Ndërlidhjet

Koronavirusi vështirëson rehabilitimin e të kthyerve nga Siria


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Përhapja e koronavirusit në Kosovë në gjysmën e muajit mars, ka ndërprerë procesin e rehabilitimit të familjeve të kthyera nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që janë në kontakt të vazhdueshëm me këto familje, tregojnë se problemet kryesore ishin në mësimin online për fëmijët.

Shumë nga këta fëmijë nuk dinë të shkruajnë ose lexojnë pasi ata kanë lindur në zonat e luftës dhe nuk kanë ndjekur shkollimin. Shumë të tjerë që kanë lindur në Kosovë dhe kanë shkuar atje nuk kanë ndjekur shkollimin.

Ganimete Gërbovci nga kjo ministri, thotë për Radion Evropa e Lirë se fëmijët e kanë pasur të vështirë qasjen dhe kuptimin e mësimeve online.

“Nuk kanë pasur pajisje që të ndjekin mësimin online. Disa familje as televizorë nuk kanë pasur. Përmes Drejtorisë së Arsimit të komunës së Prishtinës, për fëmijët në Prishtinë, janë siguruar pajisje elektronike gjatë pandemisë, me qëllim që fëmijët të kenë mundësi të ndjekin mësimin online nga shtëpitë e tyre”, thotë ajo.

Seanca online janë zhvilluar edhe me gratë e kthyera.

“Nga aspekti i shëndetit mendor, psikologët tanë kanë zhvilluar seanca të vazhdueshme online me gratë dhe i kanë këshilluar ato për përdorim të pajisjeve mbrojtëse siç janë maskat, distanca e tjerë”, thotë ajo.

Periudha më e vështirë tregon Gërbovci, ishte kur në fuqi ishin masat e kufizimit të lëvizjes, kur kosovarët ishin të kufizuar të dilnin jashtë shtëpive të tyre në muajt prill dhe maj.

Puna me staf të reduktuar kishte bërë që procesi i rehabilitimit i nisur kohë më parë, kishte ndërprerë shumicën e aktiviteteve, në përjashtim të dërgimit të pakove ushqimore dhe higjienike të familjet e kthyera.

Aktivitetet filluan vetëm pas lirimit të masave

Pas lirimit të masave izoluese në fillim të muajit qershor, disa aktivitete janë kthyer edhe për të riatdhesuarit nga Siria. Fëmijët tashmë janë pjesë e aktiviteteve të ndryshme sportive e kulturore.

“Organizimi i këtyre aktiviteteve është bërë në grupe më të vogla diku rreth 7 deri 8 fëmijë në ambiente të hapura, me qëllim që të respektojmë masat anti-Covid-19”, thotë Gërbovci.

Sipas saj, deri më tash, asnjë anëtar i familjeve të riatdhesuara nuk ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Pas lehtësimit të masave, gratë kanë filluar të ndjekin kurse të rrobaqepësisë.

Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e lirë se pandemia ka sjellur sfida në ri-integrimin e qytetarëve të Kosovës të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

“Ka ndikuar në ngadalësimin e disa prej projekteve që janë paraparë të zbatohen, ku do të përfshiheshin edhe qytetarët e kthyer nga këto zona të luftës. Disa prej programeve që janë paraparë të realizohen me këta individë, kanë hasur në problem të vogël, qoftë janë shtyrë programet ose është dashur të akomodohen në përputhje me nevojat dhe rrethanat e pandemisë COVID-19”, thotë Perteshi.

Fëmijët e kthyer larg mësimit online

Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, thotë se organizimi i mësimit online nga distanca ka pasur shumë mangësi në Kosovë.

E kur bëhet fjalë për fëmijët e riatdhesuar, ai thotë për Radion Evropa e Lirë se këta fëmijë janë anashkaluar sa i përket qasjes në mësim në kohë të pandemisë.

“Shpresoj shumë që nga gjysmëvjetori i ri nga shtatori, e që me gjasë organizimi i mësimit do të jetë në formatin e njëjtë, qeveria të ketë parasysh një situatë si kjo dhe një qasje të vështirë që këto grupe kanë ndaj mësimit online dhe t’u sigurojë të njëjtëve jo vetëm transmetimin, por domosdoshërisht edhe një përkushtim më të madh të institucioneve karshi tyre”, thotë Qehaja.

Mesnatën e 19 prillit të vitit të kaluar, 110 qytetarë të Kosovës, duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë, u kthyen nga Siria në Kosovë.

*Video nga arkivi: Rrugëtimi i 110 kosovarëve nga Siria në Kosovë

Sipas autoriteteve kosovare prej fillimit të luftës në vitin 2012, në Siri ishin rreth 400 kosovarë. Në shtetin e Sirisë kanë mbetur edhe rreth 100 kosovarë të tjerë, prej të cilëve rreth 40 besohet se janë fëmijë.

Qeveria e Kosovës më herët gjatë këtij viti, nuk ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nëse janë duke planifikuar një operacion të ri të riatdhesimit të kosovarëve të mbetur në territorin sirian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG