Ndërlidhjet

Kosova “e izoluar” nga aflatoksina


Kosova po del të jetë imune nga rajoni, për sa i përket cilësisë së ushqimit. Madje, ka edhe garanci se produktet e qumështit që importohen nga vendet e rajonit, janë të sigurta për shëndetin. Të paktën kështu pohon autoriteti i kontrollimit të ushqimit në Kosovë.

Shefi i sektorit të inspektoratit veterinar kufitar, Eroll Shehu, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka vend për panik, edhe pse i gjithë rajoni po vlon nga informatat për një prani të shtuar të Aflatoksinës M-1, në qumësht.

Ideja është që të mos ketë panik. Kujdesi është për ato mallra të cilat ne i garantojmë, apo i certifikojmë se janë mallra të kontrolluara, domethënë janë mallra të sigurta,” tha ai.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, në kuadër të të cilit funksionon ky inspektorat, thotë të ketë dërguar mostrat e të gjithë qumështit dhe produkteve të tij që importohen në vend, për analiza. Sipas regullativës në fuqi, niveli i lejuar i aflatoksinës M1 në qumësht është 0.005 mikrogram për kilogram.

Sipas Shehut, kjo është bërë pasi autoritetet e dy shteteve fqinje, në Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci, kanë njoftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, se në disa produkte të tyre kanë gjetur prani të shtuar të aflatoksinës në qumësht.

Si rrjedhojë, është rritur niveli i kontrollit të detajuar në kufijtë e vendit.

Po për qumështin është për shkak të sigurisë së ushqimit, e kemi ngritur nivelin e kontrollit. Çdo fabrikë e qumështit thuaja i nënshtrohet këtij kontrolli. Merren mostrat; dërgohen në analiza dhe presim rezultatin. Qëndrojnë të bllokuar në depo. Zakonisht ne kemi bashkëpunim me laboratore referente”, tha Shehu për Radion Evropa e Lirë.

Shfaqja e aflatoksinës M-1 mbi nivelin e lejuar, është gjetur në qumështin e prodhuar në Serbi, Bosnje e Hercegovinë e Kroaci. Shkaku i kontaminimit llogaritet të jetë ushqimi i lopëve, i cili nga magazinimi i gjatë në hambar, myket.

Në anën tjetër Selatin Kaçaniku, nga Organizata Joqeveritare “Konsumatori”, thotë se autoritetet kompetente duhet të jenë më të kujdesshme karshi kësaj ngjarjeje.

Kroacisë i ka kushtuar shumë shtrenjtë tentimi për ta fshehur rastin e kontaminimit të bereqetit të misrit më aflatoksinë M1 dhe kjo fshehje ka dalë më produktet e qumështit; kush e di, edhe më çka tjetër do të reflektojë...por nuk kemi kapacitete të mjaftueshme, as laboratorike as kadrovike, për të dhënë një përgjigje ndaj dalim me arsyetime”, thotë Kaçaniku.

Ka qytetarë që kanë filluar edhe të krijojnë opinion për qumështin e prodhuar nga kompani të caktuara rajonale.

Njëri nga ta është Zeqë Ibrahimi, nga Prishtina.

Nuk e përdori, sepse ka informacione përmes mjeteve të informimit se ka materie të cilat janë të dëmshme për organizimin. Për një kohë nuk e blej, sepse është krijuar një opinion, një bindje kështu që konsumatori heziton”, tha ai.

Ndërkaq, i moshuari Zenel Murseli, e konsideron polemikën e krijuar rreth qumështit të kontaminuar si rast të mirë, për të bindur konsumatorët kosovarë, se prodhimet vendore janë më të sigurta.

Ne i kemi prodhimet tona vendore dhe s'e di pse njerëzit shkojnë blejnë produkte të huaja”.

Ditë më parë, në Serbi janë publikuar të dhëna nga sekretari i bujqësisë në Vojvodinë, Goran Jeshiq, të cilat tregojnë se afro 90% e mostrave të qumështit të analizuar ka përmbajtje më të madhe të aflatoksinës M-1, sesa që lejohet.

Si pasojë, disa produkte janë tërheq nga tregu.

Autoriteti i Ushqimit dhe Veterinës në Kosovës, thotë se nuk importon qumësht dhe mish nga ky shtet, andaj nuk ka vend për shqetësim. Rezultatet e analizave, sipas Eroll Shehut, zakonisht vonojnë nga 7 deri në 10 ditë, meqë bëhen në një laborator në Itali.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG