Ndërlidhjet

Duke i ndihmuar ekonomisë ukrainase, BE-ja e ka harruar të sajën


Bujqit polakë shihen duke bllokuar rrugën me traktorë gjatë një proteste në veriperëndim të Polonisë.
Bujqit polakë shihen duke bllokuar rrugën me traktorë gjatë një proteste në veriperëndim të Polonisë.

Bujqit e qytetit bullgar Ruse, e kanë bllokuar rrugën kryesore që e lidh me Rumaninë, javën e kaluar, duke e pamundësuar kalimin në urën kryesore mbi Danub.

Me mbishkrimet “Ndaleni gjenocidin në bujqësi” dhe “Ne duhet të jemi konkurrentë”, bujqit bullgarë ka thënë se rreth 40 për qind e të korrave të tyre nga viti i kaluar – kryesisht grurë dhe luledielli – kanë mbetur të pashitura.

Për pasojë, teprica e mbetur ua ka zënë vendin dhe nuk kanë më hapësirë për korrjet e këtij viti.

Arsyeja?

Gruri i lirë ukrainas, dhe produktet tjera që e kanë vërshuar tregun, për të cilat Bashkimi Evropian ka aplikuar lehtësira doganore, me qëllim që t’i ndihmojë ekonomisë ukrainase, pas shpërthimit të luftës në atë shtet.

Bujqit bullgarë nuk janë të vetmit që shqetësohen, pasi protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në Rumani e Bullgari.

Prandaj, presioni ndaj liderëve të BE-së sa shkon e rritet, pasi disa bujq kanë shkuar aq larg, sa kanë sugjeruar që importet e produkteve bujqësore ukrainase, duhet të ndalohen.

Por kjo nuk do të thotë që bujqit evropianë nuk kanë simpati për homologët e tyre ukrainas.

Daniela Dimitrova, lidere rajonale e Sindikatës së Prodhuesve të Grurit në Bullgari, ka thënë për agjencinë e lajmeve AP se “ne solidarizohemi me Evropën dhe mbështetjen e saj për Ukrainën”, e cila dikur është konsideruar shporta ushqimore e Bashkimit Sovjetik.

Mirëpo, ajo ka thënë se, “Komisioni Evropian duhet t’i kushtojë vëmendje secilit vend anëtar dhe t’i bëjë bujqit më konkurrues në tregje”.

Bujqit në Bullgari, të cilët rrisin luledielli - një prej produkteve që eksporton më së shumti ky shtet – kanë thënë se nuk mund të garojnë me valën gjigante të mallrave ukrainase në tregje.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Todor Dzhikov, ka thënë së fundi për Radion Kombëtare të Bullgarisë se në vitin 2021 janë importuar 20.000 tonë luledielli nga Ukraina në Bullgari.

Më 2022, janë importuar rreth 900.000 tonë, çka ka ndikuar në rënie të çmimeve të produkteve vendore për gati 50 për qind, ka raportuar e përditshmja Politico.

Bujqit duke e bllokuar urën mbi lumin Danub, në mes të Bullgarisë dhe Rumanisë.
Bujqit duke e bllokuar urën mbi lumin Danub, në mes të Bullgarisë dhe Rumanisë.

Kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, më 24 shkurt 2022, ushtria e saj i ka bllokuar, ose pushtuar, portet ukrainase në Detin e Zi, duke e pamundësuar eksportimin e grurit dhe produkteve tjera përmes detit.

Para luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila synon t’i bashkohet BE-së, ky shtet e ka siguruar 42 për qind të vajit të lulediellit që i është nevojitur botës, 15 për qind të misrit dhe 9 për qind të drithit, sipas të dhënave të Organizatës së BE-së për Ushqim.

Shtete të tëra, sidomos në Lindje të Mesme dhe Afrikë, varen nga importimi i këtyre produkteve ukrainase.

Me porte të bllokuara dhe shumë mundësi të kufizuara, rreth 20 milionë metra tonë të grurit kanë mbetur në Ukrainë më 2022, para nisjes së sezonit të verës dhe para korrjeve të reja.

Për t’u përballur me këtë krizë, Komisioni Evropian, trupi ekzekutiv i BE-së, ka propozuar më 27 prill 2022 që të pezullojë për një vit të gjitha tarifat dhe kuotat në eksportet e mallrave ukrainase, përfshirë ato bujqësore.

Më pas, në maj të vitit 2022, Komisioni Evropian ka lansuar Planin e Veprimit të Solidaritetit, i cili mëtonte krijimin e rrugëve alternative për grurin ukrainas, përkatësisht krijimin e transitit nëpër vendet e BE-së.

Më vonë, shtetet fqinje sikurse Polonia, Rumania, Sllovakia, Moldavia, Hungaria dhe Bullgaria, janë bërë vende kyçe për t’i ndihmuar ekonomisë ukrainase dhe bujqve të këtij vendi.

Moment tjetër me rëndësi është shënuar më 22 korrik 2022.

Atë ditë, Turqia dhe Kombet e Bashkuara e kanë ndërmjetësuar një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës për të krijuar një korridor humanitar në Detin e Zi.

Prej atëherë, më shumë se 900 anije të mbushura me grurë dhe produkte tjera ushqimore, janë nisur nga portet ukrainase në Detin e Zi.

Deri në mars të këtij viti – kur është vazhduar zbatimi i asaj marrëveshjeje – më shumë se 23 milionë tonë të grurit dhe produkteve tjera ushqimore janë eksportuar në botë.

Prej tyre, 49 për qind kanë qenë misër, i cili ka qenë duke u ruajtur nëpër magazina, dhe është dashur të largohet sa më shpejt nga aty, për t’ua liruar vendin të korrave të vitit 2022.

Programi botëror i OKB-së për Ushqimin, ka nisur, po ashtu, që të transportojë grurë nga portet e Detit të Zi.

“Ukraina luan rol kritik në ofrimin e grurit, misrit, vajit bimor dhe produkteve tjera në tregjet globale. Iniciativa e Detit të Zi ka mundësuar eksportimin e më shumë se 26 milionë tonëve të ushqimit dhe ka ndihmuar në uljen e çmimeve globale të ushqimit”, ka thënë një zëdhënës i Programit botëror të OKB-së për Ushqimin, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Eksportet e vazhdueshme nga Ukraina janë absolutisht vitale për tregjet botërore të ushqimeve, pasi ndihmojnë në uljen e presionit nga çmimet vendore ushqimore në gjithë botën, si dhe janë kyçe për njerëzit që jetojnë në shtetet e varfra, të cilat janë prekur më së shumti nga kriza”.

Sipas të dhënave, mbi 65 për qind e grurit të eksportuar përmes Detit të Zi ka shkuar në vendet në zhvillim.

Të dhënat e njëjta tregojnë se misri është eksportuar pothuajse në mënyrë të barabartë në mes të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.

Meqë pritjet kanë qenë që gruri ukrainas vetëm të ketë transit BE-në, shumë bujq në bllokun evropian besojnë se realiteti i ri është i tepërt për ta.

Ata argumentojnë se gruri ukrainas është duke vërshuar tregjet e brendshme, po dëmton prodhuesit lokalë, dhe se çmimi i tij shumë i lirë, po i tundon blerësit dhe tregtarët.

Dhe nuk është vetëm gruri që i ka shfrytëzuar lehtësirat doganore në BE.

Nga një masë e tillë kanë përfituar edhe produktet tjera ushqimore sikurse, vezët, produktet tjera të pulës, sheqeri dhe mollët.

“Në kuadër të iniciativave, tregu i BE-së është hapur ndaj importeve ukrainase, çka ka rezultuar me shpërndarje të pashembullt të produkteve ukrainase në Evropën Lindore. Ky fluks i shpejtë ka krijuar tensione në nivel lokal”, ka thënë Farm Europe, institut që fokusohet në ekonomitë rurale në BE.

Zdenek Kubiska, udhëheqës i bordit të Asociacionit çek për Mallra dhe Ushqime, ka thënë se gruri ukrainas ka nisur të depërtojë në tregjet e BE-së, pas iniciativave të marra nga BE-ja.

Sipas tij, disa produkte ukrainase nuk janë duke arritur në shtetet në zhvillim – siç është planifikuar – dhe kanë përfunduar në territor të BE-së, kryesisht në Spanjë dhe Itali.

Një anije me mallra ukrainase shihet në Detin e Zi, afër Stambollit.
Një anije me mallra ukrainase shihet në Detin e Zi, afër Stambollit.

Kubiska i ka fajësuar ndërmjetësuesit në Turqi, ku dërgohet fillimisht gruri ukrainas, duke thënë se ata po i bartin më pas mallrat në BE, në vend që t’i nisin te shtetet në zhvillim.

Këto pretendime, se duhet fajësuar ndërmjetësuesit në Turqi, janë mbështetur nga Jan Dolezal, presidenti i Odës Agrare të Republikës Çeke, në disa komente për mediumin iDNES.

“Duke marrë parasysh që mallrat bujqësore nuk importohen në BE nga bujqit, mirëpo nga tregtarët, kjo në fakt nuk është ndihmesë për bujqit ukrainas, të cilët e marrin vetëm një përqindje të çmimet real”, është cituar të ketë thënë Dolezal.

Këto akuza janë hedhur poshtë nga Programi Botëror i Ushqimit.

“Është e vërtetë që disa anije shkojnë në Turqi, që gruri të bluhet në miell. Megjithatë, i gjithë ushqimi më pas dërgohet në shtetet si Afganistan, Etiopia, Kenia, Somalia dhe Jemeni”, ka thënë një zëdhënës i Programit Botëror të Ushqimit për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht se kush është përgjegjës, zemërimi i bujqve të BE-së sa shkon e rritet.

Brukseli është duke tentuar të ulë tensionet, dhe më 20 mars ka ofruar një total prej 56 milionë eurove si kompensim për bujqit e prekur.

Nga kjo shumë, Bullgaria do të pranojë 16.7 milionë euro, ndërsa Polonia pothuajse 30 milionë euro.

Bujqit, dhe zyrtarët qeveritarë, të shteteve respektive, kanë thënë se kjo shumë është e pamjaftueshme.

Për bujqit e Rumanisë, shuma e ofruar për kompensim është edhe më e vogël - 10 milionë euro në total.

Në tentim e sipër për të ulur zemërimin në Poloni, dhe pas disa orëve bisedime të nxehta, ministri i Bujqësisë në këtë shtet, Henryk Kowalczyk, ka bërë të ditur më 29 mars se bujqit dhe tregtarët do të pranojnë 281 milionë euro si kompensim për dëmet, ndonëse nuk është e qartë përqindja e ndarë nga BE-ja dhe ajo nga buxheti shtetëror.

Pavarësisht se i ka thënë kanalit Polsat News se eksportet e grurit ukrainas në Poloni kanë rënë në dy javët e fundit, Kowalczyk ka dhënë dorëheqje më 5 prill, duke cituar planet e Komisionit Evropian për të vazhduar lehtësirat për grurin ukrainas deri në qershor të vitit 2024.

Me presion të njëjtë po përballet me homologu i tij rumun.

Dacian Ciolos, ish-Komisionar evropian për Bujqësi, dhe tani ligjvënës në Parlament, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë, Petre Daea, për marrëveshjen “katastrofale” të ndihmës, të negociuar me Brukselin.

“Bujqit rumunë janë duke u dëmtuar si pasojë e negociatave në të cilat nuk i është dhënë rëndësi sektorit bujqësor rumun”, ka thënë Ciolos përmes një deklarate.

Si kundërpërgjigje, Daea ka thënë se ministria e tij e ka diskutuar gjithë situatën dhe nuk ka pasur të drejtë për vendimmarrje, kur është vendosur që për Rumaninë të ndahen 10 milionë euro.

Për shkak të një presioni të tillë, liderët politikë të shteteve të BE-së, që janë prekur nga importet ukrainase, janë duke i kërkuar Brukselit që të bëjë më shumë.

Në letrën e 31 marsit, që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, kryeministrat e Polonisë, Sllovakisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, i kanë thënë shefes së BE-së, Ursula von der Leyn se kanalet për dërgim të grurit ukrainas në tregjet globale, nuk janë duke operuar siç është planifikuar.

Ata i kanë bërë thirrje trupit ekzekutiv të BE-së që të shqyrtojë mundësinë e blerjes urgjente të mallrave që kanë tepruar, si dhe të ndajë më shumë fonde për krijimin e magazinave për grurin.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Brukseli është në dijeni të shkallës së problemit.

“Komisioni e kupton që këto importe shtesë janë duke rritur presionin mbi zinxhirin e furnizimit në këto shtete, çka po ndikon në tepricë të mallrave dhe ulje të çmimeve lokale”, ka thënë ky zëdhënës, duke shtuar se paketa e ndihmës prej 56 milionë eurove nuk duket se do të zgjasë shume gjatë.

“Paralelisht, Komisioni është duke punuar për një paketë të dytë që ka në shënjestër shtetet më të prekura”.

Por, këto premtime mund të jenë të vonshme për disa bujq, pasi ata veçse kanë nisur të bëjnë thirrje për ndalimin e produkteve bujqësore nga Ukraina.

Prodhuesit bujqësorë rumunë janë duke planifikuar atë që e përshkruajnë si grevë mbarëkombëtare më 7 prill, për të shtyrë përpara këtë ide, dhe mediat në Bullgari kanë raportuar se bujqit atje planifikojnë të veprojnë njëjtë.

Ministri në detyrë i Bujqësisë në Bullgari, Yavor Gechev, ka thënë më 29 mars se Bullgaria do të kërkojë ndryshime në politikat për lehtësirat ndaj mallrave ukrainase.

Brenda një viti, Gechev ka thënë se importet e lulediellit nga Ukraina janë rritur për 20 më shumë.

“Asnjë treg nuk mund të absorbojë një sasi të tillë shtesë”, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG