Ndërlidhjet

Numri i të prekurve me kancer - në rritje


Qelizë kanceri
Qelizë kanceri
Dita Ndërkombëtare Kundër Kancerit, Kosovën e gjen me një numër mjaft të madh të të prekurve me këtë sëmundje, por jo me të dhëna të sakta se sa është numri i përgjithshëm i personave që vuajnë nga kanceri.

Sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, krahasuar me vitet paraprake, viti 2011 ka qenë një vit më i mirë sa i përket kushteve për këtë sëmundje.

Është formuar bordi shtetëror për kontrollin e kancerit me dy nënkomitete të tij, është hartuar fletëparaqitja e sëmundjeve malinje, si dhe gjatë tërë vitit është aplikuar kimioterapia në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

QKUK
QKUK
Faik Hoti, drejtor i Departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, jep më shumë hollësi:

“Kjo ditë Kosovën e gjen në një gjendje shumë më të mirë se vitet paraprake, jo në atë pozitë që do ta dëshironin edhe institucionet shëndetësore, edhe qytetarët, mirëpo me përmirësime të ndjeshme, që lidhen me aplikimin e plotë dhe finalizimin e projektit për aplikimin e kimioterapisë te personat e sëmurë nga kanceri, në sektorin publik”.

Onkologia Mejreme Krasniqi-Maloku, e cila njëherësh është e vetmja onkologe e licencuar për tërë Kosovën, thotë se duke u bazuar në punën e përditshme në Institutin Onkologjik, të Qendrës Klinike Universitare, numri i të prekurve me kancer është në rritje, edhe pse në mungesë të kancer- regjistrit, këto të dhëna nuk mund të jenë reale.
...vetëm gjatë janarit të këtij vitit, 1360 pacientë e kanë vizituar institutin, derisa te 1050 pacientë është aplikuar terapia.

“Është një numër relativisht i madh. Brenda ditës pacientët e vizituar gjatë vitit 2011, kanë qenë 10 mijë 800, dhe nga ta, te 8600 pacientë është aplikuar terapia onkologjike. Ndërkaq, vetëm gjatë janarit të këtij vitit, 1360 pacientë e kanë vizituar institutin, derisa te 1050 pacientë është aplikuar terapia. Pra, shihet që ka rritje”, bën të ditur Mejreme Krasniqi-Maloku.

Sipas Krasniqi-Malokut, sa i përket kushteve në këtë institut, ku edhe trajtohen pacientët e prekur me kancer, ato nuk janë në nivelin e dëshiruar. Por, ajo shton se krahasuar me vitet paraprake, në vitin 2011 ka pasur lëvizje pozitive.

“Sa i përket kushteve në këtë institut mungojnë hapësirat, por nëse bëjmë krahasimin me vitet paraprake ku është aplikuar kimioterapia, është një përmirësim i dukshëm, por që mungon inventari i domosdoshëm për realizimin e punës, po ashtu edhe stafi mjekësor mungon, dhe duhet rritur në mënyrë që t’i dilet në ballë këtij numri të pacientëve meqë është qendër referente për gjithë Kosovën”, shton Krasniqi-Maloku.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovë, Skender Syla, pohon se duke mos pasur në pozicion të dhëna të sakta statistikore, sa i përket sistemit të informimit shëndetësor, e në këtë kuadër edhe të personave të sëmurë me kancer, nuk mund të dihet saktë se me çka përballet Kosova. Por, ai shton se kjo sëmundje, edhe në nivelin global, është në trend të rritjes.

“Në Kosovë, viteve të fundit ka filluar trajtimi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe është një hap i mirë. Megjithatë, në këtë kuadër duhet të vazhdojnë edhe intervenime të tjera, si radioterapia. Por, kanë mbetur edhe disa aspekte tjera që duhet përmirësohen si ai i diagnostikimit të hershëm, në mënyrë që të fillojë edhe trajtimi i hershëm. Kjo do të shihej si diçka pozitive", thekson Syla.

E, sa i përket furnizimit me terapi për trajtimin e sëmundjes së kancerit, Mejreme Krasniqi- Maloku thotë se ka hapësirë për përmirësime, derisa shton se buxheti për barna i Ministrisë së Shëndetësisë, nuk e lejon mbulimin e qindtë për qindtë për trajtim të pacientëve.

“Terapia nuk i përmbush qind për qind të nevojave pa rritje të buxhetit në përgjithësi, e në veçanti, rritje të buxhetit për citostatikë. Janë në dispozicion 4 milionë euro, e që 4 milionë euro është vetëm gjysma e buxhetit që do t’i duhej vetëm Institutit Onkologjik për sigurimin e terapisë”, sqaron Krasniqi - Maloku.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja me kancer. Supozohet se në vitin 2020 kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në nivel global.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG