Shkencëtarët, skeptikë nëse duhet t'i besohet vaksinës së zhvilluar nga Rusia

Një njoftim i Rusisë të martën se do të lansojë një vaksinë kundër koronavirusit, më pak se dy muaj nga testimi në njerëz, ka ngritur shqetësim tek ekspertët shëndetësorë në botë, të cilët kanë theksuar se pa një testim të duhur, vaksina është vështirë e besueshme.

Me qëllim që të jetë e para nga shtetet që prodhojnë një vaksinë kundër sëmundjes COVID-19 që shkakton koronavirusi, Rusia duhet që të zhvillojë testime në masë, për të sjellë të dhëna nëse vaksina është efikase – gjë që shumë imunologë dhe ekspertë të sëmundjeve infektive e konsiderojnë hap të pamatur.

"Rusia është duke zhvilluar një eksperiment me popullatën e gjerë”, tha Ayfer Ali, specialiste e hulumtimeve të barnave në Shkollën e Biznesit, Warwick të Britanisë.

Video: Virusi largon nga shkollat 1 miliard nxënës

Ajo tha se një miratim kaq i shpejtë i vaksinës mund të nënkuptojë që efektet anësore të mundshme të një vaksine nuk mund të dihen.

Efektet edhe pse janë të rralla mund të jenë serioze, tha ajo.

Presidenti rus Vladimir Putin, tha se vaksina e zhvilluar nga Instituti Gmaleya në Moskë është e sigurt dhe është testuar edhe në njërën nga vajzat e tij.

"E di se është efikase, krijon imunitet të fortë, dhe e përsëris, i ka kaluar të gjitha provat e nevojshme”, tha Putin.

Mjeku, Francois Balloux, ekspert në Institutin e Gjenetikës në Kolegjin Universitar të Londrës, tha se ky njoftim është veprim i pamatur dhe qesharak.

"Vaksinimi në masë me një vaksinë të patestuar mirë është joetik”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Vaksina ruse për COVID-19 paralajmërohet për muajin nëntor

"Çdo problem me fushatën e vaksinimit në Rusi mund të shkaktojë efekte negative në shëndet po ashtu në skepticizmin e njerëzve që të vaksinohen”.

Komenteve të tij u bëri jehonë edhe profesori, Danny Altman nga Kolegji Imperial në Londër, i cili theksoi se dëmi kolateral nga lansimi i ndonjë vaksine që ende nuk dihet sesa është e sigurt edhe efikase “do të përkeqësonte problemet tona të pakapërcyeshme”.

SHIKONI EDHE: Mbi 20 milionë të infektuar nga koronavirusi në botë

Edhe pse Rusia ka shpallur fitore në zhvillimin e vaksinës , më shumë se gjysma e kompanive farmaceutike në botë janë në proces të fillimit të testimit të vaksinave në njerëz, secila me nga dhjetëra mijëra vullnetarë.

Disa nga kompanitë që kanë zhvilluar vaksina si Moderna, Pfizer dhe AstraZeneca, thonë se shpresojnë që vaksinat e tyre do të funksionojnë dhe se rezultati i tyre pritet të shihet deri në fund të këtij viti.

Rezultatet e provave duhet të dorëzohen në Shtetet e Bashkuara, Evropë e më gjerë para se të fitohet licensa.

SHIKONI EDHE: Hulumtimet e fundit rrisin shpresat për një vaksinë kundër COVID-19

Miratimi i vaksinës ruse nga Ministria e Shëndetësisë, ka ndodhur para testimit që duhet të përfshijë mijëra pjesëmarrës, e njohur si Faza e tretë e testimit.

Doktori, Peter Kremsner, ekspert në Spitalin Universitar në Tuebingen të Gjermanisë, tha se Rusia ka bërë një veprim të pamenduar mirë.

"Normalisht duhet një numër i madh i njerëzve të testohen para aprovimit të vaksinës”, tha ai. “Mendoj se është e pamatur të miratohet një vaksinë pa u testuar”, shtoi ai.

Ekspertët thonë se mungesa e të dhënave për sigurinë, përgjigjen imunitare dhe parandalimin e infeksionit i lë shkencëtarët dhe autoritetet shëndetësore në botë, në errësirë.

Përgatiti: Flandra Marmullaku