Ndërlidhjet

Ligji i punës: Sa do të gjejë zbatim?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Disa orë para shpërndarjes, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e punës, i cili, tash e sa kohë, ka qenë temë mjaft e përfolur.

Xhafer Xhaferi, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), vlerëson se ky është lajmi i vetëm i mirë për punëtorët dhe Kosovën, në kohën kur, siç thotë ai, ka rënë Qeveria dhe është shpërndarë Kuvendi.
Miratimi i Ligjit të punës është një moment me rëndësi në realizimin e kërkesave të vazhdueshme të punonjësve...

“Miratimi i Ligjit të punës është një moment me rëndësi në realizimin e kërkesave të vazhdueshme të punonjësve dhe qytetarëve të Kosovës, të artikuluara edhe përmes Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës”.

“Tani kemi shansin që, përveç këtij ligji, të vendoset një rregull në punë dhe në procesin e punësimit në përgjithësi, ndonëse punonjësit do të kenë edhe shumë halle, shumë probleme, derisa ky ligj, por edhe të tjerët të gjejnë realizimin e mirëfilltë të tyre”,
thotë Xhaferi.

Por, Ali Dragusha, përfaqësues i Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës (KSLK), e konsideron të vonuar miratimin e këtij ligji. Ai shfaq drojën se miratimi në këtë kohë ka prapavijë politike.
Ne dyshojmë se ka një prapavijë politike, duke pasur parasysh situatën e brishtë politike dhe duke ditur se në çfarë pozicioni janë institucionet e Kosovës...

Është një miratim shumë i vonuar. Ne dyshojmë se ka një prapavijë politike, duke pasur parasysh situatën e brishtë politike dhe duke ditur se në çfarë pozicioni janë institucionet e Kosovës. Po ashtu, dihet që edhe zgjedhjet do të mbahen këtë vit”.

“Thjesht, kemi drojën se nuk do të implementohet ashtu siç është fuqizuar, duke pasur parasysh përvojat që kemi nga kontrata e përgjithshme kolektive, e cila asnjëherë nuk ka pasur fatin që të zbatohet”,
thotë Dragusha.

Disa punëtorë të kompanive të ndryshme shpresojnë se me miratimin e Ligjit të punës, do të definohen qartësisht edhe të drejtat e tyre.

Ramadan Berisha, punëtor në kompaninë “Dërvisholli”, pret që Ligji i punës t’u sigurojë punëtorëve të drejtat elementare.

S’ka pasur ligj deri më tash. Tash do t’i kërkojmë (të drejtat) dhe besojmë se do të na i japin... sigurimin, trustin pensional dhe këto... të kemi diçka, ndonjë të drejtë”, shprehet ai.

Ngjashëm thotë edhe punëtori Alban Dakaj:

“Për momentin nuk jam i siguruar, por në të ardhmen po. Me ligjin, shpresojmë që të gjithë punëtorët, e të gjitha firmave, kudo që janë, do të jenë të siguruar”.

Por, Agron Osmani, punëtor në kompaninë “Dekoral”, shprehet skeptik sa i përket zbatimit të Ligjit të punës.

“Presim se do të përmirësohet gjendja, por... nuk di. Prapë, nuk po besojmë... Deri më tash, katastrofë”,
thotë ai.

Sindikalisti Ali Dragusha (KSLK), miratimin e Ligjit të punës në aspektin formal e vlerëson si lëvizje pozitive, por edhe ai shpreh dyshime sa i përket aspektit esencial dhe zbatimit të tij.

“Jemi skeptikë... Ende nuk e dimë se a kanë shkuar propozimet tona, që ne i kemi dhënë si Konfederatë e Sindikatave të Lira të Kosovës. Nuk e dimë se a është marrë parasysh ndonjë prej atyre 26 pikave që ne i kemi dhënë”, thotë ai.

Por, Xhafer Xhaferi, nga BSPK-ja, shpreh bindjen se miratimi i Ligjit të punës do të sjellë rregull.

“Normalisht, ky ligj i miratuar nuk është ndër më të mirët. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi pasur shumë kërkesa e që nuk kanë shkuar. Ende nuk i kemi të gjitha amendamentet që përfshijnë një pjesë të kërkesave tona”.

“Në momentin që ta kemi ligjin e spastruar, do ta kemi pasqyrën e plotë se çka është përfshirë nga kërkesat tona”,
deklaron Xhaferi.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kishte paralajmëruar se nëse gjatë këtij viti, Kuvendi i Kosovës nuk miraton Ligjin e punës, BSPK-ja do të shikojë mundësitë për bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG