Nëse Prishtina do bisedime me Beogradin, ajo, së pari, duhet t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu i Kosovës, sepse Serbia “nuk negocion me armë të drejtuar në ballë”, tha ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.
Vulin tha se Serbia dëshiron paqe në Kosovë, porse “xhandarmëria serbe do të respektojë çdo urdhër të presidentit Vuçiq”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Xhandarmëria është e gatshme, e trajnuar, e pajisur teknikisht, por, çfarë është më e rëndësishmja, shumë e motivuar për t’i mbrojtur njerëzit e saj kudo që është e nevojshme”, tha Vulin.
Duke komentuar thirrjen e Bashkimit Evropian për të dyja palët që t’i ulin tensionet, Vulin tha se Marrëveshja e Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë është shkelur në mënyrë flagrante dhe pyeti nëse fjala e BE-së ka ndonjë peshë dhe nëse vlen për ndonjë gjë.
“Ku është fjala e BE-së? BE-ja vlen sa nënshkrimi i saj. Ku është Asociacioni i komunave serbe? Ne kemi pritur që nëntë vjet që ata ta respektojnë nënshkrimin e tyre”, tha Vulin.
Dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, Jarinja dhe Bërnjaku, tash e pesë ditë janë të bllokuara nga serbët e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa serbe, të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë.
Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.
Masa të ngjashme ndaj makinave me targa të Kosovës, Serbia është duke zbatuar tash e sa vite.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të dyja shtetet duhet të heqin përdorimin e targave të përkohshme.