Të dhënat paraprake nga tre vaksinat potenciale kundër COVID-19, përfshirë atë të Universitetit të Oksfordit, e kanë rritur besimin se ato mund të trajnojnë sistemin imunitar për të identifikuar dhe luftuar koronavirusin pa ndonjë efekt të rëndë anësor.
Agjencia Reuters shkruan se ende është larg momenti kur do të dihet nëse ndonjë nga këto përpjekje do të rezultojë me një vaksinë të aftë për të mbrojtur miliarda njerëz, njëherësh për t’i dhënë fund pandemisë së COVID-19, që ka marrë më shumë se 600,000 jetë njerëzish.
Që të gjitha, do të kërkojnë studime shumë më të gjera për të vërtetuar se mund të parandalojnë infeksionin.
Vaksina që po zhvillohet nga kompania farmaceutike britanike, AstraZeneca së bashku me një ekip studiuesish nga Universiteti i Oksfordit, shkaktoi një përgjigje imune pa asnjë efekt anësor shqetësues në të gjithë pjesëmarrësit e studimit. Ata pranuan dy doza të vaksinës.
Ekspertët raportuan se edhe një provë e vaksinës nga ana e CanSino Biologics Inc dhe njësia e kërkimit ushtarak të Kinës, tregoi sukses duke shkaktuar një përgjigje imune në shumicën e 508 vullnetarëve të shëndetshëm që morën një dozë të vaksinës.
Rreth 77 për qind e vullnetarëve të studimit pësuan efekte anësore si ethe ose dhimbje në vendin e injeksionit, por asnjëri nuk kishte përkeqësim serioz të shëndetit.
Të dyja vaksinat, ajo e AstraZeneca dhe CanSino, përdorën një virus të padëmshëm të njohur si adenovirus për të injektuar në trupin e njeriut materialin gjenetik të koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Studimet për të dyja vaksinat u botuan në revistën The Lancet më 20 korrik.
"Në përgjithësi, rezultatet e të dyja provave janë gjerësisht të ngjashme dhe premtuese", kanë shkruar Naor Bar-Zeev dhe William Moss, dy ekspertë të vaksinave nga Shkolla e Shëndetit Publik, Johns Hopkins Bloomberg.
Megjithatë, kompania CanSino bëri të ditur se njerëzit të cilët më parë kanë qenë të ekspozuar ndaj virusit që iu është injektuar përmes vaksinës, treguan një reagim më të zvogëluar imunitar.
Për autorët e studimit, kjo është “pengesa më e madhe”.
Kompania gjermane BioNTech dhe prodhuesi farmaceutik Pfizer Inc publikuan detaje nga një studim i një lloji tjetër të vaksinës e cila përmban një molekulë qelizore të quajtur acidi ribonukleik (ARN) – e cila ka rol në proteinat trupore.
Vaksina udhëzon qelizat që imitojnë sipërfaqen e jashtme të koronavirusit. Trupi i njeh këto proteina të ngjashme me virusin si pushtues të huaj dhe më pas mund të krijojë një përgjigje imune kundër virusit aktual.
Në studimin e bërë në 60 persona të shëndetshëm, vaksina shkaktoi antitrupa neutralizues të virusit. Rezultati ishte në përputhje me një hulumtim të mëparshëm në SHBA.
Publikimet e fundit, pasojnë ato të kompanisë Moderna Inc, provat e së cilës treguan rezultate të ngjashme. Kjo kompani gjithashtu përdori metodën e acidi ribonukleik (ARN).
"Është inkurajuese që të gjitha këto vaksina duket se sjellin antitrupa te njerëzit", tha ish-ndihmësja e drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Marie-Paule Kieny nga instituti francez kërkimor Inserm.
"Kjo e vërteton faktin se shkenca po ecën përpara shumë shpejt, që është një shenjë e mirë", tha ajo.
“Rrugë e gjatë përpara”
Asnjëra nga kompanitë që po merret me hulumtimin e vaksinës kundër COVID-19 nuk ka raportuar për efekte anësore të vaksinave, të cilat mund të pengonin përpjekjet e tyre deri më tani. Megjithatë, të gjitha këto kompani duhet të dëshmojnë se këto vaksina janë të sigurta dhe efektive në provat që përfshijnë mijëra njerëz, pra kategoritë e atyre me rrezikshmëri të lartë nga sëmundja COVID-19, siç janë të moshuarit dhe njerëzit me diabet.
Po të shikosh historinë, gjithmonë vetëm 6 për qind e kompanive që synojnë zbulimin e një vaksine kanë sukses në përpjekjet e tyre. Kjo ndodh zakonisht pas një procesi disa vjeçar të testimeve.
Prodhuesit e vaksinave shpresojnë të shkurtojnë këtë kohë përmes provave më të shpejta, duke nisur prodhimin në masë madje edhe para se testimi i produktit të dalë i suksesshëm.
Disa prodhues e kanë mbështetjen e Qeverisë amerikane me qëllim që të zbulojnë një vaksinë kundër koronavirusit deri në fund të vitit, pasi numri i rasteve të të infektuarve po vazhdon të rritet me një ritëm të shpejt.
Vaksina e Oxford/AstraZeneca është një nga 150 hulumtimet që po vazhdojnë në nivel botëror, por konsiderohet më e avancuara.
Testimi i saj, i cili ka përfshirë rreth 1,077 njerëz, ka treguar se pas injektimit, në trupat e tyre janë krijuar antitrupa dhe qeliza të bardha të gjakut që mund ta luftojnë koronavirusin.
Gjetjet janë premtuese, por është ende herët të dihet nëse vaksina është e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje.
Studiuesja e Oksfordit, Sarah Gilbert tha se prova nuk mund të përcaktojë nëse një ose dy doza do të duheshin për të siguruar imunitet.
Vaksina, e njohur si AZD1222, gjithashtu nxiti trupin të krijonte qelizat T.
Qelizat T, ndërkaq, janë një lloj i qelizave të bardha të gjakut, që ndihmojnë në koordinimin e sistemit imunitar dhe janë në gjendje të zbulojnë se cilat qeliza të trupit janë infektuar dhe t’i shkatërrojnë ato.
Pothuajse të gjitha vaksinat efektive shkaktojnë edhe reagim të antitrupave, edhe të qelizave T.
Studimet e fundit tregojnë se disa pacientë të shëruar, të cilët u testuan negativë për antitrupat e koronavirusit, zhvilluan antitrupa dhe qeliza T si përgjigje ndaj infeksionit. Shkencëtarët mendojnë se të dyja këto janë aspekte të rëndësishme të një vaksine efektive të koronavirusit.
Dr Mike Ryan, drejtor i programit të urgjencave të OBSH-së, tha se gjenerimi i qelizave T dhe i antitrupave ishte pozitive, duke shtuar se "ende ekziston një rrugë e gjatë përpara".