filluar nga tretmani mjekësor, që është në shërbim teknik medicinal 24 orë, mjeku i përgjithshëm është çdo ditë pune, është psikiatri, psikologu, punëtorët socialë, sociologia dhe gjinekologia".

"Ekzistojnë dy qendra për aftësime profesionale, njëra është brenda perimetrit të burgut dhe tjera jashtë perimetrit të burgut”,
shpjegon Bikliqi.

Ndryshe, disa organizata vendore joqeveritare, që kanë të drejtë t’i vizitojnë burgjet e Kosovës, më herët kishin thënë se në burgjet e Kosovës, pos parregullsive të shumta kishte edhe keqtrajtime fizike.

Por, drejtori Muamer Bikliqi mohon se ky fenomen ekziston në institucionin që ai drejton.

“Kritikat nga organizatat joqeveritare ka qenë vetëm për çështje të riparimeve të disa objekteve në hapësirat e brendshme, ndërsa sa i përket kritikave rreth përdorimit të forcës, këto kanë qenë joreale, sepse një gjë e tillë nuk vërehet dhe nuk është dukuri në Qendrën Korrektuese të Lipjanit”
, thotë Bikliqi.

Një konstatim të këtillë e mbështetë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, këshill ky që vëzhgon burgjet e Kosovës.

Behxhet Shala, drejtor i KMDLNJ-së, shpjegon:

“Qendra korrektuese në Lipjan është një ndër qendrat më të avancuara sa i përket trajtimit të të burgosurve dhe kushteve, në të cilat janë të vendosur të burgosurit”.


Sidoqoftë, me gjithë kushtet e mira, dita për t’ia kthyer shpinën kësaj qendre pritet me padurim.
XS
SM
MD
LG