Të mbijetuarit e luftës në Kosovë i drejtohen Kongresit amerikan

Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Vasfije Krasniqi-Goodman i ka kërkuar Kongresit amerikan që të adresojë pandëshkueshmërinë e krimeve të luftës dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut që janë kryer në Kosovë, në një seancë të mbajtur të martën në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Shteteve të Bashkuara, me temën, Viktimat e luftës në Kosovë, në kërkim të drejtësisë.”

Krasniqi-Goodman është gruaja e parë, e cila ka treguar publikisht se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo ka nisur fjalimin e saj, në Komitetin e drejtuar nga kongresisti, Eliot Engel, duke konsideruar se është e nderuar për mundësinë e rrëfimit të historisë së saj.

Në takimin, në të cilin është bërë thirrje që viktimat e luftës në Kosovë të përballen me drejtësinë, ajo ka treguar se si më 14 prill të vitit 1999, një zyrtar serb ka kërkuar për babain dhe vëllezëritë e saj dhe meqë ata nuk ishin në shtëpi, ata i kanë kërkuar Vasfijes që të shkojë bashkë me ata në stacionin policor për të dhënë deklaratë për burrat e asaj shtëpie.

Pavarësisht kërkesave të familjarëve të saj për të mos e marrë atë, Vasfija ka treguar se zyrtari serb e ka dërguar në një fshat të afërt serb dhe e ka dhunuar në një shtëpi të zbrazët.

“Më kujtohet gjithçka. Ai më ka drejtuar armën, më ka abuzuar dhe dhunuar disa herë. Kam qenë e shokuar dhe kam humbur vetëdijen. Kur më është kthyer vetëdija kam qarë pa kontroll dhe e kam lutur atë që të më vrasë. Ai më tha thënë: ‘Jo. Nuk do të të vras sepse kështu do të vuash më shumë'", ka thënë mes tjerash Krasniqi-Goodman.

Ajo ka thënë se kjo nuk ka qenë hera e vetme që është dhunuar nga zyrtarë serbë para se këta të fundit ta kthenin në fshatin e saj.

Përveç kësaj, ajo ka treguar se si ka raportuar këtë rast në nivelet më të larta të drejtësisë në Kosovë, ndonëse ai që, Krasniqi-Goodman e ka quajtur “tortuesin e saj”, vazhdon të jetë në arrati.

Prandaj ajo ka thënë se “nuk do të jetë kurrë në paqe të vërtetë derisa drejtësia të vihet në vend”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte nderuar Vasfijen me titullin “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës” në tetor të vitit të kaluar, me ç’rast e pati cilësuar atë si “heroinë të gjallë”.

SHIKONI EDHE: Vasfije Krasniqi-Goodman nderohet me titullin “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës”

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve më të lartë të shtetit, të Kosovës, gjatë luftës së fundit konsiderohen se kanë qenë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale.

Megjithatë, deri më tani, vetëm 175 prej tyre u është pranuar statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u mundësohet edhe një pension ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.

SHIKONI EDHE: Proces i ndërlikuar deri te statusi i viktimës së dhunës seksuale

Përndryshe, kryesuesi i këtij Komiteti, Eliot Engel ka thënë se nevoja për të organizuar një takim të tillë vjen edhe si pasojë e asaj që “deri në ditën e sotme askush nuk është mbajtur përgjegjës para gjykatave në Serbi për operacionet e kryera rreth fshehjes së trupave së shqiptarëve të Kosovës në varreza masive”.

Kongresisti, Eliot Engel.

​“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë mund të kishin bërë më shumë presion për drejtësi për viktimat e brutalitetit të Millosheviqit. Mirëpo për pjesën më të madhe ne kemi dështuar në këtë drejtim. Sikur të mos mjaftonte kjo, sipas mendimit tim, SHBA-ja ka shtyrë Kosovën që të krijojë të ashtuquajturën Gjykatë Speciale për të adresuar pretendimet për vepra të kryera nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Kjo gjykatë është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Në atë raport thuhet që krimet gjoja se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

SHIKONI EDHE: Prokurorët e Hagës vazhdojnë intervistimet, ende asnjë aktakuzë

Engel e ka konsideruar një situatë të tillë të pabalancuar dhe është zotuar se Komiteti që drejton ai “do të monitorojë këtë gjykatë prej së afërmi për të parë nëse do të ndëshkohen të gjithë kryesit e krimeve të pretenduara nën juridiksionin e saj dhe jo vetëm shqiptarët”.

“Hapësira e llogaridhënies” në Kosovë

Profesori amerikan i çështjeve juridike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Paul R. Williams, ka thënë se sa i përket Kosovës, ekziston një “hapësirë e llogaridhënies”.

Williams, i cili është ftuar që të jetë pjesë e këtyre dëshmive në cilësinë e një avokati ndërkombëtar me përvojë, ka thënë se pavarësisht tentimeve për të garantauar llogaridhënie për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ato janë përballur me mangësi të përsëritura.

“Pavarësisht përpjekjeve të Tribunalit për Krime në ish-Jugosllavi, përpjekjeve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, ekziston një hapësirë dramatike e llogaridhënies për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që janë kryer kundër popullatës në Kosovë… ndëshkimi selektiv i disa liderëve ushtrarakë dhe atyre politikë nga regjimi serb është padyshim i vlefshëm, por jo edhe i mjaftueshëm”, është shprehur ai.

Your browser doesn’t support HTML5

Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit

Profesori amerikan ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me Qeverinë e Kosovës për të “afirmuar dhe është e domosdoshme të sqarohet se mandati i Dhomave të Specializuara mbulon të gjitha krimet e kryera në territorin e Kosovës, dhe nuk kufizohet në ndjekjen e anëtarëve të një grupi të veçantë etnik të Kosovës”.

Përveç kësaj, Williams ka konsideruar se SHBA-ja, duhet të inkurajojë Zyrën e Prokurorit Special, që t'i japë përparësi hetimit dhe ndjekjes penale të rasteve përdhunimit dhe dhunës seksuale të lidhura që kanë ndodhur gjatë kohës së konfliktit.

SHIKONI EDHE: Kosova, më 1999 dhe sot

​Pjesë e këtij takimi ka qenë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila edhe përmes dëshmisë së shkruar ka përmendur një varg rastesh që kanë fituar edhe vëmendje ndërkombëtare gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Jahjaga ka kërkuar që të krijohet një gjykatë e ngjashme me strukturën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuara, të cilat ndryshe njihen si Gjykata Speciale në mënyrë që të “ndëshkohen të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”.

“Ky hap në fakt, ndonëse i vonshëm, është mënyra e vetme për paqe afatgjatë. Ne kemi ndarë historinë e vërtetë të luftës në Kosovë me ju, duke shpresuar se ju do të vazhdoni të qëndroni në rrugën e drejtë të historisë, ashtu sikuse 20 vjet më parë”.

Bytyçi kërkon drejtësi për vëllezërit

Pjesë e seancës dëgjimore në Kongresin amerikan ka qenë edhe Ilir Bytyçi, vëllai i Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçit, të vrarë më 1999 në Serbi, në rrethana ende të pasqaruara.

SHIKONI EDHE: Bytyçi: Vuçiq ka identifikuar Gurin si përgjegjës për vrasjen e vëllezërve të mi

Ai ka treguar para këtij trupi, historinë e familjes së tij imigrante, dhe jetesën mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë viteteve 1990.

“Vëllezërit e mi janë dërguar në (Petrovo Sello) sepse kanë qenë shqiptarë. Ata janë dërguar atje sepse kanë qenë edhe amerikanë. Kjo gjë ka thyer familjen time. Ne nuk do të festojmë kurrë ditëlindjet apo martesat e tyre. Unë nuk do të jem kurrë xhaxhai i fëmijëve të tyre. Është sikurse një xham që thyhet. Ju tentoni ta bashkoni atë, mirëpo nuk do të jetë kurrë njëjtë”, ka thënë Bytyçi gjatë fjalimit të tij.

Ai i ka kërkuar Kongesit amerikan që të sigurohet se Bashkimi Evropian nuk do ta trajtojë me lehtësi këtë rast, si dhe ka mbështetur thirrjet e kryesuesit Engel për të mos lejuar Serbinë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian derisa të “pastrojë këtë akt”.

“Serbia nuk duhet të lejohet që të hyjë në BE, derisa të vërtetojë se mund të ndëshkojë në mënyrë kompetente kriminelët e luftës dhe ata që kanë qenë përgjegjës për këto operacione”, është shprehur ai.

Bytyçi u ka kërkuar edhe vetë autoriteteve të Serbisë që të përballen me të kaluarën, derisa nuk ka harruar edhe zyrtarët e Kosovës, duke u kërkuar që të rrisin përpjekjet për kthyer në prioritet drejtësinë për viktimat.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të vendosin sanksione ndaj ish-zyrtarit të policisë serbe, Goran Radosavljeviq, i cili ka shërbyer si komandant i një kampi, ku janë vrarë vrarë tre vëllezërit Bytyçi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Goran Radosavljeviq sanksionohet nga SHBA-ja për rastin e vëllezërve Bytyçi

Aktualisht nuk dihet se ku ndodhet Radosavljeviq, derisa më më 2012 një gjykatë serbe për krime lufte ka liruar dy ish-zyrtarë policorë për përfshirjen e tyre në këto vrasje, me arsyetimin e provave të pamjaftueshme.