Ndërlidhjet

Debat i nxehtë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian u ka shërbyer partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë që të shkëmbejnë kritika e akuza të ndërsjella në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Partia iniciuese e debatit, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes shefit të Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri, ka vlerësuar se qeverisja aktuale nuk është e aftë që ta çojë vendin drejt integrimeve evropiane, për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik dhe mungesës së aftësive të brendshme qeverisëse.

”Qeveri e dështuar në reformimin e administratës publike, me punësime pa kritere. Qeveri e rritjes së numrit të ministrive, 19 ministri, 6 zëvendëskryeministra, e numrin e zëvendësministrave këta e dinë sa është, por emrat nuk besoj se ua dinë as vetë. Qeveri ku ka ministra që punën në qeveri e kanë hobi e sport e sportin politikë. Me një qeveri të tillë, integrimi ynë evropian është iluzion”, ka thënë Beqiri.

Kritikave të LDK-së u është kundërpërgjigjur kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka thënë se përparimet e shënuara gjatë qeverisjes së tij, janë aq të dukshme saqë Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e liberalizimit të vizave.

Përmbushja e kritereve evropiane është top-prioritet i Qeverisë së Kosovës, ka thënë Thaçi.

”Vendosja e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në është objektivë kryesore e Kosovës dhe si të tilla i mirëpresim udhëzimet e Komisionit Evropian rreth procesit të liberalizimit të vizave dhe avancimit të raporteve tregtare me BE-në. Në fund të këtij viti, Kosova do të ketë një udhërrëfyes zyrtar nga ana e Komisionit Evropian, i cili obligim përcakton standarde dhe veprime të caktuara. Përmbushja e këtyre kritereve do t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së”, ka deklaruar Thaçi.

Një debat tejet i ashpër është zhvilluar më pas ndërmjet deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, dhe kryeministrit Thaçi.

Deputeti Gjini ka akuzuar kryeministrin si përgjegjës për mbrojtjen e personaliteteve që janë të dënuara apo janë nën hetime penale.

”Shokët e kryeministrit janë të dënuar për vepra penale - nuk po flas për ata që janë nën hetime se gjysma janë, por janë të dënuar dhe nuk shkojnë të vuajnë dënimin se nuk guxon askush t’i prekë dhe vazhdojnë të qeverisin”.

“Kryeministri i Kosovës, sot, mua - kryetar i Grupit Parlamentar - më ka thënë se do të kesh pasoja politike, legale dhe morale nëse vazhdon të flasësh. Po ju them tash unë juve - kur thotë publikisht kështu - paramendoni se çka iu bën ai të tjerëve me telefon e me sms (mesazhe telefonike)
”, ka thënë Gjini.

Kryeministri Thaçi i është kundërpërgjigjur Gjinit duke i thënë se akuzat e tij janë të ngjashme me fjalimet nëpër fushatat parazgjedhore.

“Ardian paske marrë tremë diçka, por asgjë nuk ka të bëjë me ju. Në debatin që ju e ngritët, unë ju kurseva dhe përsëri po ju kursej nga të këqijat e juaja”, i ka thënë Thaçi deputetit Gjini.


Akuza edhe për "strukturat paralele të inteligjencës"

Deputeti tjetër opozitar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, ka kthyer në debat një temë tjetër, atë të strukturave paralele të inteligjencës.

Ai ka thënë se dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, i mbajnë ende funksionale strukturat e tyre paralele, të cilat, sipas tij, paraqesin rrezik më të madh për sigurinë në Kosovë, sesa strukturat paralele serbe në veri, që mbështeten nga Beogradi zyrtar.

“Më vështirë është t’i luftosh këto struktura paralele të sigurisë të partive politike, sesa strukturat kriminale në veri. Në veri mund t’i luftojmë strukturat kriminale, sepse e kemi ndihmën e ndërkombëtarëve, e kemi unitetin kombëtar dhe të gjithë pajtohemi se duhet t’i luftojmë”.

“Këto struktura kriminale të partive do të jetë vështirë t’i luftojmë, sepse nuk e kemi mbështetjen ndërkombëtare dhe nuk e kemi unitetin kombëtar”
, është shprehur Krasniqi.

Ndaj deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes ka reaguar kryesisht LDK-ja, e cila e ka mohuar ekzistimin e shërbimit të saj paralel të inteligjencës.

Debati në Kuvend ishte iniciuar kryesisht për përmbajtjen e Raportit të Progresit, si një instrument matës i Komisionit Evropian për vendet që aspirojnë integrimet evropiane.

Megjithatë, përveç disa rekomandimeve për përmbushjen e kritereve të parapara në Raportin e Progresit, seanca kryesisht ka kaluar me replika e akuza të ndërsjella.

Lexoni edhe këtë:
S’ka datë për liberalizimin e vizave

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG