Korrja e grurit në Ukrainë është bërë një punë shumë e rrezikshme që nga pushtimi rus.
Ky imazh i 30 korrikut tregon një autokombajnë që u shkatërrua pasi goditi një minë antitank në rajonin e Harkivit. Sipas autoriteteve ukrainase, drejtuesi i mjetit u shtrua në spital, por i mbijetoi shpërthimit.
Drejtuesi i një traktori që goditi një mjet shpërthyes të panjohur në periferi të Harkivit më 24 korrik, u vra në vendngjarje. Tragjedi të tilla ka të ngjarë të përsëriten në zonat rurale të Ukrainës, ndërsa kanë nisur korrje-shirjet dhe furnizimet ushqimore të nevojshme kanë filluar të dërgohen nga portet e Ukrainës.
Më 1 gusht, dërgesa e parë e drithit, duke përdorur një "korridor" të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja për anijet që transportonin furnizime ushqimore nga portet e Detit të Zi të Ukrainës u nis nga Odesa. Porti më parë ishte i paarritshëm për shkak të anijeve detare ruse në Detin e Zi.
Pavarësisht lajmeve që mirëpritën hapjen e korridorit për dërgesat e drithit në Detin e Zi, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se të korrat e Ukrainës sivjet mund të jenë gjysma e vëllimit normal.
Disa toka bujqësore në Ukrainë janë bërë shumë të rrezikshme për punë bujqësore si rezultat i minave dhe municioneve të pashpërthyera.
Një pjesë e tokave bujqësore të thata në Ukrainë janë shkatërruar gjithashtu nga zjarret e shkaktuara nga artileria dhe raketat. Kjo foto e 29 korrikut tregon fotoreporterin ukrainas Evgeniy Maloletka në një fushë me grurë duke u djegur në rajonin e Harkivit.
Fushat e tjera me drithë janë pushtuar nga trupat ruse që avancojnë ose janë në tokën vdekjeprurëse të askujt midis forcave kundërshtare.
Në një intervistë për CNN në korrik, një fermer ukrainas i quajtur Mykhaylo Lyubchenko e përshkroi bujqësinë si një "front të dytë" në luftën me Rusinë.
Lyubchenko u zotua se për të ushqyer vendin e tij dhe pjesën tjetër të botës, ai do të vazhdojë të punojë mes realitetit të ri të rrezikshëm.
Facebook Forum