Ndërlidhjet

Sllovakia vendos ndalesë në importet e grurit ukrainas


Zonë me grurë në Zaporizhja të Ukrainës. Fotografi nga arkivi.
Zonë me grurë në Zaporizhja të Ukrainës. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Sllovakisë e ka miratuar të hënën një ndalesë në importet e grurit ukrainas dhe produkteve tjera ushqimore, pas një vendimi të ngjashëm të Polonisë dhe Hungarisë në fundjavë.

Eksportet e grurit ukrainas kanë kaluar transit në Bashkimin Evropian dhe shtetet tjera, prej kur rrugët tradicionale në Detin e Zi janë bllokuar, si pasojë e luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë.

Mirëpo, për shkak të arsyeve logjistike, gruri është magazinuar dhe ka ndikuar në ulje të çmimeve.

Krejt kjo situatë ka nxitur protesta të bujqve lokalë, të cilët kanë përmendur edhe shqetësimet për sigurinë.

“Sot, Qeveria e ka miratuar propozimin për të ndaluar importimin e disa produkteve bujqësore, dhe produkteve tjera ushqimore nga Ukraina”, ka thënë ministri sllovak i Bujqësisë, Samuel Vlcan, para gazetarëve.

Ai ka thënë se ndalesa, e cila do të hyjë në fuqi të mërkurën, synon të mbrojë bujqit lokalë, si dhe shëndetin e konsumatorëve.

Javën e kaluar, ministria ka thënë se e ka analizuar një mostër të grurit ukrainas dhe ka vërejtur “prezencë të një pesticidi, i cili nuk është i autorizuar për përdorim në Bashkimin Evropian dhe mund të ketë ndikim negativ në shëndetin e njeriut”.

Ndalesa do të zbatohet për disa ushqime si: gruri, sheqeri, pemët, perimet, verërat dhe mjalti.

Vlcan ka theksuar se ndalesa nuk do të zbatohet për produktet ukrainase që kalojnë nga Sllovakia për në tregjet e palëve të treta.

Edhe shtetet tjera të BE-së, Polonia dhe Hungaria, kanë vënë ndalesa të njëjta.

Komisioni Evropian i ka kundërshtuar këto ndalesa, dhe ka thënë se nuk u takon shteteve anëtare që individualisht të bëjnë politika tregtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG