Radhë të gjata për vaksinim
Në Kosovë, të mërkurën më 12 maj nisi vaksinimi kundër koronavirusit i personave mbi 65 vjeç.
Pranë sallës "1 Tetori" në Prishtinë, e cila është shndërruar në qendër vaksinimi, janë parë radhë të gjata të njerëzve, të cilët po presin që të imunizohen kundër koronavirusit.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës tha se prioritet në vaksinim do të kenë personat e regjistruar në patformën online e-kosova.
Në sallën "1 Tetori" po vaksinohen personat nga Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Drenasi, Lipjani. Koordinatori për vaksinim në këtë qendër, Niman Bardhi, tha për Radion Evropa e Lirë se për shkak të keqinformimit, qytetarë nga komuna të tjera kanë ardhur të mërkurën në Prishtinë për t'u vaksinuar, duke krijuar radhë të gjata.
Kosova ka një Plan shtetëror të vaksinimit të ndarë në tri faza. Në fazën e parë u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe punëtorët shëndetësorë. Në fazën e dytë, që nisi të mërkurën, do të vaksinohen personat 65-79 vjeç dhe si edhe mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, të përfshira në menaxhimin e pandemisë. Në fazën e tretë, ndërkaq, pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë së Kosovës.
Më 12 maj, në Kosovë pritet të arrijnë 38,400 vaksina të tjera të AstraZenecas, të cilat shteti i merr donacion nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kosova po ashtu, do të marrë në total 95,000 doza të Pfizerit, si donacion nga Bashkimi Evropian.