Ndërlidhjet

Maqedoni: Furnizimet publike - jotransparente


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Kompanitë private në Maqedoni nuk arrijnë të përballojnë vonesën e pagesave për shërbimet e ndryshme që kanë realizuar ndaj institucioneve shtetërore, mësohet nga rezultatet dala nga monitorimi i 220 kompanive të vendit nga Qendra për komunikim me qytetarët.

Mënyrat se si manipulohet me paratë publike, janë të ndryshme, duke filluar nga kontratat në katër sy, vendosjen e kritereve për të favorizuar ndonjërën prej kompanive konkurruese, deri te paraqitja e ofertave nga firmat e ashtuquajtura “fantome” , thekson Sabina Fakiq, drejtore e Qendrës për Komunikim me Qytetarët.

“Për fat të keq institucionet shtetërore nuk i përfillin rekomandimet e biznes-elitës, sektorit civil, ekspertëve të ekonomisë, madje, as sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, për të eliminuar parregullsitë që ndjekin procesin e furnizimeve publike të institucioneve shtetërore”, bën të ditur Fakiq.

Ekspertët vlerësojnë se përmes keqpërdorimit të tenderëve, partitë politike shlyejnë borxhin ndaj kompanive të ndryshme që kanë ndihmuar fushatat e tyre zgjedhore.

Sllagjana Taseva nga Transparency International, thotë se korrupsioni politik trajtohet si diçka legale.

“Pikërisht për këtë situatë të krijuar, gjithnjë e më shumë ka raste kur në shpalljet publike nuk paraqitet asnjë kompani e interesuar, pos asaj që është e sigurt që do të fitojë tenderin, nga organet udhëheqëse. Kjo mbulohet dhe me dy oferta të kompanive të afërta me politikën, gjegjësisht krimi shndërrohet në biznes legal”, shprehet Taseva.

Indikativ është dhe fakti se pavarësisht konstatimeve të Entit Shtetëror për Revizion, se gjatë tenderimit udhëheqësit e institucioneve kanë shkelur Ligjin për furnizime publike, janë shumë të rralla rastet kur është ngritur procedurë penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kuadër të furnizimeve publike.

Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, thotë se është revizioni shtetëror që nuk e kryen punën deri në fund, ngase pasi konstaton keqpërdorim, nuk ngre procedurë në prokurorinë publike.

Musa apostrofon veçanërisht përfshirjen e afatit të padefinuar sa i përket shlyerjes së borxhit që kanë institucionet shtetërore për shërbimet e kryera ndaj kompanive private, për të shlyer pagesën në afat të pacaktuar.

“Gjatë revizionit që u bëhet veçanërisht institucioneve shtetërore, që në kontrollin e parë parregullsitë mund të hetohet. Dhënia e afatit prej 360 ditëve pas mbarimit të punëve, realizimit të shërbimeve të ndryshme ose shitjes së mallrave, të mund të presë një kompani në afat të pacaktuar, thjesht ata e bëjnë këtë dallavere. Pra nëse Komisioni Revizor dëshiron ta bëjë punën siç duhet, këto parregullsi i paraqet në organet gjyqësore”, vlerëson Musa.

Ekspertët thonë se përderisa nuk denoncohen nga vetë organet shtetërore, ato institucione ose bartës të funksioneve publike, që shkelin Ligjin për furnizime publike, por mbrohen përmes “vrimave” ligjore, do të jetë shumë e vështirë për të pasur një pasqyrë reale se si dhe për çka shpenzohen paratë e e qytetarëve, ndërkohë që moslikuiditeti i firmave është duke e vënë në pikëpyetje funksionimin e më shumë kompanive të vogla dhe atyre të mesme në Maqedoni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG