Ndërlidhjet

Produktet kosovare kanë kontroll cilësie


Prodhime kosovare
Prodhime kosovare
Të gjitha produktet e konsumit, të cilat prodhohen në Kosovë, i nënshtrohen kontrollit të cilësisë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, bëjnë të ditur përfaqësues të bizneseve në Kosovë. Sipas tyre, kontrolli i cilësisë së produkteve vendore bëhet në mënyrë të duhur dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson se prodhimet vendore përmbushin standardet ndërkombëtare të cilësisë për të dalë në treg dhe jo vetëm në tregun vendor, por edhe në atë ndërkombëtar.

“Në Kosovë, sa i përket kontrollit të produkteve për konsum, është një nga kontrollet më të rrepta të prodhimtarisë vendore dhe kjo është e pamëshirshme ndaj prodhuesve për të lënë hapësirë që të hedhin në treg produkte që nuk i plotësojnë kriteret minimale për konsum”, thotë Shahini.

Në Kosovë, sipas përfaqësuesve të bizneseve përveç kontrollimit të cilësisë që iu bëhet produkteve vendore, një kontroll i tillë iu bëhet edhe produkteve, të cilat importohen. Por, shqetësues, sipas Agim Shahinit, mbetet fakti se në tregun kosovar mund të ketë produkte tjera ushqimore, që hyjnë në mënyrë ilegale në Kosovë, e të cilat nuk i nënshtrohen kontrollit të cilësisë.

“Neve na shqetëson fakti më i madh i importeve, e që shpesh janë (mallra) të pakontrolluara që hyjnë nga pikat e ndryshme kufitare dhe jo ato doganore, të cilat nuk iu nënshtrohen rregullave të kontrollit të ushqimit nëpër pikat doganore, sepse hyjnë në formë ilegale dhe kjo është seriozisht e dëmshme për konsum”, thekson Shahini.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të cilët përfaqësojnë rreth 15 mijë biznese në Kosovë, thonë se asnjë produkt ushqimor i këtyre bizneseve nuk del në treg pa kontroll të cilësisë. Sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shpjegon:
Berat Rukiqi
Berat Rukiqi

“Te pjesa e cilësisë së produkteve brenda vendit jemi dëshmitarë se, në veçanti tek industria e ushqimit, çdo herë e më shumë kemi standardizim dhe një kërkesë në rritje te ndërmarrjet tona prodhuese për certifikim dhe standardizim të produkteve, të cilat përdoren në tregun vendor, por edhe eksportohen jashtë vendit”.

Rukiqi thekson se në dy vitet e fundit, prodhuesit kosovarë kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme në eksportimin e produkteve të tyre, siç janë pemët dhe perimet, por edhe disa nga sektori i industrisë përpunuese të ushqimit në të gjitha tregjet e rajonit dhe BE-së, të certifikuar me të gjitha standardet ndërkombëtare për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, përfshirë edhe Global Gap dhe HACCP.

“Ato produkte që janë të ndërmarrjeve që dominojnë në eksportin e vendit, sigurisht i plotësojnë këto standarde, përndryshe nuk do të mund të ishin këto tregje. Tregjet ia përcaktojnë cilësinë një produkti. Vendet që i pranojnë këto produkte i kanë rregullat e veta sa i përket sigurisë, cilësisë dhe standardeve të këtyre produkteve”, shton Rukiqi.

Ndryshe, përfaqësuesit e bizneseve thonë se bizneset kosovare tashmë janë vetëdijesuar se pa standardizim nuk mund të gjejnë vend as në tregun vendor dhe as në atë ndërkombëtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG