Ndërlidhjet

OKB: Lufta në Ukrainë, faktor që po nxit uri në botë


Një grua në Etiopi duke marrë ndihma.
Një grua në Etiopi duke marrë ndihma.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se pasiguria akute për ushqim pritet të rritet "me shpejtësi" deri në fund të vitit në 19 vende në botë, pjesërisht për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Gjetjet janë bërë publike në një raport të përbashkët, të publikuar më 21 shtator, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë, si dhe Programi Botëror i Ushqimit.

Këto organizata e kanë përmendur luftën në Ukrainë, konfliktet tjera, motin ekstrem, zhvendosjet e njerëzve, dhe jostabilitetin ekonomik, si “nxitësit kyçë” të pasigurisë ushqimore.

Raporti ka bërë thirrje për “veprime urgjente humanitare që të ruhen jetët e njerëzve dhe të parandalohet uria në shtetet ku pasiguria aktuale për ushqim pritet të përkeqësohet”, në tre muajt e ardhshëm.

Thatësia në Afrikë - ku mungesa e ushqimeve ka qenë edhe rezultat i bllokimit të grurit ukrainas pas shpërthimit të luftës - është veçuar si faktor që po çon njerëzit “në prag të urisë”.

Në raport është përmendur edhe ndikimi i vërshimeve në Pakistan, shtet i cili varet shumë nga importet ruse dhe ukrainase të grurit.

Siria në Lindje të Mesme dhe shtetet e Amerikës Latine, sikurse Guatemala, Hondurasi dhe Haiti, janë po ashtu në mesin e 19 vendeve të rrezikuara.

Në total, rreth 970.000 njerëz pritet të përballen me “uri katastrofale” në gjithë botën, nëse nuk merren masa për të vepruar.

Afganistani është renditur në mesin e pesë shteteve të rrezikuara keq, bashkë me Etiopinë, Nigerinë, Sudanin Jugor, Somalinë dhe Jemenin.

Mbi 26 milionë njerëz në Afrikë – shtet që po përballet me thatësinë më të keqe në 40 vjetët e fundit – pritet të përballen me nivele të ndryshme të krizës, për shkak të pasigurisë ushqimore.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rritja e një trendi të tillë rrit rrezikun për “trazira civile”.

Në muajin korrik, Kombet e Bashkuara dhe Turqia kanë ndërmjetësuar një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit, për të hequr bllokadat në eksportet e grurit në Ukrainë, një prej furnizueseve më të mëdha në botë.

Para marrëveshjes, anijet luftarake ruse kanë qenë të pozicionuara në Ukrainë, duke pamundësuar lëvizjen e grurit, situatë që ka rezultuar me rritje globale të çmimeve.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më herët gjatë këtij muaji se eksportet e grurit ukrainas nuk janë duke arritur te vendet e varfra, siç është pretenduar, ndonëse ai nuk ka ofruar fakte për të mbështetur këtë deklaratë.

Çmimet e grurit kanë rënë prej arritjes së marrëveshjes, duke ulur presionin në ekonomitë e varfra.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG