Ndërlidhjet

Të sigurohet Zyra Administrative në veri të Mitrovicës


Pamje nga Mitrovica
Pamje nga Mitrovica
Fakti që në konkursin për punësim në Zyrën Administrative në veri të Mitrovicës janë paraqitur rreth 700 konkurrues, është mjaft inkurajues dhe tregon se ekziston përmirësim i situatës në veri të vendit, vlerëson eksperti i çështjes së sigurisë, Naim Maloku.

Ai thotë se ky fakt është një indikacion se në atë pjesë të vendit ka ndryshime lidhur me pikë-vështrimin ndaj realitetit të krijuar.

“Pikë së pari është shumë pozitiv e shpresëdhënës fakti se për disa vende pune aty, janë lajmëruar afër 700 serbë, në konkursin për t’u punësuar në atë zyrë. Vetë ky fakt është pozitiv dhe do të thotë se ka ndryshuar akceptimi i Kosovës dhe institucioneve të saj edhe te vetë serbët. Kjo është diçka pozitive edhe për Qeverinë e Kosovë edhe për EULEX-in”, thotë Maloku.

Në anën tjetër, Marko Jakshiq, njëri prej liderëve të serbëve në veri të Kosovës, e quan të panevojshëm instalimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës nga ana e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, serbët që jetojnë në veri të Mitrovicës, tashmë i kanë dy administrata, atë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe administratën, e cila ka dalë nga zgjedhjet lokale serbe.

Siç thotë Jakshiq, Zyrën Administrative të themeluar nga Qeveria e Kosovës, serbët nuk e duan.

Marko Jakshiq
Marko Jakshiq
“Mendoj se ky është më tepër një provokim, duke pasur parasysh që ende është në fuqi marrëveshja e Çoviqit me Shtajnerin. Kjo është një marrëveshje që Beogradi e ka nënshkruar me UNMIK-un dhe e cila është edhe sot në fuqi. Prandaj, mendoj se vendimi i Qeverisë në Prishtinë është jolegjitim dhe jolegal dhe nuk ka të drejtë që ta shembë një marrëveshje, e cila është nënshkruar rreth nëntë vjet më parë”, shprehet Jakshiq.

Ndryshe, përvoja nga e kaluara, siç është edhe me ekipin përgatitor të komunës në veri të Mitrovicës, ku disa nga serbët pjesëmarrës ishin tërhequr nga ekipi, për shkak të, siç thuhej, kërcënimeve, vë në pikëpyetje nëse të punësuarit serbë në Zyrën Administrative do t’u nënshtrohen sërish kërcënimeve.

I ashtuquajturi Shtab i krizës në veri të Kosovës, tashmë ka rekomanduar serbët që të mos konkurrojnë në Zyrën Administrative, të cilën Qeveria e Kosovës do ta instalojë në veri të Mitrovicës.

Në komunikatën për shtyp të këtij shtabi, qytetarëve serbë u është tërhequr vërejtja se kushdo që punësohet në Zyrën Administrative të Qeverisë së Kosovës, do të përgjigjet sipas ligjeve të Serbisë, gjegjësisht, do të dënohet sipas këtyre ligjeve.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk deshi të japë ndonjë përgjigje lidhur me atë se si do t’i sigurojë serbët që do të punojnë në Zyrën Administrative.

Ndryshe, Maloku thotë se mekanizmat e sigurisë në Kosovë, duhet të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë që qytetarët serbë që punësohen në këtë zyrë, të ndihen të pasigurt ose të kërcënuar.

Naim Maloku
Naim Maloku
“Sa i përket sigurisë atje, unë mendoj, se barrën më të madhe duhet ta ketë EULEX-i dhe njësitë e KFOR-it për sigurinë atje, të serbëve. Qeverisa e Kosovës, për momentin, nuk mundet ta marrë përgjegjësinë krejtësisht në duart e veta , e as Policia e Kosovës atje”, thekson Maloku.

Por, Jakshiq vlerëson se pavarësisht se cila do të jetë zgjedhja e serbëve, të punojnë ose jo në Zyrën Administrative, nuk do të ketë ndonjë kërcënim fizik ndaj tyre.

“Mendoj se serbët në veri të Kosovës, nuk do të bëjnë ndonjë veprim të dhunshëm fizik ndaj kujtdo qoftë që të ketë mendim tjetër politik nga ta”, thotë Jakshiq.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e cila është thënë se do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës, si dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit.

Zyra thuhet se do të sigurojë deri në 80 vende të reja pune dhe do të ketë një buxhet prej rreth 4 milionë eurosh në vit për shërbimet bazë për komunitetin dhe projektet e infrastrukturës në Mitrovicën e veriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG