Ndërlidhjet

Veriu drejt zgjedhjeve lokale


Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Pajtueshmëria e përgjithshme për zgjedhjet komunale që do të zhvillohen në vjeshtë edhe në veri të Kosovës, e cila është arritur në takimin e fundit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka nxitur reagimet e liderëve të serbëve të veriut të vendit dhe njohësve të zhvillimeve politike atje.

Sipas tyre, përderisa organizimi i këtyre zgjedhjeve në veri tashme është i sigurt, pikëpyetje mbetet nëse do të arrihet një klimë pozitive dhe gatishmëri të qytetarëve serbë atje për të marrë pjesë në zgjedhje.

Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë thotë se qytetarët serbë në veri nuk do të pranojnë ta ndërrojnë shtetin dhe se shumica e tyre vështirë se mund ta ndryshojnë mendimin në këtë pikë.

“Marrë parasysh atë se si mendon populli, mendoj se vetëm një numër i vogël i serbëve do të paraqitet në ato zgjedhje. Mbase një numër i njerëzve do të blihen, do të thotë se do t’u ofrohen para për të dalë në zgjedhje. Por, në esencë, mendoj se shumica absolute e serbëve nuk do t’i përgjigjet, pavarësisht se Daçiq, Vuçiq dhe Thaçi janë marrë vesh që serbët të dalin në këto zgjedhje. Mendoj se ata nuk do t’i përgjigjen kësaj”, thotë Jakshiq.

Por, ndryshe mendon njohësi i zhvillimeve politike nga Leposaviqi, Dragisha Kërstoviq. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është fakt që atmosfera aktuale ndër serbët për pjesëmarrje në zgjedhjet që do t’i organizojnë institucionet e Kosovës, nuk është pozitive.

Por, sipas tij, qasja e serbëve pritet të ndryshojë deri në muajin tetor dhe kjo është e mundur nëse atyre u shpjegohet në esencë rëndësia e këtyre zgjedhjeve.

“Mendoj se tash për tash, disa liderë politikë, që e kundërshtojnë në tërësi marrëveshjen e Brukselit, do të kenë ndikim dhe do ta mohojnë një disponim pozitiv për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe do të ndikojnë që deri te një gatishmëri e tillë të mos arrihet. Por, me kalimin e kohës, do të ketë interesim nga serbët e veriut të Kosovës që të dilet në ato zgjedhje, sepse do të kuptohet që çështja është e përfunduar në mënyrë definitive dhe se një gjë e tillë është në interesin e tyre”, thekson Kërstoviq.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të veriut, kohë më parë, në mbledhjen e kuvendeve të katër komunave paralele në veri, patën marrë vendim që asnjë prej tyre të mos kandidojë dhe të mos marrë pjesë në zgjedhjet që mund t’i organizojnë institucionet e Kosovës.

Jakshiq thotë se ai personalisht mbetet pranë këtij vendimi, por, sipas tij, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe përfaqësuesit tjerë serbë.

Marko Jakshiq
Marko Jakshiq
“Sa u përket përfaqësuesve tjerë serbë dhe kryetarëve të komunave, mendoj se ata as që kanë pranuar të jenë në ekipin përgatitor për organizimin e zgjedhjeve. Gjithashtu, nuk kanë pranuar as që të japin njerëz, të cilët do të ishin në atë ekip përgatitor".

"Por, Zyra për Kosovën i ka propozuar njerëzit, të cilët, më duhet të them, se nuk kanë ndonjë peshë politike. Kështu që, unë mendoj se duke u bazuar në të gjitha këto, atmosfera e përgjithshme është kundër daljes së serbëve në zgjedhjet lokale”,
konsideron Jakshiq.

Por, Kërstoviq pret që vendimi kundërshtues ndaj zgjedhjeve i përfaqësuesve serbë, i cili kohë më parë është shprehur si vullnet politik, do të ndryshojë.
Mendoj se në periudhën nga sot e deri në tetor, kur do të mbahen zgjedhjet, do të bëhen disa aktivitete politike në këtë drejtim dhe se do të arrihet deri te pikëpamja se dalja në këto zgjedhje është me interes.

“Mendoj se në periudhën nga sot e deri në tetor, kur do të mbahen zgjedhjet, do të bëhen disa aktivitete politike në këtë drejtim dhe se do të arrihet deri te pikëpamja se dalja në këto zgjedhje është me interes”.

“Mendoj se kjo do të ndodhë, pavarësisht se do të ketë numër të madh të atyre që do të bëjnë obstruksione në këtë drejtim dhe ndonjë ideologji politike, e cila vetëm mund ta dëmtojë bashkësinë serbe. Do të thotë, do të ketë dhe të tillë, por mendoj se deri në kohën kur do të mbahen zgjedhjet, gjërat do të ndryshojnë në mënyrë domethënëse dhe se pjesa më e madhe e qytetarëve të veriut do të jenë për atë që të dilet në zgjedhje”,
potencon Kërstoviq.

Ai, gjithashtu, shton se mbajtja e zgjedhjeve në veri do të ndikojë në mënyrë esenciale në ndryshimin pozitiv të gjendjes në atë pjesë të vendit, ku tash e më shumë se 5 vjet, që nga shpallja pavarësisë së Kosovës, institucionet e vendit nuk kanë arritur ta shtrijnë pushtetin dhe sovranitetin e plotë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG