Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të vendosin sanksione ndaj një ish-zyrtari të policisë serbe, i cili ka shërbyer si komandant i një kampi, ku janë vrarë vrarë tre vëllezërit Bytyçi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë më 18 dhjetor se Goran Radosavljeviq ka qenë “i përfshirë” në vrasjen e vëllezëve Bytyçi andaj edhe gruaja dhe vajza e Radosavljeviqit do të goditen me sanksione, bazuar në “seksionin 7031 (c)”.
Ky seksion i ligjit amerikan i mundëson Sekretarit amerikan të Shtetit t’ua ndalojë hyrjen në SHBA, zyrtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre në rast se ka “informacion të besueshëm se ata kanë qenë të përfshirë në korrupsion apo në raste ku janë abuzuar të drejtat e njeriut”.
Ndërkohë nuk është bërë e ditur ku gjendet tani Radosavljeviq.
Vrasja e Ilir, Mehmet dhe Agron Bytyçit, më 1999, ka qenë pikë kyçe për marrëdhëniet SHBA- Serbi, teksa Beogradi tenton të integrohet më shpejtë me vendet Perëndimore.
Vëllezërit Bytyçi kanë qenë shtetas amerikanë dhe Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ta.
Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello në Serbi.
Më 2012 një gjykatë serbe për krime lufte ka liruar dy ish-zyrtarë policorë për përfshirjen e tyre në këto vrasje, me arsyetimin e provave të pamjaftueshme.