Ndërlidhjet

Një onkologe e licencuar ne tërë Kosovën


Qendra Kilinike Universitare e Kosovës
Qendra Kilinike Universitare e Kosovës
Numri i të prekurve me kancer është çdo dite në rritje, thonë zyrtarë shëndetësor. Por Kosova ka vetëm një onkolog. Kjo sipas tyre është e pamjaftueshme, dhe shumë e vështirë për t’i mbuluar kërkesat e pacientëve. Ndërkaq zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, thonë se tashmë shumë shpejt edhe 6 specializantë të cilët janë duke specializuar në lëmin e onkologjisë, do të punësohen në Qendrën Klinike Universitare.

Kosova ende nuk ka kancer regjistër. Por sipas zyrtarëve shëndetësor, numri i të prekurve me kancer është çdo ditë në rritje.

E në Kosovë është vetëm një onkologe me licencë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mungesa e stafit shëndetësor në institutin e onkologjisë, e bën shumë të vështirë punën me pacientë, ku gjatë ditës këtë institut e frekuentojnë rreth 100 pacientë.

Mejreme Krasniqi Maloku, onkologe, thotë se prej kur ka filluar punën instituti i onkologjisë, janë realizuar përafërsisht 6 mijë vizita ambulatore dhe janë aplikuar 4 mijë cikle të kimioterapisë.

Në institutin e onkologjisë ka mungesë të stafit shëndetësorë, unë jam e vetmja onkologe që punoj aty por kam edhe një mjek internist ndihmës. Meqenëse nuk kemi kancer regjistër, nuk e dimë numrin e saktë të të prekurve me kancer, por e dimë numrin e saktë te pacientëve që e frekuentojnë institutin e onkologjisë dhe numri i tyre është 100 pacientë gjatë ditës, derisa aplikim të kimioterapisë është 40 pacientë gjatë ditës. Nga fillimi i punës në këtë departament, janë realizuar përafërsisht 6 mijë vizita ambulatore dhe janë aplikuar 4 mijë cikle të kimioterapisë”, thotë Maloku.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se një onkologë për tërë Kosovën është shumë e pamjaftueshme.

Sipas tij, edhe 6 specializantë të cilët janë duke specializuar në lëmin e onkologjisë, pritet t’i bashkohen onkologes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Është e vërtetë që është një onkolog, por ekzistojnë edhe 3 radioterapeutë, ku së bashku me onkologun ofrojnë shërbimet e nevojshme. Ndërkohë janë edhe 6 mjekë në specializim, dhe me të mbaruar, pritet që ky ekip t’i bashkohen ekipit aktual”, shprehet Hoti.

Sa i përket terapisë për të prekurit me kancer, sipas zonjës Maloku, furnizimi me citostatikë është mjaft i mirë.

Sa i përket terapisë, mund të themi se jemi të kënaqur me furnizim pasi që rreth 70 për qind i mbulon nevojat e pacientëve”, bën të ditur ajo.

Por, zoti Hoti thekson se është e pamundur të mbulohen gjitha nevojat e pacientëve, duke e marrë parasysh buxhetin shumë të limituar të Ministrisë së Shëndetësisë.

Mbulimi me terapi është problematik, sepse buxheti është shumë i kufizuar. Ministria e Shëndetësisë ndan rreth 4.5 milion euro, derisa i gjithë buxheti është 18.5 milion euro për barna. Në listën esenciale janë 52 citostatikë, që mbulohen nga ministra. Jo çdo herë lista është e përmbushur në nivelin e kënaqshëm, për arsye se mjetet financiare nuk mjaftojnë, e numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi është shumë i madh”, thotë ai.

E Nafije Latifi, themeluese e shoqatës kundër kancerit të gjirit “Jeta- Vita”, thotë se
një onkolog për tërë Kosovën është shumë pak, por në institutin e onkologjisë bëhet shumë punë e madhe.

Aty bëhen vizitat falas, merret terapia falas. Tani është mënyrë më e mirë e organizuar e trajtimit dhe bëhet mbulimi i pacientëve me terapi nga Ministria e Shëndetësisë. Ka mbetur pak hapësirë për biznes sa i përket sëmundjes së kancerit për klinikat private, qoftë për kontrollime apo edhe për terapi”, thekson Latifi.

Sipas zonjës Latifi, në institutin e onkologjisë mungon aplikimi i radioterapisë, që lë hapësirë që pacientët tonë të udhëtojnë jashtë vendit për të kërkuar këtë shërbim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG