KFOR-i shton patrullimet në veri

Foto të ushtarëve britanikë të NATO-s gjatë një ushtrimi në afërsi të Gjakovës më 5 shtator 2021.

Të hënën, më 27 shtator, është shënuar dita e tetë qëkur rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë janë bllokuar.

Po të njëjtën ditë, misioni i Aleancës Veri-atlantike në Kosovë, KFOR ka njoftuar se ka rritur patrullimet në mbarë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore.

“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në mbarë Kosovën dhe vazhdon të jetë i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, që të ofrojë ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinë në mbarë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovë”, thuhet në deklaratën e misionit të KFOR-it.

Gjatë ditës, disa media lokale në Kosovë publikuan fotografi të ushtarëve të KFOR-it, të pranishëm në rrugën kryesore në Jarinjë dhe në rrugë alternative.

Rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbë lokalë me kamionë e mjete të tjera të rënda në shenjë proteste ndaj vendimit për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.

Rama: Serbia duhet t'i ndalojë manovrat teatrale ushtarake

Gjatë një vizite në Prishtinë, të hënën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e dënoi sjelljen e Serbisë karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me targat.

“Sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, siç pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar”, tha Rama.

SHIKONI EDHE: Rama: Kosova ka të drejtë për targat

Këtë koment ai e ka bërë pas raportimeve se ditëve të fundit aeroplanë ushtarakë të Serbisë kanë fluturuar afër pikë kalimeve. Mediat në Serbi kanë raportuar për lëvizje të ushtarëve dhe mjeteve tjera ushtarake në drejtim të kufirit me Kosovën.

Kryeministri shqiptar po ashtu ka dënuar incidentet e djegieve të qendrave të regjistrimit të veturave në veri të Kosovës.

Të shtunën, më 25 shtator, dy incidente janë shënuar në dy komuna në veri të Kosovës. Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil. Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtyre dy incidenteve.

Your browser doesn’t support HTML5

Rama: Manovrat ushtarake të Serbisë nuk mbrojnë serbët e Kosovës

Edi Rama ka thënë se qytetarët serbë në Kosovë nuk kanë nevojë të mbrohen pasi jetojnë të sigurt.

“Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush. Madje iu paguhen edhe faturat e energjisë elektrike nga qeveria e këtij shteti këtu si askujt askund, jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”, u shpreh Rama.

SHIKONI EDHE: Borrell: Të tërhiqen policët dhe të hiqen barrikadat nga veriu

Ai i bëri thirrje edhe Kosovës që të mos krijojë probleme me miqtë ndërkombëtarë përmes mbajtjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës në kufi.

“Duhet bërë kujdes që çuarja e njësive speciale në atë zonë, nga nevoja për t’u siguruar se nuk cenohet siguria dhe rendi publik, në momentin e shtrirjes së problemit, mos të kthehet në një problem mes vet Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka arsyetuar prezencën e njësive speciale në vendkalimet kufitare.

“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk ndodhet aty për të demonstruar një forcë, por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët tanë kufitarë”, tha ai.

Vuçiq: S'lejojmë poshtërimin e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të hënën, më 27 shtator, se nuk do të lejojë "poshtërimin e Serbisë". Ai u takua me ambasadorët e vendeve të Quint-it, që kërkuan “shtensionimin e krizës” në veri të Kosovës, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i Vuçiqit.

“Ne jemi të përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë poshtërimin e Serbisë apo të qytetarëve të saj”, citohet të ketë thënë Vuçiq gjatë takimit me ambasadorët e SHBA-së, Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e Delegacionit të BE-së në Beograd.

SHIKONI EDHE: Vulin: Serbia nuk negocion me armë të drejtuar në ballë

Ndërkaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Bashkimi Evropian, në këtë moment, “nuk po bën asgjë, ose po bën fare pak” në lidhje me situatën në Kosovë.

“Nuk kam asgjë të mirë për të thënë për sjelljen e Evropës, për sjelljen e BE-së. Unë mendoj se Marrëveshja e Brukselit është çështje e BE-së. Nënshkrimi i saj ndodhet në Marrëveshjen e Brukselit”, tha Bërnabiq për televizionin serb Pink.

Bie importi i mallrave nga Serbia

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës 20-24 shtator, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 3.9 milionë euro.

Pesë ditë para vendosjes së masës së reciprocitetit, përkatësisht nga 15 deri më 19 shtator, ishin importuar mallra në vlerë prej 4.9 milionë eurosh.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga 20 deri më 26 shtator janë administruar 10,110 targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Avionët serbë fluturojnë afër bllokadave në veri

Deri më tani, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk do të zmbrapsen nga vendimi për reciprocitet, ndërsa në Beograd kanë kërkuar që forcat speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga pikat kufitare si kusht për të nisur dialogun mes dy shteteve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën, më 26 shtator, priti në takim liderët e partive opozitare, ku u diskutua për situatën në veri të vendit.

Krerët opozitarë Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, sipas njoftimit të qeverisë, shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit të Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

Përpjekjet e Prishtinës për ta kontrolluar veriun

SHBA: Po punojmë drejt shtensionimit të situatës

Ndërkohë, të dielën, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë për Radion Evropa e Lirë se po punojnë bashkërisht me Bashkimin Evropian dhe NATO-n lidhur me këtë situatë.

“SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it.

SHIKONI EDHE: Escobar: Kosova dhe Serbia të përqendrohen në dialog

SHBA-ja tha se në takimet e ftuara nga Brukseli, që do të mbahen gjatë ditëve në vijim, do të marrë pjesë edhe Zëvendësndimës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.

Ndërkohë, burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se këtë javë, në Bruksel mund të zhvillohet një takim mes shefave të ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë.

SHIKONI EDHE: Problemi me targat: Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit?

Protestat në Jarinjë dhe Bërnjak filluan pasi Prishtina vendosi që të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.