Ndërlidhjet

Të dënuarit për terrorizëm mbesin pa ligjëratat e BIK-ut


Ilustrim.
Ilustrim.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) e ka cilësuar si të dështuar marrëveshjen që ka pasur me Ministrinë e Drejtësisë, për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të burgosur dhe të dënuar për terrorizëm.

Në burgjet e Kosovës, aktualisht janë 18 persona të cilët po vuajnë dënimin e tyre për terrorizëm, pasi shkuan për të luftuar në Siri ose ndihmuan të tjerët që të shkojnë dhe të luftojnë, krahas grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak.

Ministria e Drejtësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës më 11 maj të viti 2018, patën nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për rehabilitim dhe riintegrim të personave të burgosur.

Marrëveshja ka pasur për qëllim që imamë të caktuar nga BIK-u, të japin mësime për të dënuarit nëpër institucionet korrektuese të Kosovës, me qëllim të përmbushjes së ofrimit të njohurive fetare, me theks të veçantë, të burgosurve të dënuar për vepra penale të ndërlidhura me terrorizëm.

Marrëveshja përfundoi më 2019

Institucionet që merren me këtë çështje, japin informata të ndryshme se çka ka ndodhur me këtë iniciativë. Derisa nga Ministria e Drejtësisë thonë se ajo marrëveshje ka skaduar në vitin 2019, zyrtarë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, thonë se për shkak të pandemisë COVID-19, janë ndaluar apo reduktuar ligjëratat e imamëve nëpër burgje.

Për Bashkësinë Islame të Kosovës kjo çështje është e mbyllur që kur ka përfunduar para dy vjetësh.

“Kjo çështje për ne është e mbyllur prej kur është pezulluar. Në rast se kërkohet ndihma jonë në këtë drejtim nga institucionet e vendit, ka mundësi ta shqyrtojmë prapë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Vedat Sahiti, kryeimami i BIK-ut.

Sahiti ka thënë se librat e përdorur për ligjërim në burgje kanë qenë botime të BIK-ut.

Njëri nga imamët, i cili ka mbajtur ligjërata në burgun e Dubravës, Rexhep Lushta, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se që nga shtatori i vitit 2019, janë ndërprerë takimet dhe ligjërimet në burgje.

“Kuptojeni se që nga shtatori i vitit 2019, ne i kemi përfunduar të gjitha vizitat në burgun e Dubravës”, u shpreh ai.

Imami Lushta tha se as nga BIK-u e as nga Ministria e Drejtësisë, nuk janë njoftuar zyrtarisht për asnjë vendim lidhur me ndërprerjen e ligjëratave, mirëpo ai tha se që nga korriku i vitit 2019, nuk ka pasur kërkesë që të mbajë ligjërata fetare në burgun e Dubravës.

Radio Evropa e Lirë, ka biseduar me disa nga personat të cilët kanë qenë të dënuar për terrorizëm, por ata nuk kanë dashur që flasin publikisht, duke thënë se janë të zhgënjyer.

Ministria e Drejtësisë dëshiron ta vazhdojë marrëveshjen

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasmi Selmani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se për shkak të pandemisë ka ndryshuar qasja e imamëve në burgje. Megjithatë, ai nuk ka konfirmuar se nëse imamëve u është ndaluar krejtësisht qasja në burgje.

“Është e reduktuar qasja e imamëve në burgje. Meqenëse është pandemi, kjo pjesa e ligjërimeve tash është më e reduktuar prej gati një vit”, tha Selmani.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur kabinetin e ri të Ministrisë së Drejtësisë, nëse marrëveshja mes kësaj ministrie dhe BIK-ut është ende valide ose jo.

Në një përgjigje me shkrim nga zyra e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, thuhet se memorandumi i bashkëpunimit me Bashkësinë Islame të Kosovës ka skaduar në vitin 2019, mirëpo kjo ministri është e gatshme ta vazhdojë një memorandum të tillë.

"Ministria e Drejtësisë mbetet e interesuar që angazhimi i imamëve në institucionet korrektuese, të vazhdojë përmes mundësisë së përtëritjes së marrëveshjes së tillë, varësisht nga nevojat dhe kërkesat", thuhet në përgjigje.

Selmani: Nuk shihet se ka radikalizim në burgje

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës, thonë se çështja e ligjëratave dhe procesi i riintegrimit të të burgosurve mbetet një sfidë.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i këtij shërbimi, Rasmi Selmani, tha se ka pasur raste, kur personat e burgosur, e që janë të radikalizuar, nuk i kanë pranuar lehtë këshillat për riintegrim apo që të punojnë në bazë të një planprogrami.

“Mbetet sfidë, sepse te disa prej tyre është më problematik që të arrihet synimi që ne e kemi. Megjithatë, ne do të vazhdojnë sepse ne e kemi obligim që këta njerëz t’i kthejmë në shoqëri. Por, nuk shohim ndonjë tendencë që të ketë radikalizim në burgje”, tha ai.

Selmani tha se ka pasur edhe raste kur personat e dënuar për terrorizëm, kanë refuzuar që të ndjekin ligjëratat e imamëve të BIK-ut.

“Pjesa më e madhe e tyre e kuptojnë që e gjithë ajo që bëhet është në të mirën e tyre. Megjithatë, ka edhe të tjerë të cilët edhe refuzojnë. Duke pasur parasysh se ata mund të përfitojnë nga programi që iu takon me ligj, nëse ata janë pjesë e programit, pjesë e rehabilitimit, mirëpo ka individë që refuzojnë dhe e kanë ideologjinë e tyre dhe mendojnë se duhet të vazhdohet me të njëjtin ritëm”, theksoi ai.

Edhe teologia nga BIK-u, Sanije Gashi-Mehmeti ka ligjëruar në burgun e Lipjanit, ku kanë qenë në paraburgim gratë e dyshuara për pjesëmarrje në veprime që kanë të bëjnë me terrorizëm.

“Ato kanë shkuar në luftë dhe ajo çka ne kemi ligjëruar, ka qenë në kundërshtim me atë që ato kanë besuar, por qasja ka qenë e mirë. Në fillim kanë qenë të mbyllura, nuk kanë biseduar me ne, por më vonë janë hapur”, tha Gashi-Mehmeti.

Ndërkaq, shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Hannele Vahakoski, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, tha se për shkak të pandemisë, disa programe janë ndaluar në burgjet e Kosovë.

"Për aq sa ne kemi bërë monitorimin, fatkeqësisht disa aktivitete është dashur të ndalohen, por ka pasur edhe disa aktivitete të tjera që kanë pasur mundësinë që të vazhdojnë", tha Vahakoski.

Në burgjet e Kosovës janë duke vuajtur dënimin mbi 1,500 persona, ku 18 nga ata janë të dënuar për vepra të terrorizmit.

Numri i përgjithshëm i personave të dënuar për pjesëmarrje në luftërat në Siri dhe Irak ose nxitje dhe dërgim i të tjerëve në këto luftëra, është 65 persona.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG