Ndërlidhjet

Ligji i punës, ende problematik


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Kosovë ende po vazhdojnë diskutimet rreth Ligjit të punës, i cili tashmë është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës. Sipas përfaqësuesve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe organizatave joqeveritare, moszbatimi i këtij ligji ka bërë që punëtorët kosovarë, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, të ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet.


Ligji i punës, i cili është miratuar në parim në muajin qershor nga Kuvendi i Kosovës, është bërë temë diskutimi për sindikatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe të shoqërisë civile.

Autoritetet kompetente që nga viti 2004 kanë hartuar projektligjin e punës dhe deri më tani ky ligj është kthyer shtatë herë nga Kuvendi, për rihartim dhe plotësim të disa amendamenteve.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës vazhdimisht ka paraqitur vërejtje për këtë ligj.

Ndue Kalaj, nga kjo sindikatë, thotë se përmirësimi i disa amendamenteve dhe miratimi i Ligjit të punës nga Kuvendi i Kosovës është i domosdoshëm, sepse mungesa e këtij ligji, ka bërë që punëtorët kosovarë të ballafaqohen me probleme nga më të ndryshme.

Duke e quajtur Ligjin e punës, Kushtetutë të punëtorëve, Ndue Kalaj thekson se mungesa e tij, ka bërë që të drejtat e punëtorëve të shkelen në mënyrë drastike, si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat.

“Ligji i punës është shumë i nevojshëm. Ju keni parë raste se çfarë pësojnë njerëzit në industri, në këto ndërmarrje; vriten, lëndohen nuk i kanë kushtet e punës. Nuk është e siguruar mbrojtja dhe siguria në punë e të punësuarave, që është një prej elementeve themelore të punëtorëve, sepse nëse nuk ke siguri dhe mbrojtje në punë, atëherë nuk ke kurrgjë”, thotë Kalaj.

Ndryshe, vërejtjet më të mëdha për këtë ligj, sindikatat dhe përfaqësues të shoqërisë civili kanë paraqitur për pushimin e lehonisë. Sipas këtij ligji, parashihet që pushimi i lehonisë të zgjasë 12 javë, me mundësi vazhdimi për një muaj tjetër.

Organizatat joqeveritare kanë kërkuar që ky pushim të zgjasë jo 12 javë, por deri në 12 muaj.

Edhe Shqipe Pantina, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Politikë dhe Avokim, tregon mangësitë në këtë ligj që kanë të bëjnë me pushimin e lehonisë.

“Po ashtu, vërejtja jonë ka të bëjë me nenin që e rregullon pushimin e lehonisë, i cili në opinionin tonë është i papranueshëm, nëse ne tentojmë të krijojmë një shoqëri ku femra do të ketë një vend meritor”, thekson Pantina.

Zyrtarë qeveritarë tashmë kanë deklaruar se kostoja e lartë për zbatim, ka ndikuar në mosmiratimin e këtij ligji. Por, Nduke Kalaj, nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, nuk beson në këto deklarata.

“Nuk është te mungesa materiale, sepse FMN-ja dhe Banka Botërore u kanë premtuar këtyre (Qeverisë) një shumë të caktuar dhe këtë e kanë pranuar”.

“Nuk është çështja se nuk mund të gjenden fonde, edhe nëse nuk gjenden fonde në tërësi për zbatimin e ligjit, ka mundësi për disa të drejta, të cilat i realizojnë të punësuarit në Maqedoni, Mal të Zi, në Serbi, e të mos flasim për Evropë, që ne nuk i kemi”,
shprehet Kalaj.

Sidoqoftë, nga 14 milionë euro, sa ishte thënë se do të kushtojë fillimisht zbatimi i këtij ligji, vitin e kaluar kjo shumë ka rënë në 6 milion euro, ndërsa zyrtarë të lartë qeveritarë tashmë kanë deklaruar se kostoja përfundimtare e këtij ligji do të jetë rreth 1.8 milion euro dhe është pjesë e paketës fiskale të diskutuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG