Ndërlidhjet

Përmbyllet protesta


Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje në Merdare
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:48 0:00
Video: Gresa Kraja



Pas më shumë se 12 orë qëndrimi në rrugë, lëvizja Vetëvendosje i dha fund protestës në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë, në veri të Prishtinës. Më herët ajo kishte shpallur të përfunduar protestën te Dheu i Bardhë, vendkalimi tjetër kufitar.

***

Protestuesit që janë mbledhur në rrugën magjistrale që çon në pikën kufitare në Merdare, vazhdojnë të qëndrojnë aty që nga ora 13 e së dielës, teksa lideri i Lëvizjes Vetëvendojse, Albin Kurti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe në orët në vijim, edhe në ditët në vijim, deri atëherë kur Qeveria e Kosovës do të thotë ‘tash do ta bëjë shtetin e dinjitetshëm, do ta mbrojë republikën’. Kufiri me Serbinë është ndërkombëtar, Serbia është shtet armik dhe nuk do të lejohet ndërhyja dhe hyrja e saj”, tha Kurti, që po qëndron me protestuesit në dalje të Podujevës.

Ekzekutivi i vendit, ndërkaq, në një deklaratë për media e ka quajtur protestën e Vetëvendosjes si politike dhe të panevojshme.

Qeveria ka theksuar se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, por “një gjë e tillë nuk mund të keqpërdorët nga askush dhe për asnjë qëllim”.

“Kjo protestë që është krejtësisht e panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, mirëpo Policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjes të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit.

Por, Albin Kurti, ka bërë të ditur se reciprociteti sot po zbatohet, meqë sipas tij nuk është lejuar që të hyjë nga Serbia asnjë kamion apo automjet i vogël me targa serbe.

Albin Kurti
Albin Kurti
​“Prej se ka filluar kjo protestë paqësore po zbatohet reciprociteti i plotë politike, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Për shkak se asnjë maune, asnjë makinë e Serbisë nuk po kalon. Pra, motoja jonë “Serbia nuk kalon” po zbatohet dhe Policia e Kosovës është ajo që nuk po na i sjellë maunet dhe veturat e Serbisë në brendi të territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti, subjekti parlamentar të cilin e drejton, ka bërë thirrje që të mbahen protestat që synojnë ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

Policia e Kosovës, e cila nuk ka lejuar afrimin e protestuesve në vendkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, raporton për situatë të qetë.

Zëdhënësi Baki Kelani konfirmoi se policia ka dërguar barrikada të hekurta për të mundësuar qarkullimin e lirë në njërën korsi.

Po ato barrikada janë vendosur vetëm për shkak të mundësisë së qarkullimit të lirë, sepse nga lëvizjet e qytetarëve nganjëherë po bllokohet edhe korsia tjetër e cila është e lirë, por nuk ka qëllim tjetër. Ato janë vendosur vetëm për sigurinë e protestuesve dhe automjeteve që po kalojnë në atë pjesë”, tha Kelani në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë Kelani tha se është informuar se Policia ka konfiskuar disa mjete logjistike, si tenda e reflektorë, të nevojshëm për mbarëvajtjen e protestës gjatë natës, afër vendkalimit kufitar te Dheu i Bardhë.

Ai tha se policia do të veprojë konform situatës dhe ligjeve në fuqi, por nuk ka pohuar e as mohuar mundësinë e kërkesës për shpërndarje të protestës.

Në lidhje me këtë, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka thënë se “Policia e Kosovës po e ndalon dhe pamundëson depërtimin e ushqimit dhe materialeve logjistike që janë esenciale për mirëqenien e protestuesve që po vazhdojnë të qëndrojnë atje”.

Në të njëjtën kohë, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes, Policia e Kosovës “po ushtron presion ndaj protestuesve duke i detyruar vozitësit e autobusëve që të afrohen tek protestuesit dhe t’i mbledhin ata nga vendi i protestës. Ata iu kanë dhënë vozitësve të autobusëve afat prej 20 minutave për t’u kthyer mbrapa me apo pa protestuesit”.

Po ashtu, njofton VV, edhe “afër vendit ku po protestohet në Merdare policia ka ndaluar furgonin që bartte drunj për ngrohje duke i konfiskuar drunjtë dhe duke e përcjellë vozitësin për në stacionin e policisë”.

“Policia kësaj radhe në vend të intervenimit po privon protestuesit nga gjërat elementare, si ushqim, pije dhe ngrohje, duke rrezikuar kështu shëndetin e të gjithë atyre që po vazhdojnë të qëndrojnë në protestë paqësore. E dënojmë këtë akt të dhunshëm”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.




Ndryshe gjatë ditës është raportuar se që nga fillimi i protestës, nga pika kufitare në Merdare, nuk ka hyrë asnjë automjet apo kamionë me targa të Serbisë.

Një kamion me tabela të Shkupit të Maqedonisë është lënë i lirë të kalojë nga ana e protestuesve.

Ndërkaq, nga rruga magjistrale që çon te Dheu i Bardhë, njoftohet se deri tash janë kthyer nga protestuesit disa automjete të vogla me tabela të shtetit serb.

Policia ka njoftuar se një person është arrestuar në afërsi të vendkalimit Dheu i Bardhë, për shkak se ka tentuar të heq tabelat serbe një makine në qarkullim.

Por, Policia ka bërë më dije se tetë kamionë kanë hyrë të dielën nga Serbia, por duke mos sakëtsuar kohën e hyrjes.

Në protestën e zhvilluar në dalje te Podujevës, ka qëndruar dhe ish-ambasadori i misionit verifikues të OSBE-së, Uilliam Uoker i cili ka thënë se ka ardhur që të shohë për së afërmi protestat për bllokimin e mallrave serbe në Kosovë, të cilat në javën e kaluar rezultuan me përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Kam ardhur sot për të parë protestat, për të parë reagimin e policisë ndaj protestuesve.
Kam ardhur sot për të parë protestat, për të parë reagimin e policisë ndaj protestuesve. I kam parë raportet për protestat e javës së kaluar ku qeveria tha se policia ka vepruar në mënyrë proporcionale, por Amnisty International dhe disa OJQ-të të tjera kanë mendime të tjera se çfarë ka ndodhur. Kështu që kam dëshiruar të vij dhe ta shoh vetë se çka po ndodh”, tha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Uilliam Uoker.

Uoker nuk ka komentuar vendimin e Vetëvendosjes që të organizojë protesta në rrugë për bllokimin e mallrave serbe, por është shfaqur skeptik në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës karshi Kuvendit të Kosovës.

Nuk i di detajet, e di që qeveria ia ka dalë të kthejë një akt parlamentar, dhe kjo më ngjall pak dyshimet. Por, frikësohem se nuk kam përgjigje të plotë në lidhje më këtë”, tha Uoker, i cili është shprehur se përderisa protestat janë paqësore, nuk sheh arsye pse duhet të kundërshtohen ato.

Kështu po ndodh në shumë pjesë të botës, bota po i mirëpret protestat publike në Siri, Libi, Egjipt, edhe këtu ka protesta, dhe nuk shoh pse duhet kundërshtuar këto protesta, përderisa ato janë paqësore”, tha Uoker.

Lëvizja Vetëvendosje nuk hoqi dorë nga protestat e 22 janarit në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura me Beogradin në kuadër të dialogut.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën “jokushtetues dhe të turpshëm” mocionin e së premtes dhe thanë se protestat e sotme synojnë mbrojtjen e republikës dhe prodhimit vendor.

Zhvillimet gjatë ditës: Protestë e qetë

Për më shumë informacione për protestën e 14 janarit, lexoni edhe këto:


Mbi 140 të arrestuar
BE: Protesta e VV, kundër parimeve evropiane
AI dënon forcën e policisë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG