Ndërlidhjet

Miratohet rezoluta për Kosovën, hiqet sekreti për platformën


Beograd...
Beograd...
Kuvendi i Serbisë ka miratuar rezolutën për Kosovën pas mesnatës, pas një debati që ka zgjatur tërë ditën.

Gjithashtu, siç raportojnë mediat serbe, është vendosur që të zbulohet për publikun platforma, mbi bazë të së cilës do të zhvillohen bisedimet me Kosovën.
Teksti i platformës, që njëherë është thënë se do mbetet sekret, do të publikohet në ueb faqen e Qeverisë së Serbisë.

Me rezolutën parashihet që të gjitha bisedimet e ardhshme me Prishtinën duhet të jenë në përputhje me këtë dokument, e në veçanti insistohet në ngritjen e një autonomie për komunat serbe.

Teksti i parë i rezolutës është ndryshuar me tri amendamente të propozuara nga Këshilli për Kosovën, për të cilat është arritur pajtim në takimin e përbashkët në mes të presidentit serb, kryeministrit dhe shefave të grupeve parlamentare.

Platforma politike për bisedimet me përfaqësuesit e Prishtinës, parasheh që çdo zgjidhje e dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Rezolutën 12 44 dhe se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Kosova dhe Serbia aktualisht janë duke zhvilluar bisedime në nivel kryeministrash nën ndërmjetësimin e Brukselit zyrtar.

Çështja e veriut është thënë se do të shtrohet për bisedime në takimet e ardhshme mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit.

Ndërkohë, Serbia po synon që të nxjerrë një lloj autonomie për këtë pjesë të banuar me shumicë serbe dhe që nuk I nënshtrohet kontrollit të Prishtinës zyrtare.

Kryeministri serb Ivica Daçiq ka thënë se Serbia “praktikisht” e ka humbur sovranitetin mbi Kosovën dhe se autonomia për serbët që jetojnë në Kosovë është më e shumta që Beogradi mund të shpresojë të shpëtojë.

Daçiq i ka thënë parlamentit të shtunën se Serbia nuk mund të përballojë që të “mbajë kokën e saj në rërë” për Kosovën.

Duke folur derisa ligjvënësit debatonin për një rezolutë që bën thirrje për autonomi për serbët që jetojnë në Kosovë, dhe jo qeverisje të drejtpërdrejtë nga Beogradi, Daçiq tha se “sovraniteti serb” në Kosovë është “praktikisht jo-ekzistent”.

Qeveria e Daçiqit e ka përjashtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të 2008-së. Por, Daçiq ka sinjalizuar një qasje më pragmatike për Kosovën, derisa Beogradi po kërkon fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG