Ndërlidhjet

Serbët e veriut nuk duan doganë klasike


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Krijimi i një situate të qetë në veri të Kosovës do të varet jo vetëm thjesht nga zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e cila është arritur në dialogun Kosovë - Serbi, por edhe nga zbatimi i garancive, të cilat Qeveria e Serbisë ua ka ofruar serbëve të veriut, lidhur me këtë marrëveshje, vlerësojnë politikanët serbë të veriut të Kosovës.

Lideri i veriut të Mitrovicës, Marko Jakshiq, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë, se serbët janë tërhequr nga protesta që e kishte bllokuar vendkalimin kufitar në Jarinë, po ata gjithashtu kanë theksuar se zhbllokimi i këtij vendkalimi kufitar është i përkohshëm.

“Serbët e veriut të Kosovës kanë marrë garanci të shkruara nga Qeveria e Serbisë, e cila gjithashtu ka premtuar se këto garanci do t’i zbatojë përmes Kuvendit të Serbisë dhe ato kanë të bëjnë me atë që serbët në veri të Kosovës nuk do të paguajnë doganën dhe se do të munden lirisht që t’i përdorin tabelat e regjistrimit, lejet e qarkullimit në trafik dhe kartat e identitetit të Republikës së Serbisë. Kjo është diçka që e obligon Qeverinë serbe në Beograd se obligimet që ka barrë, duhet t’i përmbushë”, thotë Jakshiq.

Sipas tij, Qeveria serbe u ka thënë serbëve të veriut të Kosovës se për garancitë që ua jep atyre, janë pajtuar edhe ndërmjetësuesit evropian, por edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Por, Jakshiq thekson se çështja e zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimit të Integruar të Kufirit do të varet edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë.

Mendim të ngjashëm ka edhe lideri tjetër i serbëve të veriut, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb. Siç thotë ai, serbët e veriut tashmë janë deklaruar kundër zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, dhe se zhbllokimi i vendkalimit kufitar në Jarinë është hap i përkohshëm i serbëve të veriut, për t’i dhënë shans Qeverisë së Serbisë t’i zbatojë garancitë që ua ka dhënë atyre.

Millan Ivanoviq
Millan Ivanoviq
“Ne kemi vendosur ta ndërpresim përkohësisht protestën, duke u hapur rrugë garancive të Qeverisë së Republikës së Serbisë, se nuk do të ketë transformim të vendkalimeve administrative në vendkalime kufitare, gjegjësisht, se nuk do të ketë pagesë të doganës apo pagesa tjera”, shprehet Ivanoviq.

Në anën tjetër, marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit parasheh praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë, si dhe ata të Serbisë, por edhe të EULEX-it.

Serbët e veriut në vazhdimësi patën kundërshtuar praninë e zyrtarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare, gjë që pati shërbyer si shkas i protestave dhe bllokimeve të rrugëve që çojnë drejt këtyre vendkalimeve.

Por Jakshiq thotë se të rëndësishme janë garancitë e Qeverisë së Serbisë dhe jo fakti se kush do të jetë i pranishëm në vendkalimet kufitare.

“Në një mënyrë është pak e rëndësishme nëse do të jenë aty edhe përfaqësuesit e policisë dhe doganave të Kosovës. Fundja, serbët janë duke e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nëse ky vendim thotë se vendosja e këtyre kufijve nuk është në përputhje me Kushtetutën serbe, atëherë doganierët dhe policët e Prishtinës, në një mënyrë, duhet të largohen nga aty”, thekson Jakshiq.

Ndërkaq, Ivanoviq paralajmëron se në qoftë garancitë e Qeverisë së Serbisë nuk realizohen, atëherë protestat e serbëve të veriut do të rifillojnë.

“Ne mund t’i rinisim protestat dhe do t’i rinisim nëse thyhet premtimi që na është dhënë dhe nëse aty tentohet të zbatohet dogana klasike. Në qoftë se ato vendkalime nuk do të jenë në përputhje me Rezolutën 12 44 dhe nuk do të jenë neutrale ndaj statusit, ne mund t’i rifillojmë protestat, por edhe mund t’i radikalizojmë ato”, potencon Ivanoviq.

Ndryshe, pas vendimit të të ashtuquajturit Kuvend i katër komunave të veriut, serbët e veriut të Kosovës, ditën e premte janë tërhequr nga protesta në Jarinë, ku për 3 ditë e kishin bllokuar vendkalimin kufitar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG