Ndërlidhjet

Komisioni Anti-korrupsion, i politizuar(!)


Ilustrim
Ilustrim
Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit edhe 10 vjet që nga ekzistimi, nuk ka arsyetuar qëllimin e formimit.

Dëshmi për këtë janë kritikat e shumta që vijnë, jo vetëm nga opinioni i brendshëm, por edhe nga ai ndërkombëtar, se korrupsioni në Maqedoni vazhdon të jetë i pranishëm në përmasa shqetësuese, ndërsa përgjegjësi për këtë ka edhe Komisioni Anti-korrupsion.

Vlerësime të tilla japin ekspertët dhe ish-drejtuesit e këtij komisioni, i cili, gjatë kësaj periudhe në vazhdimësi ka qenë në shënjestër të kritikave për partizimin e tij, apo mbylljen e syve para rasteve korruptive.

“Komisioni është bërë organ anonim, unë nuk e ndjej atë. Nuk e ndjej pasi në mediume nuk mund të gjej ndonjë rast që ka të bëjë me punën e komisionit, apo se ka ngritur ndonjë iniciativë për ndonjë aferë korrptive”, deklaron Jovan Tërpenovski, ish-kryetar i Komisionit Anti-korrupsion.

Ndërkaq, Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike, thotë se rezultatet e punës së komisionit janë të barabarta me zero dhe nëse vazhdon kështu edhe më tej, ai ngre edhe çështjen, nëse vallë duhet të ketë komision të këtillë në Maqedoni.
...a ka nevojë Maqedonia të ketë këtë komision, apo duhet të mendohet për ndonjë organ tjetër, komision tjetër, apo përbërje tjetër të këtij komisioni?”


“Krimi i organizuar lulëzon, po ashtu edhe korrupsioni lulëzon. Ja Evropa, me theks të veçantë Komisioni Evropian, ka vërejtje serioze për krimin e organizuar, për korrupsionin e devijimet tjera në shoqëri. Në qoftë se kështu vazhdon, atëherë shtrohet çështje se a ka nevojë Maqedonia të ketë këtë komision, apo duhet të mendohet për ndonjë organ tjetër, komision tjetër, apo përbërje tjetër të këtij komisioni”, vlerëson Kadriu.

Nga ana tjetër, drejtuesit e komisionit thonë se puna e tyre është transparente dhe për çdo vit paraqesin bilancin e aktiviteteve të tyre.

Lubinka Koraboska, kryetare e komisionit, thotë se janë qindra raste që ka detektuar komisioni dhe për të cilat është kërkuar ngritja e procedurave gjyqësore.

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë gjithsej 716 lëndë nga sfera e parandalimit të korrupsionit, 516 prej të cilave edhe kanë marrë epilog.

“Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të ndalet, duhet të zbulohen shkaqet që gjenerojnë paraqitjen e korrupsionit me qëllim zbulimin e shpejtë të rasteve korruptive dhe sanksionimin e tyre”, thotë Koraboska, duke shtuar se komisioni antikorrupsion është trup i pavarur dhe nuk bën ndarje gjatë shqyrtimit të rasteve korruptive.

Por, të kundërtën flasin njësitë e kësaj sfere. Duke folur për partizimin dhe politizimin e këtij organi, ekspertët përmendin iniciativat politike të komisionit për ndjekjen penale të LSDM-së opozitare, pastaj rastin me Televizionin A1, që përfundoi me shuarjen e tij, por jo edhe iniciativa tjera për borxhe e malverzime financiare nga partitë në pushtet.

“Për rastet, për të cilat flitet në shoqëri, si raste eklatante, ku janë të përfshirë funksionarët, komisioni nuk ka ndërmarrë asgjë, për disa çështje janë dërguar materialet në prokurori, por edhe ato me siguri se nuk kanë qenë të elaboruara mirë me fakte, andaj edhe prokuroria nuk ka ndërmarrë masa konkrete. Kështu që, nuk mund të flasim për ndonjë hap pozitiv në këtë drejtim”, thotë Osman Kadriu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG