Ndërlidhjet

Serbia garanton serbët e veriut të Kosovës


Takimi në Beograd
Takimi në Beograd
Mënyra e vetme që Serbia mund t’i qaset Kosovës është ajo politike, ka vlerësuar kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq. Këtë vlerësim ai e ka bërë pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, të cilët kanë kërkuar nga autoritetet e larta të Serbisë, të informohen lidhur me politikat që Beogradi zyrtar i ka ndaj Kosovës.

Në mbledhjen e kreut shtetëror të Serbisë me katër të ashtuquajturit kryetarë të komunave paralele serbe të veriut të Kosovës, sipas kryeministrit serb, Ivica Daçiq, është vërtetuar edhe një herë uniteti shtetëror për zbatimin e politikave lidhur me çështjen e Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se gjatë këtij muaji do të krijohet platforma shtetërore, në të cilën do të definohet kjo politikë.

Megjithatë, ai ka theksuar se nuk ka asnjë arsye për bllokimin e rrugëve në vendkalimet kufitare Kosovë - Serbi, nga ana e serbëve të veriut. Por, sipas tij, vendimin për ndërprerjen e protestës së serbëve në Jarinjë do ta marrin vetë përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës.

Daçiq ka theksuar se Serbia nuk mund të përdorë forcën ushtarake në Kosovë.

Ivica Daçiq
Ivica Daçiq
“Duhet të jemi të fortë që ta mbrojmë Kosovën. Ushtarakisht nuk mund ta mbrojmë, por vetëm politikisht dhe për këtë arsye ne duhet të jemi të bashkuar”, ka thënë kryeministri serb.

Daçiq ka theksuar se Serbia është garantuesi më i mirë për serbët e veriut të Kosovës.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar se platforma për Kosovën do t’ju shpërndahet shefave të grupeve parlamentare në Kuvendin e Serbisë, më 17 dhjetor dhe se për këtë ishte marrë vesh edhe me kryetarin e Serbisë, Tomislav Nikoliq.

Sipas Stefanoviqit, më 17 dhjetor do të arrijë edhe drafti i strategjisë, për të cilën do të mund të bisedohet dhe më pas për të do të diskutojnë edhe deputetët e Kuvendit serb.

Stefanoviqi ka theksuar se në mbledhjen e së enjtes është vendosur edhe për principin e ashtuquajtur “të veprimit momental” dhe se për të gjitha vendimet që do të sillen do të merren vesh me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët sipas tij, do të marrin pjesë në procesin e bisedimeve me autoritetet e Kosovës.

Në anën tjetër, i ashtuquajturi kryetar i komunës paralele të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, ka deklaruar se serbët e veriut kanë kërkuar garanci të shkruara, në formën e përfundimeve që i nxjerr Qeveria e Serbisë dhe me të cilat ajo obligohet se do ta suspendojë zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, në qoftë se cilado palë nuk e respekton marrëveshjen.

Pamje nga takimi me të ashtuquajturit kryetarë të katër komunave paralele të veriut
Pamje nga takimi me të ashtuquajturit kryetarë të katër komunave paralele të veriut
Pantiq ka theksuar se lidhur me mundësinë e zhbllokimit të vendkalimeve kufitare do të vendosin të ashtuquajturit deputetë të katër komunave të veriut, të cilët do të mbajnë mbledhje në Leposaviq, më 7 dhjetor në orën 10. Por, ai është shprehur optimist se serbët do të tërhiqen nga protesta në Jarinjë.

“Qytetarët do të vazhdojnë të qëndrojnë në Jarinjë derisa delegatët e komunave tona ta sjellin vendimin për hapat e mëtutjeshëm. Ne atyre do t’ua tregojmë detajet e bisedimeve që i kemi pasur me kryeministrin, me kryetarin dhe funksionarët e lartë të shtetit. Ne do t’u themi se jemi pajtuar me atë që kemi dëgjuar nga kryeministri dhe kryetari”, është shprehur Pantiq.

Ndryshe, në takim me autoritetet e larta të shtetit serb kanë marrë pjesë përfaqësuesit e serbëve të veriut, Kërstimir Pantiq, Dragisha Milloviq, Sllavisha Ristiq dhe Dragisha Vasiq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG