Ndërlidhjet

Vuçiq i ndau apo i bashkoi serbët e veriut?


Veri...
Veri...
Vizita e zëvendëskryeministrit të parë të Serbisë Aleksandër Vuçiq, me 12 maj në veri të Kosovës, ndonëse nuk ishte pritur me simpati nga serbët e kësaj pjese të vendit, megjithatë ka zvogëluar hendekun ndërmjet autoriteteve të Beogradit dhe liderëve serb të veriut të vendit, vlerësojnë disa prej këtyre liderëve.

Hendeku dhe tensionimi i raporteve, siç thonë ata, ishin krijuar pas arritjes së marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb Ivica Daçiq, të cilën serbët e veriut e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ende ta bëjnë këtë.

Lideri i serbëve të veriut, Milan Ivanoviq nga Këshilli Nacional Serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë takimit të së dielës, edhe autoritetet e Beogradit por edhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, pavarësisht mospajtimeve, kanë ardhur në përfundim se nuk mund të bëjnë pa njëri tjetrin.

“Megjithatë, është kuptuar nevoja se nuk mund të bëjmë pa njëri tjetrin dhe ky përfundim është pranuar me plot seriozitet. Ne u pajtuam për këtë dhe ka pasur propozime që ti qetësojmë emocionet dhe siç thuhet, ta lëshojmë topin në tokë, gjë që në pjesën e parë të takimit të hapur nuk pati sukses”, ka thënë Millan Ivanoviq.

Por lideri tjetër i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq, ish zyrtar në qeverinë e mëparshme serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se vizita e Vuçiqit në veri të Kosovës dhe takimi i tij me liderët e atjeshëm ka ndikuar në përafrimin e qëndrimeve ndërmjet tyre dhe autoriteteve të Beogradit.

“Gjëja themelore është se ka qenë e dukshme që disa kanë qëndrime negative, por shumica kanë ndjenjën e fuqishme të brengosjes se si do të ndikojë marrëveshja në jetët e tyre të përditshme. Mendoj se një pjesë të përgjigjes e kanë marrë, ndërkaq një pjesë tjetër e përgjigjes është çështje e kohës".

"Mendoj se në periudhën që është para nesh, duhet të ketë më tepër kontakte, sidomos të linjës shtetërore dhe të mos barten informacionet përmes linjave partiake, sepse kjo e fundit është treguar si një zgjidhje e keqe. Fundja edhe Vuçiqi ka pasur mundësinë që të shoh se cili është populli në Kosovë, cilët janë përfaqësuesit e serbëve në veri dhe ka pasur mundësinë që edhe ai të mësoj diçka”, tha Oliver Ivanoviq.

Por, a kanë arritur ndonjë pajtim konkret përfaqësuesit e serbëve të veriut me autoritetet e larta të Beogradit lidhur me domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, të 19 prillit?

Të dy këta liderë të serbëve të veriut kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me këtë çështje.

Milan Ivanoviq vlerëson se serbët e veriut nuk do të pranojnë një gjë të tillë, ndërkaq që e ironizon insistimin e Beogradit zyrtarë se marrëveshja e obligon atë dhe se ajo duhet të zbatohet.

Fatkeqësisht, duhet vetëm të vdiset, asgjë tjetër nuk duhet. Kështu që, çështja e marrëveshjes është relative. Ka të tilla që zbatohen, por ka edhe të tilla që nuk zbatohen. Por në këtë rast, kemi mbetur në pozicione të kundërta me Beogradin. Kështu që, sa i përket ndonjë zbatimi të kësaj marrëveshje dhe mundësisë që në këtë moment të arrihet diçka në këtë drejtim, nga ana jonë, lidhur me këtë nuk ka pasur ndonjë pajtim”, tha Millan Ivanoviq.

Por, Oliver Ivanoviq, thekson se në takimin me Vuçiqin, nuk kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës të zëshëm në kundërshtimin e marrëveshjes.

“Ka qenë e dukshme që kundërshtim të fuqishëm kanë treguar vetëm përfaqësuesit e opozitës parlamentare të Serbisë, ndërkohë që gjithë të tjetrit kanë qenë goxha të heshtur. Prandaj, kjo është e dukshme për ata që vëzhgojnë prej anash. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në periudhën që është para nesh, por unë nuk jam përkrahës i vendimeve të shpejta dhe të lehta të Qeverisë së Serbisë".

"Pra, ajo duhet ta kuptojë se ekziston frika tek të gjithë serbët që jetojnë këtu, pavarësisht se cilës parti i takojnë. Vetëm disa prej tyre janë të zëshëm për këtë,. Disa të tjerë po e shfrytëzojnë këtë situatë për promovimin e programeve të partive të tyre, ndërkohë që shumica e serbëve janë të brengosur se si do të dukej zbatimi i marrëveshjes”, tha Oliver Ivanoviq.

Ndryshe, gjatë vizitës të së dielës në veri të Kosovës, Vuçiq ka theksuar se me përfaqësuesit e serbëve të veriut është arritur pajtimi për koordinim të aksioneve të ardhshme dhe për veprim të përbashkët me ta.

Siç ka theksuar ai, marrëveshja e Brukselit nuk është e përsosur, por me të nuk duhet frikësuar popullin. Astronauti muzikant

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG