Ndërlidhjet

Rezoluta, pozicion nismëtar për serbët


Ilustrim
Ilustrim
Rezoluta për Kosovën, të cilën Kuvendi i Serbisë e ka miratuar më 12 janar, i definon politikat me të cilat shteti serb do t’i qaset Kosovës, por edhe dialogut me të, i cili pritet të vazhdojë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, vlerësojnë politikanët serbë të veriut të Kosovës dhe njohësit e rrethanave politike në vend.

Politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, ish-zyrtar në qeverinë e mëparshme të Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se miratimi i Rezolutës për Kosovën nga Kuvendi i Serbisë e ka vërtetuar ndjenjën e fuqishme për problemin e Kosovës, por edhe gatishmërinë e shtetit serb që problemet të zgjidhen përmes rrugëve paqësore.

Kjo Rezolutë ka vërtetuar edhe kufijtë e caktuara, të cilat dialoguesit duhet t’i kenë gjatë bisedimeve. Gjithashtu, ajo që është mjaft e rëndësishme, kjo Rezolutë ka vërtetuar se veriu i Kosovës, si temë, duhet të hapet dhe të zgjidhet në kuadër të Kosovës, por edhe që Kosova të mbetet në kuadër të Republikës së Serbisë. Këto janë tri teza që janë shfaqur këtu”, thotë Ivanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai gjithashtu ka shtuar se deri në miratimin e Rezolutës, ka pasur mjaft polemika dhe kundërshtime ndërmjet partive politike në Serbi lidhur me përmbajtjen e Rezolutës, por miratimi i saj ka qenë i pashmangshëm.

Megjithatë, Ivanoviq, vlerëson se Rezoluta për Kosovën e miratuar nga Kuvendi i Serbisë, nuk do të ndikoj në raportet e serbëve , por më tepër është si një detyrë për ekipin dialogues të Serbisë në bisedimet me Kosovën.

Do të thotë, nuk do të ketë marrëveshje që do të ishte në kundërshtim me këtë Rezolutë. Në masë të madhe, tash është arritur konsensus dhe e rëndësishme është se janë shfaqur ide të reja se si duhet zgjidhur problemi i Kosovës, të cilat do t’ju ndihmojnë negociatorëve në bisedimet që do të vijnë, që t’i marrin parasysh objektivat strategjik të Serbisë, integrimet evropiane, por në të njëjtën kohë, që të mos harrojnë se serbët e Kosovës, në këto bisedime, janë element i rëndësishëm”, thekson Ivanoviq.

Oferta serbe ndan sovranitetin

Në anën tjetër, njohësit e rrethanave politike në Kosovë, vlerësojnë se Rezoluta për Kosovën e miratuar nga Kuvendi i Serbisë, tregon se shteti serb po bën përgatitje për t’iu qasur probleme me Kosovën.

Politologu, Behlul Beqa, thotë se serbët kanë arritur një marrëveshje rreth platformës së tyre, ndonëse, sipas tij, nuk mund të thuhet se për këtë ekziston konsensus i plotë.

Megjithatë, sipas tij, Rezoluta e ka domethënien e vet, për faktin se është një pozicion nismëtar, të cilin nuk e ka pala kosovare.

Beqa thotë se pala kosovare vlerëson se pozicioni i saj nismëtar është kushtetuta, por siç thotë ai, edhe Serbia e ka kushtetutën e saj.

Realisht, karshi palës kosovare, ata së paku kanë një ofertë dhe në këtë kuptim, në një pikëpamje, janë avancues në fillimin e bisedave, që nuk do të thotë se do të përfundojnë në përputhje me fillimin e mirë të tyre, për faktin se Bashkimi Evropian, platformën të cilën e kanë përgatitur serbët, nuk e kanë marrë parasysh”.

Së paku, zyrtarisht janë deklaruar se ajo nuk do të jetë objekt i mbështetjes për fillimin e bisedave, por gjithsesi tregon se Serbia, karshi Kosovës, së paku ka bërë një përgatitje më serioze rreth zgjidhjes së problemeve të hapura që janë në veri”, shprehet Beqa.

Ndryshe, kryeministri serb Ivica Daçiq, të shtunën, ka theksuar se “Sovraniteti i Serbisë në Kosovë gati se nuk ekziston fare” dhe se autonomia për serbët që jetojnë në Kosovë është më e shumta që Beogradi mund të shpresojë të shpëtojë.

Por politologu Beqaj, thotë se Daçiqi autonomia për serbët në Kosovë do të ishte ndarje e sovranitetit të vendit.

Përpara, zyrtarisht kanë thënë se kanë një lloj të kontrollit, të subjektivitetit dhe të sovranitetit në komunat, të cilat kontrollonin në mënyrë indirekte, e tash po thonë se nuk kanë kurrfarë kontrolli”.

“Unë mendoj se pikërisht tash, përmes ofertës që kanë dhënë, duke krijuar autonomi brenda komunave serbe dhe duke krijuar lidhshmëri të komunave serbe, ata në fakt vetëm se po e ndajnë sovranitetin në mes të shumicës dhe pakicës. Kështu që, deklarata e tij formale (e Daçiqit), në fakt, është kundërshtim me përmbajtjen, e cila ofrohet nga platforma politike, e cila është aprovuar”.

Beqa vlerëson se çfarëdo kompromisi eventual që mund të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me zgjidhjen e çështjes së serbëve të veriut, duhet të nënkuptojë reciprocitetin dhe kjo të kushtëzohet ngjashëm edhe me të drejtat e bashkësisë shqiptare që jeton në Luginën e Preshevës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG