Ndërlidhjet

Kosova (s’)mund ta kushtëzojë Brukselin


Flamuri i Kosovës
Flamuri i Kosovës
Kosova nuk mund ta vë si kusht liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian brenda dialogut me Beogradin zyrtar, ngase liberalizimi i vizave është një proces teknik, për të cilin duhet punuar në nivele të tjera, vlerësuan autoritetet kosovare. Mirëpo, njohësit e integrimeve evropiane thanë se pasi t’i ketë përmbushur edhe disa kushte të tjera, pala kosovare do të mund ta kushtëzojë vazhdimin e dialogut me marrjen e udhërrëfyesit zyrtar për viza.


Edhe pse është përmendur si një nga kërkesat e ardhshme, të cilën ekipi kosovar do t’ia parashtrojë Brukselit zyrtar gjatë dialogut me Serbinë, përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse në Kosovë thanë se liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian nuk mund të ndërlidhet me procesin e bisedimeve.

Në fillim të këtij muaji Serbia hyri në bisedime me shpresën që gjatë procesit të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova vazhdon të mos figurojë në listën e bardhë Shengen dhe të mos njihet nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ofrimi i udhërrëfyesit për liberalizim vizash do ta relaksonte pozicionin e Prishtinës zyrtare në dialog, vlerësoi ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Bajram Rexhepi

Për të qenë dialogu serioz, sigurisht që edhe Kosova duhet të ketë një përfitim, por nuk hyn në atë pjesë. Ne, si ministri, duhet t’i përmbushim kushtet tona”, tha Rexhepi.

Megjithatë, ai tha se liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian është një çështje teknike. Rexhepi theksoi rëndësinë që pas përmbushjes së kritereve për marrjen e udhërrëfyesit zyrtar nga Komisioni Evropian, BE-ja duhet t’ia dërgojë Kosovës dokumentin në fjalë dhe të nisë dialogun për të parë se cilat kritere shtesë duhet përmbushur deri në përfundim të procesit.

“Kjo është në bazë të meritave se ne i kemi plotësuar kushtet dhe duhet ta marrim udhërrëfyesin për t’i përmbushur edhe kushtet e tjera që kërkohen për liberalizim”, theksoi Rexhepi.

Përfaqësues të Parlamentit Evropian ritheksuan, ditë më parë, se problemi i Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave ka të bëjë me qëndrimet kundërshtuese të disa shteteve evropiane ndaj përfshirjes së vendit në listën e bardhë Shengen.

Ata sugjeruan palën kosovare që të mos shpresojë që lehtësimi i regjimit të vizave të jetë një nga përfitimet eventuale të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Pikërisht pozicioni lehtësues i Brukselit zyrtar në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, sipas anëtarit të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Sabri Hamiti, është ai që ia pamundëson palës kosovare të ketë kërkesa konkrete që kanë të bëjnë me integrimin evropian të vendit.
Sabri Hamiti

Nëse Bashkimi Evropian merr rol të palës së tretë, e jo të lehtësuesit të bisedimeve, atëherë lind edhe e drejta e Kosovës që të kërkojë diçka nga Bashkimi Evropian në këtë treshe bisedimesh, por përderisa thuhet se bisedimet Kosovë - Serbi janë për çështje praktike, atëherë BE-ja nuk merr parasysh dëshirat që do t’i ketë Kosova”, u shpreh Hamiti.

Eksperti për çështje të integrimeve evropiane, Fatmir Curri, paralajmëroi vazhdimin e disavantazhit të palës kosovare karshi asaj serbe në dialog.

Megjithatë, Curri nuk përjashtoi mundësinë që Prishtina zyrtare ta kushtëzojë vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja me liberalizimin e vizave.

“Deri tani ajo çka kemi parë është se Beogradi në të gjitha rrafshet ka dalë fitues, e sidomos ka kushtëzuar fillimin e dialogut me Kosovën me pranimin e statusit të kandidatit për BE, që me siguri pritet të vijë kah fundi i vitit pas raporteve të Progresit. Këtë vit Kosova do të jetë në gjendje të dëshmojë progresin në katër shtyllat që lidhen me udhërrëfyesin dhe, pse jo, ta paraqesë si një nga kërkesat për të vazhduar ndoshta dialogu në fusha të tjera”,
tha Curri.

Lexoni edhe këto:
Rrugëtimi evropian me dialog
Dialogu mund t’i bllokojë proceset në Kosovë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG