Ndërlidhjet

“Kosova A” (s’)mbyllet deri më 2017


Ndotja e ambientit nga Termocentrali "Kosova A"
Ndotja e ambientit nga Termocentrali "Kosova A"
A do të mbyllet apo jo deri në vitin 2017 Termocentrali “Kosova A”, ashtu siç është zotuar Republika e Kosovës me marrëveshjen e Komunitetit të Energjisë së Evropës Juglindore.

Leonita Shabani, zëdhënëse në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thotë se mbyllja e këtij termocentrali është obligim ligjor dhe premtim shtetëror në raport me Bashkimin Evropian, kështu që viti 2017 është vit i mbylljes.

“Ky mbetet njëri nga prioritet kryesore në kuadër të sistemit energjetik në vend. Njëkohësisht, mbetet përkushtim i Republikës së Kosovës për të implementuar këtë vendim në të ardhmen”, konfirmon Shabani.

Mbyllja e këtij termocentrali varet nga ndërtimi i Termocentralit “ Kosova e Re”.
Vendimi për ndërtimin e këtij termocentrali është marrë gati qe një dekadë, por ende nuk është realizuar. Madje, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ky projekt tashmë gjendet në udhëkryq.


Për këtë qëllim, edhe zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës insistojnë që Termocentrali “Kosova A” të jetë në sistem deri në ndërtimin e kapaciteteve të reja.

Viktor Buzhala, zëdhënës në këtë korporatë, thekson se mbyllja e këtij termocentrali pa ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, do t’i shkaktojë humbje të mëdha financiare vendit.

Termocentrali “Kosova A” ka kapacitet prodhues rreth 400 megavat orë energji, ndërkaq në fillim të këtij viti, KEK-u ka filluar revitalizimin e njësisë A-2 të këtij termocentrali.

“Në bazë të vlerësimeve që i kemi bërë, Kosovës i kushton shumë shtrenjtë. Rreth 300 deri 400 milionë euro kushton importi, si pasojë e mungesës eventuale të Termocentralit ‘Kosova A’”.

“Kjo është arsyeja pse ne këmbëngulim që të jetë në sistem deri në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, të cilat mund të ndërtohen edhe në vitin 2017, pasi ne nuk mund të paragjykojmë në këtë drejtim”
, shprehet Buzhala.

Në rast se paraqitet ndonjë problem në ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, do të mundohet të prolongohet mbyllja e Termocentralit “Kosova A”, thotë Leonita Shabani, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ndotja e ambientit nga Termocentrali "Kosova A"...
Ndotja e ambientit nga Termocentrali "Kosova A"...
“Në rast se paraqitet ndonjë problem në shtyrjen e zbatimit të projektit që lidhet drejtpërdrejt me funksionalizimin e Termocentralit “Kosova e Re”, atëherë ka gjasa që të prolongohet deri në një periudhë të shkurtë kohore mbyllja e Termocentralit ‘Kosova A’ , megjithatë ky mbetet një obligim shtetëror dhe Republika e Kosovës, është e përkushtuar që të kryhen të gjitha obligimet që dekomisionim i ‘Kosovës A”, të kryhet konform afateve kohore të planifikuara më herët’’, thekson Shabani.

Edhe përfaqësues të konsorciumit të shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, që vazhdimisht janë marrë me çështjet energjetike, konsiderojnë se ky termocentral duhet të mbyllet sa më shpejt.

Agron Demi nga ky konsorcium, thotë se termocentrali “Kosova A” është një ndër ndotësit më të mëdhenj të ambientit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropën Juglindore, dhe kjo po dëmton shëndetin e popullatës.

“Në rast se nuk ndodh kjo, rrezikojmë që t’i prishim të gjitha marrëveshjet e deritashme me Komisionin Evropian, sidomos me Traktatin e Energjisë, ku është paraparë që ky termocentral të mbyllet”.

“Me qëllimin që pas mbylljes së Termocentralit ‘Kosova A’ mos të ndihen efektet në ekonominë e vendit, do duhej të punohej me intensitet më të lartë në eliminimin e humbjeve teknike dhe komerciale”
, vlerëson Demi.

Ndryshe, në një komunikate për media, edhe Zyra e Bashkimit Evropian është inkurajuar nga deklaratat e fundit të Qeverisë së Kosovës, përmes së cilave ajo ka siguruar zotimin e saj për të zbatuar standardet e BE-së për emetim brenda afatit të caktuar, respektivisht mbylljen e Termocentralit “Kosova A” deri në vitin 2017.

BE-ja, thuhet në komunikatë, do të jetë aleate në këtë drejtim dhe është e gatshme që të mbështesë financiarisht mbylljen e Termocentralit “Kosovës A”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG