Ndërlidhjet

Mungesa e laboratorit rrezikon konsumatorët


Testimi i ushqimit
Testimi i ushqimit
Muaji mars, i cili njihet si Muaji i Konsumatorit, Kosovën e gjen në një situatë mjaft shqetësuese sa i përket rrezikut që vjen nga produktet e dyshimta.

Vetëm brenda katër muajve në Kosovë kanë hyrë mbi katër produkte, që konsideroheshin me cilësi të dyshimtë, e të cilat rrjedhimisht rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Shamponi Kosil, domatja, margarina Vital dhe disa produkte të qumështit, ishin produktet e dyshuara për nga cilësia.

Shfaqja e aflatoksinës M-1 mbi nivelin e lejuar, e cila është gjetur në qumështin e prodhuar në Serbi, Bosnje e Hercegovinë e Kroaci, ishin produktet e fundit, shitja e së cilave u ndalua në tregun kosovar.

Në javën e konsumatorit, e cila ka filluar të enjten, shoqata për mbrojtjen e konsumatorit dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës duke përmendur këto raste, theksojnë se janë duke punuar për vetëdijesimin e qytetarëve për paraqitjen e ankesave kur ata hasin në produkte të dyshimta.

Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se Kosova ka të rregulluar mirë legjislacionin në aspektin e mbrojtjes së konsumatorit, por kjo nuk mjafton duke pasur parasysh nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve në Kosovë.

“Nuk është e mjaftueshme, sepse zbatueshmëria e ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit e ka fatin e ligjeve të tjera. Është e ditur se zbatueshmëria e ligjeve në Kosovë, nuk e arrin nivelin 40 për qind".

"Ne këtu duhet të fokusohemi, e për të bërë këtë, nuk mjaftojnë mekanizmat, nuk mjafton konsumatori i vetëm, nuk majftojnë bizneset qofshin ata që prodhojnë apo tregtojnë. Por, neve na duhet një përkrahje shumë më e madhe e institucioneve të shtetit nëse jo për asgjë tjetër, atëherë për arsye se ne paguajmë për shërbimet që i presim nga institucionet”
, thotë Kaçaniku.


Pengesë, mungesa e labratorit të ushqimit

Mungesa e laboratorëve për bërjen e analizave të produkteve, të cilat hasen si të dyshimta, nga Kaçaniku thuhet të jetë një pengesë mjaft e madhe në Kosovë. Laboratorët duhet të jenë të pavarur dhe nën mbikëqyrjen e konsumatorit.

“Mungesa e laboratorëve dhe ekspertëve, motivimi i pamjaftueshëm i mekanizmave kadrovik e financiar po na kushton shumë shtrenjtë. Derisa ne, si konsumatorë, po e vërejmë se diçka ka ndodhur dhe po dëshmohet se, në mungesë të laboratorëve, në organizmin tonë ka hyrë një ushqim i kontaminuar. Në këtë aspekt duhet të punojmë shumë më shumë”, shton Kaçaniku.

Sidoqoftë, rastet e fundit të produkteve të dyshimta kanë ngritur vetëdijen e qytetarëve për të bërë ankesa.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, derisa në vitin e kaluar numri i rasteve që konsumatorët i kanë paraqitur rastet në Departamentin për mbrojtjen e konsumatorit ishte 109 ankesa, në vitin 2013 vetëm për tre muaj janë paraqitur 86 ankesa.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cuneyd Ustaibo, thotë se ka një përmirësim të lehtë në mbrojtjen konsumatorit, por ende mbetet shumë për t'u bërë në mënyrë që mbrojtja e konsumatorit të rregullohet sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare.

"E drejta e konsumatorit mbrohet me ligj dhe çdo njëri nga ju që hasni në padrejtësi, duhet ta raportoni atë. Kjo do të kishte dy efekte, e para pasi që ju konsumatorë do të shihni rezultatin e shpejtë në zgjidhjen e të drejtave tuaja dhe e dyta do të na ndihmoni në mbikëqyrjen edhe më të fortë të tregut të brendshëm”, thotë Ustaibo.

Përgjegjësinë kryesore për kontrollin e ushqimit në Kosovë e ka Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit e Kosovës, si autoritet shtetëror.

AVUK vetëm gjatë vitit të kaluar ka asgjësuar mbi 1 milion kilogramë produkte të ndryshme, që konsideroheshin të dyshimta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG