Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin vjetor për terrorizmin në botë, ku thuhet se në gjatë vitit 2020, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre shënuan përparime të mëdha e të rëndësishme kundër organizatave terroriste, por kërcënimi nga terrorizmi është bërë më i shpërndarë gjeografikisht në rajone anembanë botës, raporton Zëri i Amerikës.
Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, thuhet në raport, Shtetet e Bashkuara u janë përgjigjur kërcënimeve në zhvillim, përfshirë zgjerimin e Koalicionit Global kundër ISIS-it, që tani numëron 83 anëtarë. Koalicioni punoi për të konsoliduar arritjet në Irak dhe Siri, ndërsa zgjeroi përpjekjet për të kundërshtuar kërcënimin në rritje të ISIS-it në Afrikën Perëndimore dhe rajonin Sahel.
Shtetet e Bashkuara vazhduan t'i trajtojnë kërcënimet nga terrorizmi i sponsorizuar nga shtetet, duke sanksionuar grupet e mbështetura nga Irani, si Asa'ib Ahl al-Haq në Irak dhe Saraya al-Mukhtar në Bahrein.
Nëntë vende në gjithë hemisferën perëndimore dhe në Evropë, thuhet mes tjerash ne raport, ndërmorën hapa të rëndësishëm në vitin 2020 për të caktuar, ndaluar ose kufizuar Hezbollahun, i cili është sanksionuar edhe në Kosovë.
Në kapitullin për Kosovën thuhet se vendi vazhdoi të luftojë kërcënimin nga terrorizmi përmes bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova është anëtare e Koalicionit Global për luftë kundër ISIS-it.
Qeveria e Kosovës është duke hartuar një strategji të re të kombinuar dhe plan veprimi kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm deri në vitin 2025. Raporti përmend edhe shkarkimin e më pas emërimin e bashkërenduesit të zyrës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Kosova, thuhet në raport, vazhdon të trajtojë zhvillimet që pasuan riatdhesimin në vitin 2019 të katër luftëtarëve dhe 106 grave e fëmijëve nga Siria, një nga riatdhesimet më të mëdha civile deri më tani nga zona e konfliktit. Të gjithë të rriturit janë ndjekur penalisht dhe dy nga luftëtarët janë në burg.
Gratë dhe fëmijët vazhdojnë të marrin ndihmë për riintegrim nëpërmjet programeve të financuara nga fondet amerikane e evropiane dhe Divizionit të Parandalimit dhe Riintegrimit të Ministrisë së Brendshme. Ky program dhe Ministria e Arsimit ndihmuan 37 nga 74 fëmijët e kthyer që të regjistrohen në shkollë dhe me mbështetjen ndërkombëtare, po i ndihmon gratë e kthyera që të riintegrohen dhe të punësohen.
SHIKONI EDHE: Të dënuarit për terrorizëm mbesin pa ligjëratat e BIK-utRaporti thekson se "nuk ka pasur asnjë incident terrorist të raportuar në Kosovë në vitin 2020".
Kuadri ligjor i Kosovës vlerësohet si ndër më të prirët në Ballkan për ndjekjen penale të individëve të dyshuar për kryerje ose mbështetje të veprimtarive terroriste, por, thuhet në raport, dënimet e shkurtra, lirimet e parakohshme nga burgu dhe mungesa e mbikëqyrjes së organizuar pas lirimit, ngritin pikëpyetje për sigurinë afatgjatë.
Raporti vëren se angazhimet e Uashingtonit të 4 shtatorit të vitit 2020 të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë, kodifikuan përkushtimin e Prishtinës për të rritur sigurinë kufitare dhe kontrollin për të ndaluar udhëtimin e terroristëve. Kosova e ka cilësuar Hezbollahun si organizatë terroriste, thuhet më tej.
SHIKONI EDHE: Kosova sanksionon 7 persona dhe një kompani për lidhje me HezbollahunRaporti vë re se Kosova nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EUROPOL, e njohur deri vonë si Policia Evropiane, ndërsa mbetet jashtë INTERPOL-it, pjesërisht për shkak të kundërshtimit të Serbisë dhe marrëdhënieve që ende nuk janë normalizuar ndërmjet të dyja vendeve. Aty theksohet edhe bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë amerikane për luftën kundër terrorizmit.
Raporti përmend se më 11 dhjetor, Gjykata Themelore e Prishtinës liroi një grup të pandehurish nga akuzat e lidhura me terrorizmin. Kjo ishte hera e dytë që të pandehurit u shpallën të pafajshëm nga akuza për terrorizëm, megjithëse u dënuan për posedim dhe tregti armësh. Rasti që ishte ngritur në vitin 2015 nga prokurorët ndërkombëtarë, më pas i kaloi sistemit gjyqësor vendas, duke qëndruar në gjykatat e Kosovës për pesë vjet.
Më 30 tetor, Agon Misini u lirua nga burgu pasi kreu 18 muaj nga dënimi i tij katërvjeçar për pjesëmarrje në grup terrorist. Agon Misini ishte luftëtari i parë i riatdhesuar. Gjykata e Apelit i njohu atij kohën e kaluar në paraburgim në Siri pas arrestimit në vitin 2017 nga Forcat Demokratike Siriane.
Më 20 tetor, Policia e Kosovës arrestoi një person që kërcënoi ambasadorin e Kosovës në Francë, i cili shpërndau një artikull të gazetës Le Figaro, që përshkruante një kronologji të sulmeve ndaj revistës satirike Charlie Hebdo.
Më 30 shtator, prokurorët akuzuan Igballe Hudutin, për nxitje për të kryer akte terroriste. Zonja Huduti u arrestua më 7 janar për postimet e saj në rrjetet sociale ku kritikonte Uashingtonin për vrasjen e komandantit iranian, Qasim Soleimani, dhe bëri thirrje për hakmarrje.
SHIKONI EDHE: Gjykata Themelore në Prishtinë liron nga akuzat për terrorizëm, Ikballe HudutinMë 24 shtator, Gjykata e Lartë e Kosovës vërtetoi dënimin me pesë vjet e gjysmë heqje lirie për Visar Qukovcin për pjesëmarrje në grup terrorist, ndërsa urdhëroi një rigjykim për akuzat për abuzim të fëmijëve. Qukovci, një nga luftëtarët e riatdhesuar nga Siria në vitin 2019, kishte filmuar video propagandistike, në të cilat i vendoste një jelek vetëvrasës djalit të tij 3-vjeçar.
Më 10 janar, Arian Kryeziu, u dënua me 46 muaj burgim për pjesëmarrje në grup terrorist.
Nga 32 gra të riatdhesuara nga Siria në vitin 2019, 29 u deklaruan fajtore për pjesëmarrje në ISIS dhe morën dënime të shkurtra me kusht. Gratë do t'i shmangen kohës së burgut nëse nuk kryejnë krime të mëtejshme -ato kontrollohen rregullisht nga Policia e Kosovës dhe ndjekin psikoterapi.
Raporti më tej thekson mes tjerash se Kosova ka hartuar një kuadër ligjor për sanksionet financiare kundër organizatave terroriste, që pas miratimit nga Parlamenti, do të përmirësojë kufizimin e financimit të terrorizmit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, thuhet në raport, vazhdoi të zbatojë një program, të mbështetur nga ekspertët amerikanë, për punë me të dënuarit për terrorizëm që ndodhen në burg. Programi përfshinë mbledhjen, analizimin dhe ndarjen e informacionit brenda vendimmarrësve të shërbimit korrektues dhe organeve të tjera përkatëse të zbatimit të ligjit, si dhe menaxhimin e rehabilitimit dhe riintegrimit eventual të të dënuarve. Autoritetet vazhduan programet e riintegrimit të individëve që vuajtën dënimin në burg nën akuzat për terrorizëm, për të kthyerit dhe anëtarët e familjeve të tyre, ndonëse me mungesë personeli dhe financim të pamjaftueshëm, theksohet në raportin e DASH-it.
Shqipëria: Kërcënimi nga terrorizmi përfshin luftëtarët e huaj
Në pjesën për Shqipërinë thuhet se vendi vazhdoi mbështetjen e fuqishme të përpjekjeve ndërkombëtare kundër terrorizmit në vitin 2020 dhe kontribuoi në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in. Kërcënimi nga terrorizmi në Shqipëri përfshin luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria dhe përpjekjet e simpatizantëve të ISIS-it për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë, si dhe aktiviteti i sponsorizuar nga Irani drejtuar kryesisht kundër grupit opozitar iranian Mujahedeen-e-Khalq (MEK), pjesëtarët e të cilit janë të strehuar në Shqipëri.
Nuk ka pasur asnjë incident terrorist të raportuar në Shqipëri në vitin 2020, thuhet në raport.
Shqipëria, citon raporti, përndjek aktet terroriste, duke përfshirë financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona në listat e të sanksionuarve nga Kombet e Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për të kryer akte terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe ngritjen, drejtimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste ose konflikte të armatosura jashtë vendit.
Raporti vëren bashkëpunimin e ngushtë të Njësisë së Policisë së shtetit kundër terrorizmit dhe përfshirjen e tij në operacione të suksesshme për kapjen e terroristëve ose të dyshuarve për terrorizëm.
Në vitin 2020, Shqipëria filloi zbatimin e një regjimi më të rreptë të burgjeve për të dënuarit e rrezikshëm, përfshirë edhe për një të dënuar për rekrutim me qëllim terrorizmi, thuhet më tej në raport.
DASH-i vëren se Qendra Kombëtare e Qeverisë shqiptare kundër terrorizmit të dhunshëm, mbetet aktive dhe mbështetet nga një gamë e gjerë programesh ndihme dhe angazhimi diplomatik nga Departamenti amerikan i Shtetit, duke përfshirë grupet e komunitetit lokal që identifikojnë dhe zbusin faktorët që mbështesin ekstremizmin e dhunshëm.
Ambasada në Tiranë mbikëqyrë zbatimin e një granti, i katërti me radhë ,për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, i cili përfshin angazhimin e klerit islam me të rinjtë dhe prindërit e tyre për t'i larguar ata nga rrugët drejt radikalizmit e dhunës dhe informimin e të rinjve për parimet demokratike, të drejtat e njeriut, detyrat qytetare dhe tolerancën. Viti 2020 ishte viti i fundit i programit në këtë fushë i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në Shqipëri.
Zyrtarët shqiptarë të drejtësisë morën pjesë rregullisht në shoqata të ndryshme rajonale, konferenca dhe shkëmbime të tjera informacioni kundër terrorizmit, thuhet në raport.