Ndërlidhjet

Thaçi: IBM do të diskutohet në dhjetor


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Kryeministri Thaçi ka thënë se në takim është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se theks i veçantë i është kushtuar Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).

Për këtë të fundit, Thaçi ka thënë se është arritur pajtim që të flitet sërish në muajin dhjetor, kur edhe ka shfaqur shpresën se do të nisë të zbatohet.

Duke folur në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, kryeministri ka thënë se është ngritur edhe domosdoshmëria e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur të luftës.

Thaçi ka thënë se është biseduar edhe për strukturat e Serbisë në Kosovë. Ai ka thënë se ka kërkuar që të bëhen transparente të gjitha mjetet materiale që Serbia jep për strukturat në veri, ashtu si edhe shuarjen e tyre.

“Ka struktura kriminale që mbajnë peng dhe të frikësuar qytetarët. I gjithë angazhimi ynë për veriun do të jetë në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri e ka vlerësuar takimin e së mërkurës në Bruksel si tejet konstruktiv dhe ka thënë se ka qenë më substancial se takimi i parë.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë për mediat në Beograd se bisedimet kanë qenë neutrale kundrejt statusit të Kosovës dhe se është folur për modalitetet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Ai ka bërë me dije se në muajin dhejtor do të zhvillohet një takim tjetër me Thaçin në Bruksel.

Daçiq ka pranuar se në dhjetor do të flitet për IBM-në, por ka shtuar se për këtë çështje Serbia do të parashtrojë disa pyetje.

Ai ka thënë se në takim është folur edhe për transparencën e asaj që financon Serbia.

Takimi i parë në mes të Thaçit dhe Daçiqit është zhvilluar më 19 tetor, po ashtu nën praninë e baroneshës Ashton.

Takimet kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si kusht për avancimin e dy vendeve drejt integrimit evropian.
XS
SM
MD
LG