Ndoshta nuk janë zgjedhjet më të përfolura gjatë këtij viti, por zgjedhjet parlamentare në Sllovaki, të caktuara për 30 shtator, mund të kenë jehonë përtej këtij shteti të vogël të Evropës Qendrore.
Nëse është për t'iu besuar sondazheve, ka një shans të mirë që Partia populiste e krahut të majtë e Roberto Ficos, Drejtimi Social Demokrat (Smer), të kthehet në pushtet.
Fico kishte qenë kryeministër nga viti 2006 deri më 2010, dhe më pas nga viti 2012 deri më 2018. Një rikthim i partisë së tij do të kishte ndikim të konsiderueshëm në politikat perëndimore, veçanërisht sa i përket Ukrainës.
Gjatë fushatës zgjedhore, Fico ka përjashtuar mundësinë e dërgesave të reja të armëve sllovake për fqinjin e saj lindor, ka kundërshtuar sanksionet e reja të BE-së ndaj Rusisë, ka vënë në pikëpyetje mundësinë që Ukraina t’i bashkohet NATO-s dhe ka përsëritur qëndrimin e Kremlinit se NATO ka shkaktuar luftën dhe ka thënë se lufta nisi pasi “nazistët ukrainas dhe fashistët nisën të vrisnin qytetarë rusë në Donbas dhe Luhansk”.
SHIKONI EDHE: Sllovakia i lejon nëntë qytetarë të vet t’i bashkohen ushtrisë ukrainaseQëndrimi i Ficos për këto çështje është i afërt me qëndrimin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, dhe, sipas Dominika Hajdu nga instituti Globsec, me seli në Bratisllavë, “kjo ka potencial të shkatërrojë edhe më shumë unitetin e BE-së dhe NATO-s kur bëhet fjalë për mbështetjen për Ukrainën, sepse përveç Hungarisë, do të kishte edhe një shtet tjetër në Evropën Qendrore që do të vinte në dyshim dhe ndoshta edhe do të kundërshtonte disa vendime sa i përket mbështetjes së Ukrainës”.
Për të kuptuar më mirë zhvillimet e fundit politike në Sllovaki, duhet të kthehemi në vitin 2018. Që atëherë, ky shtet ka pasur pesë kryeministra të ndryshëm. Po atë vit, Sllovakia u përball me protestat më të mëdha që nga Revolucioni i Kadifenjtë i vitit 1989. Protestat më 2018 u nxitën pas vrasjes së gazetarit hulumtues, Jan Kuciak, dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova. Fico dha dorëheqje dhe aleati i tij politik, Peter Pellegrini, mori postin e kryeministrit. Por, më pas ai doli nga partia Smer, dhe formoi partinë e tij të qendrës së djathtë, të quajtur Hlas (shqip: Zëri).
E fuqizuar nga pakënaqësia e përgjithshme e popullatës, lëvizja e qendrës së djathtë kundër establishmentit, Lëvizja e Njerëzve të Thjeshtë dhe Personaliteteve të Pavarura (OLaNO) doli e para në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020, duke fituar 25 për qind të votave.
Kjo lëvizje garoi me një platformë kundër korrupsionit dhe më pas formoi një Qeveri në të cilën morën pjesë parti të ndryshme, përfshirë liberalët, nacionalistët dhe kristiandemokratët.
Qeveria e re, e udhëhequr nga Igor Matoviq, u përball me kritika lidhur me mënyrën e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit, dhe më pas edhe për rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionit dyshifror pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022.
SHIKONI EDHE: Sllovakia vendos ndalesë në importet e grurit ukrainasKoalicioni qeverisës, po ashtu, u përball me luftë të vazhdueshme të brendshme, që çoi në largimin e Matoviqit, dhe në vend të tij më 2021 erdhi Eduard Heger. Më pas, Partia liberale Liria dhe Solidariteti (SASKA) u largua nga koalicioni qeverisës, duke çuar në rrëzimin e Qeverisë së Hegerit, që nuk i mbijetoi votës së mosbesimit. Rrëzimi i Qeverisë i hapi rrugën zgjedhjeve të reja dhe aktualisht Qeveria në detyrë po udhëhiqet nga Ludovit Odor.
Rënia e OLaNO-s ka qenë aq spektakolare, sa që duket se partia nuk do të arrijë të fitojë as 7 për qind, sa është pragu për t’u futur në Parlament për koalicionet me dy ose tre parti. Pragu zgjedhor është 5 për qind për partitë që garojnë të vetme. Smer pritet të dalë partia e parë me rreth 22 për qind të votave (kjo parti fitoi 18 për qind të votave në zgjedhjet e vitit 2020), përqindje që do të përkthehej në rreth 40 vende në Parlament. Me 76 vendet që kërkohen për të formuar shumicën, kërkohen partnerë të koalicionit.
Partia Republika, e krahut të djathtë, që sipas sondazheve pritet të fitojë 8 për qind të votave, besohet gjerësisht se është shumë ekstreme dhe shumë e papërshtatshme për të qeverisur bashkë me të, por në Sllovaki ka edhe parti të tjera nacionaliste që kanë qëndrim të butë ndaj Moskës, me të cilat Smer do të mund të formonte koalicionin qeverisës.
Përderisa Fico po konsiderohet favorit, nuk mund të përjashtohet mundësia që Sllovakia Progresive të ketë rritje të mbështetjes në fund. Kjo është një parti liberale që aktualisht pritet të fitojë rreth 30 vende në Parlament. Ky subjekt pritet të marrë pjesën më të madhe të votave properëndimore që OLaNO kishte dikur.
SHIKONI EDHE: Sllovakia ndryshon Kushtetutën për të mundësuar zgjedhjet e parakohshmeLideri i partisë Sllovakia Progresive, Michal Simecka, është njëri prej nënpresidentëve të Parlamentit Evropian, dhe është nipi i disidentit të famshëm komunist çekosllovak, Milan Simecka.
Çështja kryesore është nëse Simecka do të mund të formonte një koalicion të qëndrueshëm. Partia kyçe për formimin e një koalicioni duket se është partia Zëri – aktualisht e radhitur e treta pas Sllovakisë Progresive – dhe udhëheqësi i kësaj partie është Peter Pellegrini.
Sipas Grigorij Meseznikov nga Instituti për Çështje Publike, me seli në Sllovaki, partia Zëri “është fytyra njerëzore e Smerit” dhe ka qëndrime më të buta sa i përket Ukrainës. Shumica e anëtarëve të kësaj partie vijnë nga partia e Ficos, tha Meseznikov, përderisa Pellegrini dhe Fico, sipas tij, “kanë raporte shumë të këqija me njëri-tjetrin”. Pozicioni i Pellegrinit “në parti do të ishte i lëkundur nëse shumica e anëtarëve të partisë pas zgjedhjeve do të preferonin një koalicion me Smerin”.
Qëndrimi i kalibruar pro-rus i Ficos është i kuptueshëm, kur shikohet sentimenti në shoqërinë sllovake, që është dukshëm i ndryshëm në krahasim me fqinjët, Poloninë dhe Republikën Çeke. Një studim i kryer nga Globsec në fillim të këtij viti vuri në pah se 69 për qind e të anketuarve sllovakë u pajtuan se duke i ofruar pajisje ushtarake Ukrainës, Sllovakia po provokon Rusinë dhe po i afrohet luftës. Vetëm 58 për qind u deklaruan se do të votonin që shteti të qëndronte në NATO.
SHIKONI EDHE: Sllovakia ia dërgon Ukrainës katër avionët e parë luftarakë MiG-29Nikoleta Nemeckayova, analiste politike në institutin AMO, me seli në Pragë, e cila ka hulumtuar qëndrimin e partive politike sllovake ndaj Rusisë, tha për Radion Evropa e Lirë se “Kremlini nuk duhet të bëjë asnjë përpjekje për të ndikuar në opinionin publik dhe gjithashtu në rezultatet zgjedhore. Kështu që ajo që po shohim nuk janë fushata të ndikimit që vijnë nga Rusia, por janë partitë sllovake që po tentojnë të shfrytëzojnë sentimentin aktual në Sllovaki, ku përfshihet edhe sentimenti pozitiv ndaj Rusisë, në mënyrë që të fitojnë zgjedhjet”.
Nemeckayova shpjegoi se sentimenti pozitiv ndaj Rusisë që gjendet në segmentet e shoqërisë sllovake vjen nga një sërë burimesh: nostalgjia për të kaluarën komuniste të shtetit; zhgënjimi me jetën në Bashkimin Evropian; por edhe arsye historike, sikurse përpjekjet për të krijuar një identitet të ndarë kombëtar sllovak në perandorinë multikulturore të Habsburgut në shekullin e 19-të, që ishte e lidhur “me Rusinë përmes pan-sllavizmit”. Rusia, tha ajo, atëherë shihej si “një vëlla i madh në lindje që mund të çlironte shtetin nga nënshtrimi ndaj Austro-Hungarisë.
Po ashtu, mund të ndodhë që Fico të vendosë, nëse fiton, që të zbusë retorikën e tij antiperëndimore. Kur më herët ka shërbyer si kryeministër, ai kishte bërë pikërisht këtë. Për shembull, ai i kishte miratuar sanksionet kundër Rusisë për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë më 2014, dhe kishte kritikuar politikën e jashtme të Kremlinit para elektoratit brenda vendit të tij.
SHIKONI EDHE: Sllovakia, Hungaria s’i mbështesin sanksionet mbi energjinë ruseNjë aleancë e mundshme me Zërin, po ashtu, do të mund ta zbuste politikën e jashtme të Ficos, ndërsa ka pasur biseda dhe mendime në mesin e diplomatëve sllovakë se Mirosllav Lajçak – aktualisht i dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor – mund të emërohet ministër i Jashtëm.
Megjithatë, duket se rikthimi i Smerit në pushtet do ta afronte vendin më pranë Hungarisë së Orbanit, edhe për çështjet sikurse të drejtat e komunitetit LGBT apo edhe për migrimin, edhe pse Fico asnjëherë s’ka qenë aq ambicioz sa Orbani, dhe të thotë se dëshiron të krijojë një “demokraci joliberale”.
Një shqetësim tjetër është se nëse Smer është në pushtet, kjo parti do të mund të tentojë që të dobësojë sistemin gjyqësor të shtetit, dhe deri në një masë të parandalojë shkuarjen e Ficos në burg.
Më 2022, një prokuror special sllovak hetoi pretendimet se Fico kishte përdorur të dhënat konfidenciale tatimore dhe policore kundër kundërshtarëve politikë. Po atë vit, Parlamenti sllovak nuk arriti t’ia hiqte imunitetin Ficos nga ndjekja penale, që sipas ligjit, çdo deputet e gëzon.
Ish-kryeministri sllovak, po ashtu, ka kërcënuar se do të shkarkojë hetuesit e Agjencisë Kombëtare kundër Kriminalitetit, nëse i jepet mundësia.