Ndërlidhjet

Daçiq: Ndërprerja e dialogut do ta kthente Serbinë prapa


Ivica Daçiq
Ivica Daçiq
Kuvendi i Serbisë, është mbledhur sot për të shqyrtuar propozimin e rezolutës për Kosovën, të cilën e ka shpaluar kryeministri i Sebisë Ivica Daçiq.

Kryeministri serb, fillimisht ka theksuar se Qeveria e Serbisë dhe kryetari serb Tomisllav Nikolliq, nuk po e propozojnë vetëm rezolutën për Kosovën, por dëshirojnë që të gjendet një zgjidhje për të.

Ai ka theksuar se në këtë mbledhje, deputetët e Kuvendit të Serbisë duhet ta shohin në mënyrë reale situatën në Kosovë.

“Sovraniteti i Serbisë në Kosovë gati se nuk ekziston fare. Ne sot duhet të kërkojmë mbështetjen për politikën e cila do ta ndërpres ninullën se është e mjaftueshme vetëm që të fshihemi pas rezolutës dhe se problemi i Kosovës do të zgjidhet”, u ka thënë kryeministri serb, Daçiq, deputetëve të Kuvendit të Serbisë.

Ai gjithashtu ka theksuar se çështja e Kosovës nuk është temë e thjeshtë.

Daçiq shtuar se nga qasja e deputetëve të Kuvendit të Serbisë do të varet nëse Serbia do të udhëheqë politikë reale dhe të realizueshme apo rezoluta do të jetë vetëm një rezolutë më shumë.

Megjithatë, debati në seancën e Kuvendit të Serbisë është ndërprerë, për shkak të kërkesës së Partisë Demokratike, parti kjo opozitare, e cila ka kërkuar që platforma origjinale, të cilën e kanë pranuar serbët e Kosovës, të jetë pjesë e rezolutës.

Kjo platformë përfshin edhe kërkesën e serbëve të Kosovës për ndërprerjen e bisedimeve teknike të Serbisë me Kosovën që po zhvillohen në Bruksel.

Amandamentet e kërkuara nga Partia Demokratike, sipas kryeministrit serb Daçiq, janë të ngjashme me amandamentet e kërkuara nga Partia Demokratike Serbe, si dhe kërkesat e Partisë Radikale Serbe, e cila ka protestuar kundër miratimit të Rezolutës.

Pas mbledhjes ku morën pjesë kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikolliq dhe kryeministri Daçiq me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, si dhe shefat e grupeve parlamentare, ku po bisedohet për amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike, kryeministri serb, ka theksuar se amandamentet e kësaj partie janë të papranueshme për faktin se e kthejnë Serbinë prapa.

“Disa amandamente nuk mund të pranohen. Unë kam insistuar për këtë lidhur me amandamentet e Partisë Demokratike, i cili e sjellë në pikëpyetje krejt esencën e rezolutës dhe i cili kërkon që të kthehemi në formulimin të cilën e kemi përjashtuar gjatë bisedimeve që kemi pasur me kryetarin e Serbisë”.

“Kjo ka të bëjë me ndërprerjen e dialogut teknik. Serbia nuk mundet të shkojë prapa, sepse nuk ka ku të shkojë prapa. Serbia nuk mund ta ndërpres dialogun, sepse nuk ka alternativë për këtë”, tha Daçiq.

Ai ka theksuar se ky amendament është i palogjikshëm edhe për faktin se vjen nga Partia Demokratike, e cila derisa sa ka qenë në pushtet, e ka nisur dhe zhvilluar dialogun teknik me Kosovën.

Gjithashtu, Daçiq ka theksuar se kërkesat e Partisë Demokratike kanë alarmuar opinionin ndërkombëtarë

“Ky amandament ka ngritur alarm të madh edhe te opinioni ndërkombëtarë. Disa medie e kanë publikuar se ne do ta pranojmë këtë amendament për ndërprerjen e dialogut. Kjo ka nxitur habinë e shumë ambasadorëve të vendeve të ndryshme, të cilët një gjë të tillë nuk e kanë pritur nga Partia Demokratike”, tha Daçiq, i cili gjithashtu theksoi se disa amandamente të tjera, të cilat hyjnë në funksion të përmirësimit të tekstit të Rezolutës do të pranohen.

Por, pas premtimit që kryeministri serb Daçiq kishte bërë se do ta hiqte cilësimin “sekret” qe i ishte vënë platformës, shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Borislav Stefanoviq, ka deklaruar se kjo parti do ta tërheqë amendamentin kontestues.

“Partia Demokratike ka vendosur ta tërheqë amendamentin. Deputeti Goran Bogdanoviq e ka bërë këtë pak më parë, duke pasur parasysh që kemi edhe premtimin publik të kryeministrit Daçiq, se platformës që e ka miratuar qeveria do t’i hiqet shenja ‘sekret’. Me këtë do t’iu mundësohet deputetëve se a do të votojnë për platformën që parasheh ndërprerjen e integrimeve evropiane dhe ndërprerjen e bisedimeve me Prishtinën apo do të votojnë për tekstin e platformës, të cilën e ka miratuar qeveria dhe që nuk e parasheh ndërprerjen e integrimeve evropiane dhe ndërprerjen e bisedimeve me Prishtinën”, ka thënë Stefanoviq.

Ndryshe, pritet që Kuvendi i Serbisë të vazhdojë më seancën.

Partia Liberale Demokrate, është i vetmi subjekt politik serb, i cili edhe më parë ka paralajmëruar se do të votojë kundër rezolutës, ndërkohë që partitë tjera kanë theksuar se do ta votojnë atë, nëse brenda saj përfshihen amendamentet që i kanë propozuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG