Ndërlidhjet

Sa janë transparente projektet energjetike?



Në fillim të këtij muaji, disa organizata joqeveritare kishin publikuar një studim të quajtur “Projektet Energjetike në Kosovë”.

Shqetësimet e shoqërisë civile, të përfshira në këtë studim, shtrihen prej atyre ekonomike, gjatë procesit të privatizimit, e deri tek ato që kanë të bëjnë më ambientin.

Lidhur më këtë çështje, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, të enjten ka organizuar një konferencë për media, për të diskutuar çështjet e energjisë dhe shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile në studimin “Projektet Energjetike në Kosovë” .

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, tha se të gjitha projektet energjetike në Kosovë janë transparente.

Ai tha se synim i kësaj ministrie mbetet që Kosova të ketë energji të mjaftueshme, që ky sektor të jetë i qëndrueshëm, mos të ketë nevojë për mbështetje financiare nga buxheti i Kosovës dhe kujdes ndaj ambientit.

Dhe këto orientime na kanë mundësuar që të përgatisim disa hapa që janë në vijim; që deri në vitin 2017( ka qenë e paraparë 2014) të mbyllet “Kosova A”, të fillojë prodhimin termocentrali “Kosova e Re” të rehabilitohet “Kosova B”, të kemi një treg të hapur për blerjen e energjisë, të kemi të eliminuara të gjitha subvencionet, sektori të jetë i vetëqëndrueshëm, humbjet komerciale të arrijnë në nivel ndërkombëtar, ndërsa humbjet teknike të zvogëlohen deri në masën 11 për qind” tha Beqaj.

Por, këtë tryezë e kanë bojkotuar Instituti për Studime të Avancuara - “GAP”, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED dhe Forumi për Iniciativa Qytetare - FIQ, organizata këto që kishin hartuar studimin “Projektet Energjetike në Kosovë”.

Në një konferencë tjetër për media, përfaqësues të këtyre tri organizatave, kanë thënë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka organizuar tryezë për të diskutuar studimin e organizatave joqeveritare, por, pa i dhënë të drejtën autorëve të publikimit që ta mbrojnë studimin e tyre.

Krenar Gashi, nga Instituti “KIPRED”, e konsideroi absurde konferencën e Ministrisë se Zhvillimit Ekonomik.

Është absurde që në një takim të cilin e thërret MZHE, për të diskutuar punimin tonë, vetë agjenda dhe emri, titulli i kësaj konference është “Diskutim më shoqërinë Civile për studimin” –“Projektet Energjetike në Kosovë”. Janë tri organizatat që janë autore dhe botuese të këtij studimi dhe është absurde që ftohet një diskutim më shoqërinë civile dhe mos t’i jepet hapësirë autorëve të publikimit që ta prezantojnë këtë publikim”, tha Gashi.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, lidhur me këtë tha:

Nuk dëshirojmë që të mbajmë debate për konsum ditor. Dhe unë e ftoj edhe shoqërinë civile, që për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me aspektet e mirëfillta profesionale, dera është e hapur gjithmonë, në çdo moment, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, për të debatuar. Por, asnjëherë mos të merret ideja që shoqëria civile duhet të merr pjesë në vendimmarrje. Duhet t’i ndajmë rolet”, tha Beqaj.

Por, Agron Demi, drejtor në Institutin GAP, ripërsëriti parregullsitë që po ndodhin në sektorin energjetik.

Projektet energjetike në Kosovë prej fillimit e deri më tash janë jo-transparente. Dhe ne nuk kemi pranuar të diskutojmë pa u bërë publike të gjitha dokumentet e nevojshme që e përcjellin këtë proces. Ne si organizata joqeveritare kemi dëshmi të mjaftueshme, në bazë të kërkesave tona që kemi dërguar për të pasur qasje në këto dokumente, e për të cilat asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, tha Demi.

Studimi, “Projektet Energjetike në Kosovë ”, i publikuar më 7 shtator 2011, vë në pah shqetësimet lidhur me mënyrën e menaxhimit të projekteve energjetike në Kosovë, duke dhënë si argument shkeljet që kanë ndodhur gjatë këtij procesi, mostransparencën e qeverisë, papërgjegjësinë e institucioneve ndaj publikut dhe mosrespektimin e standardeve të brendshme të Bankës Botërore.

Por, pas 10 ditësh, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, kishte reaguar, duke e vlerësuar raportin joprofesional dhe të pabazuar në fakte.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG