Është “e padrejtë” dhe “johumane” mënyra se si trajtohen qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, thotë ish-ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Vlora Çitaku, duke komentuar faktin që Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor pa lëvizje të lirë në BE.
Çitaku, në kohën kur ka qenë ministre, ka pranuar udhërrëfyesin me kushtet e liberalizimit, për të cilat thotë se ka kohë që janë plotësuar.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se BE-ja, me mosliberalizimin e vizave për Kosovën, është duke e humbur kredibilitetin e saj.
Çitaku, e cila aktualisht shërben si nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, flet edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për projektin e gazsjellësit të mbështetur nga SHBA-ja, për rolin e opozitës në Kuvend e të tjera.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Çitaku, nga koha kur ju keni qenë ministre e Integrimit Evropian (2011-2014) apo edhe më herët është folur dhe premtuar liberalizimi i vizave për Kosovën për në vendet e Bashkimit Evropian. Tash jemi në vitin 2022 dhe qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin pa viza në zonën e njohur si Schengen. Çfarë është duke kërkuar BE-ja nga Kosova?
Vlora Çitaku: Është e padrejtë, është johumane mënyra se si trajtohen qytetarët e Republikës së Kosovës në vitin 2022. Para pak ditësh pamë rekomandimin e Komisionit Evropian për t’iu ofruar qytetarëve të Katarit dhe Kuvajtit lëvizjen e lirë në zonën Schengen. Shtetet si Kolumbia dhe Venezuela e të tjerat lëvizin pa viza në zonën Schengen.
SHIKONI EDHE: 'Thirrjet për liberalizim vizash për Kosovën po hasin në veshë të shurdhër'E mbaj mend kur kam qenë ministre e Integrimit Evropian, Kosovës i është dhënë udhërrëfyesi për liberalizmin e vizave dhe ai udhërrëfyes ka pasur dyfish më shumë kritere sesa që kanë pasur vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Përkundër përmbushjes së kritereve në fjalë, përkundër rekomandimit të Komisionit Evropian që nga viti 2016 [për liberalizimin e vizave për Kosovën], ne nuk kemi vendim nga institucionet e Bashkimit Evropian për të rekomanduar lirinë e lëvizjes për shtetasit e Kosovës.
Sinqerisht, nuk ka logjikë, nuk ka shpjegim. Është e vërtetë që ka qenë një momentum disa vite më parë, mirëpo ne e humbëm atë për shkak të zvarritjes së procesit të miratimit të demarkacionit [të kufirit] me Malin e Zi. Megjithatë, në fund, detyrimet, obligimet i kemi përmbushur.
SHIKONI EDHE:
Baerbock: Kosova e ka përfunduar punën e liberalizimit të vizave Rreziku joreal nga azilkërkuesit e rrejshëm nga Ballkani në BEBashkimi Evropian po e vë vetë kredibilitetin e tij në pikëpyetje, duke i mos mbajtur zotimet që ia ka dhënë Kosovës.
Kosova nuk po kërkon lëmoshë, nuk po kërkon favor, nuk po kërkon rrugë të shkurtër. Ne kemi kryer pjesën tonë të punës në vitin 2016 dhe Bashkimi Evropian është i vonuar. Edhe nesër nëse merret vendimi për liberalizimin e vizave, është vonë.
Qeveria me “mungesë konsistence” për dialogun
Radio Evropa e Lirë: Këtë javë ka pasur disa takime në Berlin rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A shihni ndonjë tregues se gjërat janë duke lëvizur në këtë proces?
Vlora Çitaku: Në fakt, te çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë kemi parë një mungesë totale të konsistencës. Nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti herë është thënë se është prioritet i 10-të, i 7-të, i 4-të, tash doli që është prioriteti i parë. Pra, ka pasur mungesë konsistence dhe ka mungesë transparence.
Zoti Kurti është takuar me presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, ne e dimë se për meny nuk kanë biseduar në Berlin dhe zoti Kurti e ka për obligim të sqarojë se çfarë është biseduar dhe a ka ndonjë përparim në këtë proces.
SHIKONI EDHE: Prelec: Kurti, pa strategji në dialogNe kërkojmë që kryeministri t’i përmbushë detyrimet kushtetuese, ta përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë dhe të arrijë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendrën e saj.
SHIKONI EDHE: Scholz: Njohja e Kosovës është pjesë e dialogut me SerbinëJu e mbani në mend që me vite të tëra në Kosovë, me një lehtësi të padurueshme, janë thënë fjalë të mëdha e të rënda. Njerëzit janë etiketuar si tradhtarë, si kriminelë, për përfshirje në dialog. Ne nuk veprojmë njëjtë, mirëpo ne, thjesht, kërkojmë konsistencë dhe transparencë, si dhe kërkojmë që ky proces të përmbyllet sa më parë.
“Qeveria Kurti po abstenon nga vendimmarrja”
Radio Evropa e Lirë: Qeveria Kurti ka shënuar tashmë një vit në qeverisje. Si e vlerësoni punën e ekzekutivit gjatë kësaj periudhe?
Vlora Çitaku: Zoti Kurti i ka kuptuar kufijtë e qeverisjes, në fakt. Nuk është se kam pasur pritje të mëdha. Unë vetë kam punuar në institucione dhe e di që gjërat nuk lëvizin ndonjëherë aq shpejt, sa ne do të dëshironim.
Mirëpo, fatkeqësisht po e them, kemi parë shumë pak qeverisje, kemi parë një abstenim, do të thosha, nga qeverisja dhe nga vendimmarrja. Nuk mund ta përmend asnjë projekt të madh kapital që ka filluar në këtë vit. Nuk mund ta përmend asnjë vendim të madh që është marrë këtë vit.
SHIKONI EDHE: Një vit i Qeverisë Kurti: “Pritje të papërmbushura”Në fakt, janë marrë disa vendime të gabuara, siç ka qenë mospërfshirja e Kosovës në projektin e gazpërçuesit, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Refuzimi i gazsjellësit, “me pasoja ekonomike dhe politike”
Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni se Qeveria Kurti ka gabuar kur ka refuzuar projektin e gazsjellësit?
Vlora Çitaku: Projekti i gazpërçuesit do t’i sillte Kosovës pavarësi më të madhe energjetike, si dhe do t’i diversifikonte burimet e energjisë dhe diversifikimi është një kriter themelor edhe i Bashkimit Evropian. Për më tepër, ky nuk është thjesht një projekt ekonomik dhe energjetik, ky është një projekt gjeopolitik.
SHIKONI EDHE:
“Jo”-të e Kurtit cenojnë marrëdhëniet me SHBA-në Kosova mund të përfundojë e vetmja në rajon pa qasje në gazMënyra më e mirë dhe e drejtpërdrejtë për t’iu kundërvënë dominimit të gazit rus në Evropë, ka qenë ky projekt, i cili, siç e pamë, ka një mbështetje të gjerë në kontinentin tonë. Por, ka edhe një mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, është gabim, jo vetëm me pasoja ekonomike, por edhe me pasoja politike.
Radio Evropa e Lirë: Po përse mendoni se nuk është pranuar ky projekt?
Vlora Çitaku: Unë nuk kam dëgjuar asnjë shpjegim nga ana e Qeverisë e as nga ana e kryeministrit. Në fakt, ata kanë thënë se nuk e kanë refuzuar, nuk ka përgjigje të qartë. Një ditë thonë se nuk e kemi refuzuar, ditën tjetër thonë se jemi duke e analizuar. Por, e vërteta është se procesi ka ecur edhe pa ne.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Me kritika ndaj pushtetit, por jo përdorim “të mjeteve jopolitike”
Radio Evropa e Lirë: Partia Demokratike e Kosovës është partia më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës. Analistë dhe shoqëria civile në Kosovë e kanë kritikuar opozitën se nuk po arrin të sfidojë partinë në pushtet. Si do të përgjigjeshit në këto kritika?
Vlora Çitaku: E vërteta është se për shumë vite në Kosovë, opinionit publik i është imponuar një formë shumë e vrazhdë e opozitëbërjes, e cila shpeshherë ka përdorur edhe instrumente jopolitike. Detyra jonë, si parti opozitare, është të kritikojmë, të ofrojmë alternativa, por jo të përdorim mjete jopolitike për të arritur qëllimet tona.
Detyra jonë është edhe ta normalizojmë diskursin publik. Ne jemi në garë politike, por kjo nuk është garë për jetë a vdekje. Nuk është detyra jonë të argëtojmë, politika duhet të jetë e mërzitshme. Për argëtim, qytetarët duhet të shohin diçka tjetër, por jo Parlamentin e Kosovës.