Ndërlidhjet

Rrezikohet pjesëmarrja në zgjedhje?!


Punëtorët kosovarë, jo rrallëherë, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre edhe përmes protestave. (Foto arkivi)
Punëtorët kosovarë, jo rrallëherë, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre edhe përmes protestave. (Foto arkivi)

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka paralajmëruar se nëse gjatë këtij viti, Kuvendi i Kosovës nuk miraton Ligjin e punës, BSPK-ja do të shikojë mundësitë për bojkotimin e zgjedhjeve.



Projektligji i punës, i cili është miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës, është bërë temë diskutimi për sindikatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Haxhi Arifi, udhëheqës i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në një konferencë për media paralajmëroi se nëse autoritetet përgjegjëse nuk merren më seriozisht me problemin e punëtorëve, këta të fundit mund t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme.

“Punëtoria sigurisht që do ta thotë fjalën e vet edhe në zgjedhje. Kësaj radhe, sigurisht që nuk do t’i falim. Kësaj radhe, punëtoria e Kosovës do të jetë më shumë syçelë. Nëse edhe kësaj radhe vazhdohet me këtë mosrespektim të marrëveshjeve, atëherë të jenë të bindur se BSPK-ja do të mendojë edhe bojkotimin e zgjedhjeve”, tha Arifi.

Pavarësisht situatës së krijuar politike në vend, Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, kërkoi nga autoritetet që të kenë parasysh Projektligjin e punës.

Edhe pse është ende e paqartë se kur do të mbahen zgjedhjet, Syla tha se nuk do të ketë proces të mirëfilltë zgjedhor nëse nuk respektohet punëtoria kosovare.

“Unë do të ndalem në seancën e 28 tetorit që do të mbahet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Do të apeloj te të gjithë ata parlamentarë, të cilët mendojnë se do të marrin votën, se kësaj radhe nuk do të ketë votime të mira, nëse nuk do të përfillet punëtoria kosovare”.

“Këtu unë nuk ndalem vetëm te punëtorët shëndetësorë, por edhe te të papunët, edhe tek ata që i kanë humbur vendet e punës...”,
u shpreh Syla.

Sipas Haxhi Arifit, nga BSPK-ja, përveç mosgatishmërisë së institucioneve, arsye tjetër për zvarritjen e miratimit të Ligjit të punës, janë problemet që paraqiten në sektorin privat.

“...përveç këtyre që numërova, është edhe sektori individual - është një diçka që në këto momente i kushton shumë Kosovës, sepse atje nuk paguhet tatimi. Mandej, ne kemi vështirësi që të kemi qasje në atë sektor, që të vëmë rregull, sepse pa një ligj të tillë, nuk mund të kemi qasje”, tha Arifi.

Nazif Shala është menaxher në një zyrë të patundshmërisë në Prishtinë. Ai shprehet i gatshëm për t’i respektuar rregullat që dalin nga Ligji i punës.

“Nuk mund të kesh një shtet të mirëfilltë juridik, pa qenë çdo gjë në binarë të duhur - në mesin e tyre edhe Ligji i Punës”, u shpreh ai.

Kalimi eventual i mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë aktuale do të mund të shtynte miratimin e këtij ligji për legjislaturën tjetër.

Projektligji i punës është hartuar që në vitin 2004. Ai është kthyer disa herë nga Kuvendi për rihartim dhe plotësim të disa amendamenteve.

Lexoni edhe këtë: Ligji i punës, ende problematik

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG