Ndërlidhjet

Dialogu për vizat - në fund të vitit


Bruksel
Bruksel
Dialogu për liberalizimin e vizave mes Kosovës dhe Komisionit Evropian do të nisë në fund të vitit, bëri të ditur kreu i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kaldun Sino, gjatë prezantimit të Raportit të Progresit për Kosovën.

“Fillimi i dialogut është një shenjë e mirë se ne po i njohim përpjekjet që janë bërë. Ne do të nisim dialogun për vizat kah fundi i vitit. Është vështirë të spekulohet se sa do të marrë kohë, por është me rëndësi për popullatën që të dijë se regjimi i lirë i vizave nuk fillon në dhjetor, por atëherë fillon dialogu”, tha Sino gjatë një konference për gazetarë në Prishtinë.

Një zotim tjetër i Komisionit Evropian për Kosovën është lidhja e marrëveshjeve tregtare me Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian po ashtu propozon që të nisë një dialog të strukturuar me Kosovën mbi sundimin e ligjit.

Komisioni ka vënë në pah edhe rëndësinë që Kosova të ketë një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun.

“Mesazhi ynë për veriun është se ‘ju duhet të merreni me veriun dhe këtë duhet ta bëni në një mënyrë gjithëpërfshirëse’. Nuk është e mjaftueshme që të krijohet struktura vetëm për komunat e reja. Mendoj se duhet parë forma se si të bëhet kjo në mënyrë politike, ekonomike dhe si të arrihet deri te njerëzit dhe të komunikohet me ta”.

“Ne do të jemi më shumë të përfshirë në veri, por nuk ka të bëjë me atë që sugjerohej nga mediat - si një administrim evropian i veriut”,
tha Sino.

Veriu është theksuar se ka paraqitur sfidë jo vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe për vetë misionin e EULEX-it. Në raport janë përmendur incidentet pas aksionit të qeverisë për të marrë kontrollin mbi pikat 1 dhe 31.

Në këtë kontekst, Komisioni Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të bëjnë më shumë në shtensionimin e situatës dhe t’i kthehen dialogut.

Po ashtu është theksuar se ndryshe nga serbët në jug të vendit, ata në veri kanë sfiduar institucionet vendëse dhe ndërkombëtare duke mos marrë pjesë as në zgjedhje dhe as në regjistrimin e popullsisë.

Në Raportin e Progresit për vitin 2011, ndër mangësitë që janë vënë në pah janë zgjedhjet e stërzgjatura dhe përsëritja e tyre. Komisioni Evropian thekson rëndësinë e dënimit të atyre që kanë bërë mashtrime në zgjedhje.

“Zgjedhjet e përgjithshme janë përcjellë me mangësi, përfshirë edhe pretendimet serioze për manipulime. Ata që kanë qenë të përfshirë, të përballen me drejtësinë, në mënyrë që të mos krijohet ndjenja e mosdëshkueshmërisë për manipulimet zgjedhore”, tha Sino.

Sa i përket punës së Kuvendit, Komisioni ka raportuar për një progres të kufizuar, por ka vënë në pah shqetësime në zbatimin e rregullave dhe procedurave të këtij institucioni.

Për Qeverinë, Komisioni ka raportuar një përparim të përzier, ndërsa si sfidë sërish ka paraqitur integrimin e komunitetit serb të veriut.

Sistemi i drejtësisë është vlerësuar më pozitivisht këtë herë dhe atributet kryesore i kanë shkuar Gjykatës Kushtetuese për shkak të marrjes së vendimeve të rëndësishme, me efekt të madh në institucione.

Por, Komisioni Evropian vëren se, megjithatë, sistemi i drejtësisë mbetet i dobët, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme në drejtësi dhe rrezikimit të pavarësisë dhe paanshmërisë.

Kosova është thënë se ka shënuar përparim në miratimin e legjislacionit kundër korrupsionit. Por, kjo çështje mbetet edhe më tej sfidë kryesore.

“Korrupsioni në Kosovë mbetet sfidë e madhe. Zbatimi i ligjeve dhe ndërtimi i kapaciteteve për të hetuar rastet korruptive, janë çështje themelore në të cilat duhet fokusuar”, tha zyrtari i Komisionit Evropian në Kosovë, Kaldun Sino.

Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit për vitin 2011, ka përsëritur si sfidë për Kosovën lirinë e shprehjes.

Fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve të administratës publike në njërën anë dhe i institucioneve të pavarura në anën tjetër, e në veçanti Ombudspersoni, janë të një rëndësie tepër të madhe, ka theksuar Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën.

Si çështje negative përmendet mosplotësimi i kushteve të marrëveshjes së ashtuquajtur Stand By me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si pasojë e së cilës, Fondi nuk i ka dhënë mjetet për asistencën makro-financiare.

Rrjedhimisht, as Komisioni Evropian nuk i ka bërë pagesat për këstet tjera të ndihmës makro-financiare që ka dhënë për Kosovën.


Kushte për Serbinë

Komisioni Evropian i ka rekomanduar Këshillit të BE-së që t’i japë statusin e kandidatit Serbisë, në kuptimin që Serbia të rikthehet në dialog me Kosovën dhe do të zbatojë me vullnet të mirë marrëveshjet e arritura deri më tash.

Këtë e ka konfirmuar komisionari për zgjerim, Shtefan Fyle, duke folur pas takimit të Komisionit, në të cilin janë miratuar edhe raportet vjetore të progresit për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.

Fyle, në konferencën për shtyp, ka pranuar se ka pasur qëllim që për Serbinë të rekomandojë jo vetëm dhënien e statusit të kandidatit, por edhe nisjen e negociatave, mirëpo ka thënë se atmosfera e krijuar pas ngjarjeve në veri të Kosovës, ka ndikuar që Komisioni të mos jetë në pozitë t’i propozojë të dyja këto gjëra për Serbinë.

Fyle ka thënë se Serbisë, si kusht për të nisur negociatat, i mbetet normalizimi i raporteve me Kosovën. Si kushte specifike në këtë rekomandim përmenden çështjet e lidhura me telekomin, njohjen e diplomave dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.

Komisioni Evropian po ashtu ka miratuar raportet e progresit edhe për vendet e tjera të rajonit, përfshirë dhe për Kosovën.

Raportet e progresit, sipas komisionarit Fyle, kanë shënuar një përparim në tërë rajonin e Ballkanit, ndërsa vendimet kryesore për këtë vit janë: konkludimi i negociatave me Kroacinë, dhënia e statusit të kandidatit përmes rekomandimit Serbisë, si dhe rekomandimi që edhe me Malin e Zi të nisin negociatat sa më parë që të jetë e mundur. (rel)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG