Ndërlidhjet

Platforma e dialogut nuk përfshin korrigjim kufijsh as Asociacion të komunave


Ekipi negociator gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Ekipi negociator gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Viti 2019, është viti kur Kosova do të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe do të jetë viti i liberalizimit të vizave, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Këto komente, ai i bëri pas takimit me Ekipin negociator. Në këtë takim, Ekipi negociator i dorëzoi Veselit platformën për dialogun me Serbinë.

Platforma e Ekipit negociator, me të cilën pretendon të përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë në kuadër të procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pritet të procedohet për shqyrtim dhe miratim nga deputetët në një prej seancave të javës së ardhshme.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha pas takimit se platforma thekson qartë se Kosova nga dialogu do të dalë me njohje, me çka, sipas tij, do të garantohet edhe ulësja e saj në Kombet e Bashkuara dhe integrimi në organizatat ndërkombëtare.

Veseli bëri thirrje që kjo platformë të shqyrtohet me seriozitet edhe nga partitë opozitare.

"Thërras edhe nga ky moment opozitën, e cila ende nuk iu ka përgjigjur përgjegjësive që i ka, kombëtare, kushtetuese dhe qytetare që të kenë bashkëpjesëmarrje në procesin e dialogut historik".

" Kjo është baza e cila do t'i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, e cila nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë, dhe të njëjtën kohë garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive apo pushtet të tretë, apo Republika Sprska në Republikën e Kosovës, në të njëjtën kohë garanton edhe përgjegjësitë që ka shteti i pavarur dhe sovran ", tha Veseli.

Bashkëkryesuesi i Ekipit negociator, Shpend Ahmeti tha se platforma përbëhet nga 11 parime të cilat përcaktojnë qartë qëndrimin e Republikës së Kosovës, ku përfshihet integriteti territorial, dëmshpërblimet e luftës në mënyrë kolektive, dëmshpërblimet individuale, shfrytëzimi i resurseve të Kosovës, pastaj respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi ashtu si edhe i të drejtave të serbëve në Kosovë, reparacionet si dhe parimi themelor është përfundimi i dialogut me njohje.

"Platforma bazohet tërësisht në parimet e Kushtetutës së Kosovës, duke cituar edhe nene nga Kushtetuta sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të cilat janë të pacenueshme dhe është obligim i të gjitha organeve që atë Kushtetutë ta mbrojnë në dialogun me Serbinë. Nuk ka rend të tretë të qeverisjes në Kosovë përveç atij qendror dhe lokal. Në pakon e Ahtisarit, Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromise që Kosova ta ketë pavarësinë dhe njohjen nga shtetet mike".

"Këtë dialog po e quajmë dialogun për njohje, ky është parimi numër një i këtij dialogu. Nëse mendojmë që përfundimi i dialogut mund të mos sjellë njohje, parimi 2 thotë se nuk ka marrëveshje për asgjë nëse nuk ka marrëveshje për gjithçka", tha Ahmeti.

Ndërkaq, bashkëkryesuesi tjetër i Ekipit negociator, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për unitet shtetëror dhe miratim të kësaj platforme nga ana e Kuvendit të Kosovës.

" I bëj thirrje opozitës që seriozisht ta trajtojnë platformën tonë dhe të votohet nga Kuvendi i Kosovës dhe ta na jepet mandat që të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm. Të gjithë duhet ta kenë të qartë që Kosova shkon në Bruksel për njohje. Presim që edhe fqinji ynë Serbia, t'i kthehet dhe ta pranojë realitetin, ashtu sic e pranon Kosova", tha Limaj.

"Kosova është e gatshme që formalisht të nënshkruaj një marrëveshje me Serbinë, për respektin, zhvillimin e komunikimit, bashkëpunimin, për aq sa janë të gatshme të dyja vendet, të paktën një sjellje korrekte ndaj njëra tjetrës", theksoi Limaj.

Dy partitë më të mëdha opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin refuzuar të përfshihen në hartimin e platformës për dialogun me Serbinë, duke e konsideruar jolegjitim dhe që nuk përfaqëson shumicën parlamentare të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu nuk vazhdon pa u hequr taksa të cilën Qeveria e Kosovës e vendosi në fund të vitit 2018, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë bërë të qartë se vazhdimi i dialogut ndërlidhet me pezullimin e tarifës doganore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG