Ndërlidhjet

Luftimi i korrupsionit shihet me dyshim


Gjykata në Shkup
Gjykata në Shkup

Maqedonia ka mangësi të theksuara kur bëhet fjalë për transparencën e punës së institucioneve shtetërore si dhe shpenzimin e mjeteve të buxhetit, theksohet në raportet e faktorit ndërkombëtar. Autoritetet shtetërore thonë se kanë ndërmarrë disa masa ligjore dhe aksione për ta çrrënjosur këtë dukuri. Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se për të pasur sukses lufta kundër korrupsionit, nevojitet luftë frontale duke mos e kursyer as lidershipin e vendit.


Pavarësisht fushatës së Qeverisë së Maqedonisë “Thuaj JO korrupsionit”, qytetarët e kanë të vështirë ta denoncojnë korrupsionin, ndërkohë që si institucione më të korruptuara apostrofojnë administratën, shëndetësinë dhe sistemin gjyqësor.

Sipas hulumtimit të bërë nga Organizata Qytetare “Transparencë - Zero korrupsion”, qytetarët e Maqedonisë nuk u besojnë institucioneve që duhet luftuar korrupsionin.

“Gjatë hulumtimit tonë, në pyetjen pse nuk i denoncojnë rastet korruptive, me të cilat janë ballafaquar, qytetarët përgjigjeshin: Çka do të fitojmë me këtë? Asgjë nuk do të ndryshohet. Kjo dëshmon se qytetarët e kanë humbur besimin ndaj institucioneve, të cilat janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin”,
thotë Sllagjana Taseva nga “Transparencë - Zero korrupsion”.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Shtetëror për Pengimin e Korrupsionit, Ilmi Selami, vlerëson se për çrrënjosjen e korrupsionit, nevojitet luftë frontale e të gjitha institucioneve, njëherësh me mbështetjen e të gjithë qytetarëve.

“Maqedonia ka krijuar një kornizë të mirë institucionale dhe ligjore për luftën ndaj korrupsionit, ndërsa mungojnë rezultatet e duhura në këtë drejtim. Ajo që paraqitet si pengesë, është mungesa e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse”
, shprehet kryetari Selami.

Selami thekson se institucioni që ai drejton, luan rolin e animimit të të gjitha institucioneve përkatëse për t’i nxjerrë autorët e krimit para drejtësisë.

“Patjetër duhet dhe një vullnet më i fuqishëm i të gjithë atyre që punojnë me materien e luftës kundër korrupsionit, si dhe një guxim më i madh nga ta”.

“Këtu, në radhë të parë kemi të bëjmë me gjykatësit dhe prokurorët që punojnë me lëndë. Ne, si Komision dhe faktorët tjerë do t’i inkurajojmë t’i përshpejtojnë proceset dhe epilogu i tyre të dalë në pah”,
thotë Selami.

Nga ana tjetër, Hristo Kartallov, nga Instituti i Sociologjisë në Shkup, vlerëson se pavarësisht aksioneve policore dhe fushatës qeveritare për t`i thënë JO korrupsionit, nuk ka indicie se vendi do të shënojë përparim në luftën kundër korrupsionit.

Kjo, sipas Kartallovit, është pasojë e luftës selektive ndaj korrupsionit, e cila jo rrallë herë i ka amnistuar politikanët.

“Jo, unë nuk kam iluzion se situata e këtillë ku korrupsioni ka zënë kokë në çdo institucion, mund të ndryshohet. Përkundrazi, derisa institucionet që kryejnë shërbime ndaj qytetarëve, edhe më tej mbeten prioritet i fundit për pushtetin kundrejt investimeve jokapitale, korrupsioni mbetet i pranishëm kudo rrotull nesh
”, thekson Hristo Kartallov nga Instituti i Sociologjisë.

Ndryshe, krahasuar me 10 vjetët e fundit Maqedonia ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit.

Sipas të dhënave të “Transparence Internatonal”, vendi nga pozita e 105-të ka rënë në pozitën e 71-të. Por, për një vit Maqedonia ka arritur të rangohet vetëm për një numër më poshtë, andaj ekspertët theksojnë se mbetet edhe shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG