“Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe tani i mbetet Bashkimit Evropian ta bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjten mbrëma.
“Për ne nuk është më në pikëpyetje dhe na duhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë jemi duke punuar me tërë forcën tonë”, tha ajo.
Baerbock, po ashtu, tha se BE-ja është duke ua zgjatur dorën shteteve të rajonit në rrugën drejt bllokut evropian.
“Një ndër çështjet më të rëndësishme për këtë është forcimi i besimit në rajon. Para së gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe atyre presidenciale të Serbisë, më 3 prill”, shtoi ajo.
Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktikat e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin në Kosovë të zgjedhjeve të Serbisë.
Baerbock e ka siguruar kryeministrin Kurti se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në projekte zhvillimore edhe në të ardhmen.
Kosova është partnere e qëndrueshme e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian dhe këtë e ka dëshmuar me pritjen e refugjatëve nga Afganistani, me krizën në Ukrainë dhe me sanksionet që ka vendosur ndaj Rusisë, tha kryeministri Kurti.
Ai kërkoi përkrahjen e Gjermanisë dhe të BE-së.
“Kam kërkuar mbështetje për reformat në punësim dhe drejtësi. Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, në infrastrukturë, energji e të tjera. Gjermania mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim”, tha Kurti.
“Lufta në Ukrainë duhet të ndalet”
Ministrja gjermane foli edhe për pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt. Ajo tha se ky sulm “ishte censurë apo një thirrje zgjimi referuar rëndësisë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Kryediplomatja gjermane tha se kjo luftë të ndalet, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, është duke sulmuar ukrainasit me bomba dhe raketa.
“Kjo luftë po bëhet me bomba dhe raketa kundër njerëzve në Ukrainë dhe për këtë arsye duhet të bëjmë çdo gjë që ta ndalojmë këtë luftë dhe të krijojmë korridore humanitare”, tha ajo.
Baerbock foli edhe për sanksionet që Perëndimi i ka vendosur ndaj Rusisë, pas fillimit të sulmeve në Ukrainë.
Ajo falënderoi Qeverinë e Kosovës që u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe tha se ky qëndrim i qartë ka treguar edhe një herë se Kosova, si i gjithë rajonit i Ballkanit Perëndimor, i përket Evropës.
“I vendosim sanksione që ne mendojmë që janë të nevojshme. Kur i vendosim ato, e dimë që i vendosim për një kohë të gjatë, prandaj i shqyrtojmë me saktësi para se t’i vendosim sepse nuk duam t’i tërheqim menjëherë. Nëse do të mund ta ndalnim luftën, do ta bënim. E dimë që Putin ka rezerva dhe nuk do ta ndalojë luftën menjëherë”, tha ajo.
Gjatë ditës, Baerbock është takuar edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Osmani ka theksuar se për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistencial fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO.
“Agresioni rus në Ukrainë, ka nxitur domosdoshmërinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes Osmani.
Baerbock është duke i vizituar vendet e Ballkanit Perëndimor. Të enjten paradite ajo ka qëndruar në Bosnjë Hercegovinë, ku tha se “Gjermania në të ardhmen do të jetë më e pranishme në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye për herë të parë kemi një të dërguar special për këtë rajon”.
Pas vizitës në Kosovë, Baerbock do të udhëtojë në Serbi.
Me të është Manuel Sarrazin, i dërguar i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të cilin Qeveria gjermane e emëroi në këtë pozitë më 18 shkurt 2022.