Themelimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, i cili buron nga Marrëveshja e Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, tashmë jo vetëm që ka ngecur në fazat e zbatimit, por në takimet e fundit ndërmjet liderëve politikë të Kosovës dhe Serbisë, nuk është përmendur fare.
Çështja e themelimit të Asociacionit, e cila konsiderohej si pjesë esenciale e Marrëveshjes së Brukselit ka mbetur në margjinat e ideve për ndryshim të kufirit, si zgjidhje e përfolur për arritjen e një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Takimi i radhës i liderëve institucionalë të Kosovës dhe Serbisë, pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, nikoqir të së cilit janë presidenti francez, Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se ende nuk e kanë një draft të agjendës se për çfarë do të diskutohet në Paris.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pala e Kosovës nuk e përjashton mundësinë që në kuadër të temave të përgjithshme, çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të shtrohet për diskutim nga pala e Serbisë.
“Por, nuk mund ta konfirmojmë përderisa nuk e dimë se çka mund të prezantojë pala tjetër apo nikoqirët e këtij takimi. Ne, asnjëherë nuk duhet të harrojmë që për bazë të këtij veprimi kemi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në këtë rrafsh, sa i përket Asociacionit, do të ndodhë e njëjta gjë. Kosova do ta zbatojë ose do të pajtohet që ta zbatojë dhe tashmë ka marrë obligime ndërkombëtare për këtë çështje, por gjithmonë duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, tha Gashi.
SHIKONI EDHE: Platforma e dialogut nuk përfshin korrigjim kufijsh as Asociacion të komunaveNdërkaq, njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë, vlerësojnë se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk pritet të jetë temë diskutimi as në takimin e radhës të liderëve institucionalë të Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet më 1 korrik në Paris.
Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme, nëse kjo çështje do të iniciohet sërish.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Paris, më 1 korrik, do të jetë me ekipe më të kompletuara. Por, siç thotë ai, bisedimet do të bëhen për tema parimore dhe të përgjithshme, pa i prekur shumë temat konkrete dhe se çështja e themelimit të Asociacionit, nuk pritet të jetë temë diskutimi në Paris. Për më shumë, sipas tij, në qasjen e liderëve politikë dhe institucionalë të Kosovës, lidhur me çështjen e Asociacionit, ekzistojnë elemente të reja.
“Kosova tash po e përjeton një rivlerësim të çdo gjëje që ka bërë deri më tash në bisedimet me Serbinë. Kemi deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thotë se derisa ai të jetë president, nuk do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe as me kompetenca e as pa kompetenca ekzekutive. Ai e thotë këtë sepse ‘kemi pasur premtime të caktuara nga Bashkimi Evropian dhe asnjë nga këto premtime nuk është realizuar’. Qeveria e Kosovës, gjithashtu është deklaruar, përmes kryeministrit, se Asociacioni, nëse themelohet, kjo do të bëhet në bazë të mendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Tahiri.
SHIKONI EDHE: Thaçi: Nuk do të ketë Asociacion me elemente ekzekutiveNjohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tashmë Beogradi zyrtar i ka shpenzuar të gjitha variantet dhe rrëfimet lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe tashmë mund ta rikthejë në fokus themelimin e Asociacionit. Por, sipas tij, kjo çështje nuk pritet që ta ketë epilogun që dëshiron Beogradi.
“(Presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq e ka pranuar se nuk ka ndonjë zgjidhje. Nuk ka mbetur asgjë tjetër përveç që Vuçiq sërish ta nisë çështjen e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Por, Bashkësia e komunave serbe, sipas modelit që e kërkon Vuçiq, tashmë është e vonuar. Bashkësia e komunave serbe nuk do të formohet kurrë. Por, nëse eventualisht arrihet deri te formimi, kjo nuk do të jetë ndryshe përveç se në kuadër të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës, sepse kjo është zgjidhja e vetme e mundshme”, tha Nojkiq.
SHIKONI EDHE: Asociacioni, në marrëveshjen finale Kosovë – SerbiSidoqoftë, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe buron nga Marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, në vitin 2013. Ndërkaq në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshjen për formimin e këtij Asociacioni, duke specifikuar edhe mënyrën e formimit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të vitit 2015, pati vlerësuar se kjo marrëveshje, në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e vendit.